Blog

Në çdo segment të historisë, të paktën asaj moderne, të rinjtë janë fryma më jetësore e çdo lloj lëvizjeje, qoftë ajo e një natyre politike ose jo. 

Por siç është bërë tashmë zakon në mjedisin shqiptar, ku jetojmë bashkarisht, forcat politike të derimëtanishme e kanë shfrytëzuar energjinë rinore më tepër sesa shpesh në favor të interesave të tyre të momentit, për imazh, për mbajtje flamujsh e banderolash në mitingje. Me pak fjalë për të ardhur në pushtet. E pastaj shkelmin. Ose i kanë mbajtur me “fjalë të mira” sa për të mos i humbur, se ata janë aq dinakë sa ta kuptojnë se u duhen sërish.

Por sa gjatë do të vijojë kjo situatë? A ka një dritë në fund të tunelit? Një rrymë ku të shkojnë të vrullta, të pacunguara, të lira, ëndrrat e shpresat e qindra mijëra të rinjve shqiptarë sot në Shqipëri e emigracion ku ata kanë shkuar të gjejnë shpresën e munguar. 

Duhet të ketë. Unë mendoj se ka. E gjeta dje. Te LIBRA. 

Natyrisht që kjo nuk është kaq e thjeshtë për t’u thënë, e absolutisht për t’u besuar, por unë do të shpjegoj me pak fjalë se pse e ndjej realisht se LIBRA është fryma që i duhet rinisë sot. 

LIBRA është ngritur si një frymë “rebele” nga dy deputetët Ben Blushi e Mimoza Hafizi, kundër një politike kulisash e interesash meskine 26-vjeçare në Shqipëri, kundër krimit e korrupsionit, kundër analfabetizmit e gangsterëve që kanë pushtuar parlamentin e jetën publike në vend. Fjalimet përkatëse të tyre në parlament na kanë frymëzuar të gjithëve, kë më shumë e kë më pak kjo ka pak rëndësi. Se sa do të realizohen, dhe se si do të konkretizohen në programin e LIBRA-s kjo mbetet ende për t’u parë. 

Sot ne jemi përballë një fakti të kryer. LIBRA është krijuar. E unë nuk dua aspak t’i falënderoj të dy themeltarët e kësaj partie, për një arsye të vetme. Sepse ata na e kishin borxh krijimin e saj. Ne e prisnim prej kohësh. Donim dhe e gjetëm shtëpinë tonë të debatit, kritikës, fjalës së lirë. 

Sepse ne brenda kësaj foleze do të jemi të barabartë, me emër e mbiemër të respektuar, kudo nga vijmë, fshat apo qytet, mal apo fushë, vajzë a djalë, besimtar ose jo, me një preferencë seksuale apo një tjetër. Aty duhet të jenë dhe do të jenë të gjithë të barabartë. Askush s’do të na pengojë, as kryetari i ardhshëm i LIBRA-s, as muret e rregullave strikte partiake ashtu siç kemi parë deri më sot rëndom në të ashtuquajturat forume partiake rinore të disa partive në Shqipëri. E në rast se dikush do ta tentojë dicka të tillë, ne do të jemi aty për të marrë frenat në duar. Sepse ne e ndiejmë realisht se jemi e ardhmja, e askush nuk ka më të drejtë të luajë me ne. 

Përtej deklaratave, të rinjtë e jo vetëm natyrisht presin programin. Dje dëgjova se pjesë e programit do të jetë shkolla e mesme e detyruar, për të larguar sa më shumë të rinj nga rruga ku janë të destinuar për t’u kthyer në kontigjent krimi.  

LIBRA do të jetë parti natyrshëm, pra teorikisht një grup interesi. Por ne si të rinj presim realisht që të mos jetë vetëm aq. 

Jo thjesht një parti, por një frymë.

Jo për t’u pasuruar, por për të ndihmuar. 

Jo për t’u bërë të famshëm, por të sakrifikojmë secili nga vetja që të fitojë shoqëria.

Nëse dikush mendon se duke shkuar te LIBRA do të pasurohet një ditë, e ka gabim. Për pasurim jeni të lutur të shkoni në parti të tjera. LIBRA është e do të jetë lëvizja e dijes në ndihmë të të pambrojturve. Të atyre njerëzve që nuk kanë shpresë. E ne të rinjtë e ndiejmë këtë mungesë më shumë se askush tjetër. 

Unë do të jem aty me zemër, e mendje. Do të jem te LIBRA për të ardhmen e Shqipërisë. Do të jem te LIBRA, sepse jam i ndershëm. 

Do të bëhemi mijëra. 

Bashkë do ta bëjmë Shqipërinë.