Blog

Nga Ilir Sinanaj

Organizata prestigjioze Heritage Foundation më bazë në Uashington, në bashkëpunim me “Wall Street Journal”, ka publikuar raportin e vitit 2017 për Treguesin e Lirisë Ekonomike. Liria Ekonomike është e drejta e çdo njeriu për të pasur kontroll mbi punën dhe pronën e vet. 

Në raportin e vitit 2017, Shqipëria është renditur në vendin e 65-të në shkallë botërore për sa i përket Treguesit të Lirisë ekonomike, duke u përkeqësuar kështu me 8 vende në renditje, krahasuar me vitin 2012. Në raportin e vitit 2017, ekonomia shqiptare cilësohet pjesërisht e lirë.

Korrupsioni në administratë dhe kapja politike e gjyqësorit në Shqipëri, ishin disa gjëra që u vunë në pah nga raporti i vitit 2017 për Treguesin e Lirisë Ekonomike.

“Zhvillimi i legjislacionit të pronës ka qenë i copëzuar dhe i pakoordinuar. Procedurat për regjistrimin e pronës së paluajtshme janë të ngadalshme. Gjyqësori, edhe pse i pavarur sipas Kushtetutës së Shqipërisë, i nënshtrohet presionit dhe kanosjes politike dhe ka burime të kufizuara. Nj ligj i vitit 2015 u ndalon personave me precendentë penalë që të mbajnë post në organe publik, por administrata publike vazhdon të pllakoset nga mungesa e eficencës, paaftësia dhe korrupsioni i shumëpërhapur”, thuhet në raportin e vitit 2017 të Treguesit të Lirisë Ekonomike, për Shqipërinë.

Në këtë studim të “Heritage Foundation”, në bashkëpunim me “Wall Street Journal”, liria ekonomike matet në bazë të 12 faktorëve sasior dhe cilësor, të grupuar në 4 kategori të lirisë ekonomike:

1. Sundimi i ligjit (të drejtat e pronës, integriteti i qeverisë, efektiviteti i gjyqësorit)

2. Qeveria (shpenzimet e qeverisë, barra e taksave, fiskaliteti)

3. Eficenca rregullatore (Liria e sipërmarrjes, liria e fuqisë punëtore, liria monetare)

4. Tregjet e hapura (liria e tregtisë, liria e investimit, liria financiare)

Secili prej këtyre faktorëve të lirisë ekonomike vlerësohet  nga 0 tek 100. Mesatarja e të gjithë këtyre faktorëve jep vlerësimin e përgjithshëm të një vendi për sa i përket lirisë ekonomike...