Nga Niko Buleci
Libra është Made in Albania. Jam anëtar i saj dhe shoh përditë që "ky produkt" sa vjen e bëhet më cilësor, më i ndjekur dhe domosdoshmërisht më i pëlqyer nga dita në ditë. Në vetëm dy muaj e gjysmë Libra është një emër i njohur nga të gjithë, një "markë dhe një logo elegante" që vlerësohet brenda edhe jashtë vendit. Libra po ecën përpara, po rritet e po zhvillohet për së mbari. Por si është gjendja e Made in Albania në Shqipëri?
Është pak të thuash shqetësuese, më e saktë do të ishte ta përshkruaje si lënguese.
Made in Albania është e harruar nga politika, është e shpërfillur nga media dhe e lënë jetime nga konsumatori. Por a meritojnë produktet tona këtë notë aspak kaluese. Unë them se jo. Produktet tona njihen në New York por askush nuk i ka dëgjuar në Tiranë. Shkojnë në Kinë por askush nuk i konsumon si dhe sa duhet në Vlorë, degdisen në Rusi por në Korçë as që e dinë se egzistojnë. Made in Albania vuan në Shqipëri, megjithëse ja del të depërtojë në Shanghai e San Francisco.
Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme njëkohesisht. Qeveria këtyre sipërmarrësve guximtarë u dërgon taksidarët e financave dy herë në ditë për t’i zhvatur duke i gjobitur pa të drejtë e më pas sikur t’u kishte bërë nder u fal gjobat. Pa ikur mirë farisejtë e tatimeve kane mbërritur ata të OSHEE-së. Dhe ky kalvar është çdo ditë e çdo moment të egzistencës së atyre që lyejnë përditë duart me graso apo i ngulin këmbët në baltë për ta ngritur Made in Albania në panairet më në zë të kapitalizmit.
Made in Albania jo vetëm që është e përndjekur, e papromovuar dhe e pa vlerësuar nga politika, por në shumë raste është tmerrësisht e persekutuar.
Atëherë Libra është dhe lipset të jete zëdhënësja, dhe shpresa e madhe e Made in Albania. Këta heronj nuk kanë nevojë për para, por për reklamë, nuk kanë nevojë për miq, por për subvencione, por mbi të gjitha kanë nevojë që zëri i tyre dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen.
Në qoftë se jo Libra, kush???


