Blog

Nga Zylfi Buçi

Çështja e integrimit të vendit në BE është e një rëndësie prioritare pavarsisht kush qeveris. Që pas ndryshimit të sistemit në vitet '90, rruga jonë u orientua kah BE-ja. Me pak fjalë kjo kauzë politike nuk përbënte më dallim për palët pasi kishin qëndrim të njëjtë, integrim në BE. Madje edhe sot që vlon debati midis palëve për qëndrimin ndaj reformave që do na hapin rrugën e proceseve integruese përsëri kemi të bëjmë me krijimin i një problemi nga hiçi për të shmangur vëmëndjen nga problemi real që ka Shqipëria në këtë rrugë.

 Për të hedhur pak dritë mbi çështjen në fjalë duhet të ngremë disa pyetje.            
Së pari, çfarë është BE-ja?Cilat janë kushtet që i janë vënë Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE-së? Së dyti duhet ta shohim në dimensionin identitar, si e kuptojnë shqiptarët integrimin në BE? Cilat janë vlerat mbi bazën e të cilës ngrihet civilizimi europian ku dhe ne aspirojmë të jemi? 

Vazhdojmë të trajtojmë cështjet njëra pas tjetrës. BE-ja në thelb të saj ka shtetet anëtare(aktualisht 28 antarë). Ky bashkim konsiston në delegimin e një pjese të 'sovranitetit' nga vendet antare, krahas pavarësisë që ato kanë. Pra shtetet antare delegojnë një pjesë të kompetencave të tyre drejt institucioneve të BE-së për çështje me interes të përbashkët. Thënë ndryshe, vendimet për sa i përket çështjeve ekonomike merren nga institucionet e BE-së, ndërsa për sa i përket çështjeve politike, si Politika e Jashtme dhe Siguria e Përbashkët, vendimet merren nga shtetet antare. Kështu BE-ja qëndron mes organizimit federal, siç është shembulli i SHBA-së dhe sistemit të bashkëpunimit ndërqeveritar si ai i Kombeve të Bashkuara. 

BE-ja ka pësuar zgjerime të herëpashershme. Gjashtë ishin vëndet themeluese(Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Hollanda, Luksemburgu) të cilët nënshkruan Traktatin e Parisit, për krijimin e një tregu të përbashkët për qymyr dhe çelik pa barriera të brendshme doganore. Në vitin 1973 do ti bashkangjitet Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda. Në 1981 numri i vendeve antare do të shkojë në 10 pasi do bëhet pjesë dhe Greqia. 1985 bëhen antarë Spanja dhe Portugalia dhe në 1995 Austria, Finlanda dhe Suedia. Në 2004 do të kemi zgjerimin më të madh ku do të shtohen dhjetë vende, Polonia, Rep.Çeke, Hungari, Slloveni, Sllovaki, Letoni, Lituani, Estoni, Qipro dhe Malta. Vendet e fundit që do ti bashkangjitet do të jenë Rumania dhe Bullgaria në 2007 dhe Kroacia në 2013. Debati që ekziston që prej kohësh në BE është nëse do ti japim prioritet zgjerimit apo thellimit të politikave të BE-së. Problemet e shumta që po has BE-ja sot (kriza ekonomike, kriza e refugjatëve, dalja e Britanisë nga BE-ja etj) e ka ngadalsuar zgjerimin e unionit. 

Shqipëria dhe BE-ja zhvillojnë marrëdhëniet e tyre bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit derisa vendi ynë të bëhet pjesë e BE-së. Në 2009 Shqipëria aplikoi për antarsim në BE dhe zyrtarisht futet në procesin e integrimit europian. Në 2010 Komisioni jep opinionin e tij bazuar në 12 rekomandime kryesore. Kështu fillojnë përpjekjet e shumta për marrjen e statusit të vendit kandidat për antarsim. Si cdo vend tjetër që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të plotësojë kriteret e antarsimit percaktuar nga Këshilli i Kopenhagenit: 

1. Kriteri politik, stabiliteti i institucioneve duke garantuar demokracinë, shtetin ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.                                                                       

2. Kriteri ekonomik, ekonomi tregu funksionale dhe e aftë të përballojë konkurueshmerinë brenda  tregut europian.

3. Pranimi i acquis së BE-së, antarsimi përfshin aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e antarsimit dhe përputhshmërinë me synimet politike, ekonomike dhe monetare të BE-së. Kriteri i përafrimit të legjislacionit me acquis të BE-së. Shqiperisë te kriteri politik i janë vënë pesë kushte: 

1. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve 

2. Reformë në administratë publike dhe depolitizimi i saj 

3. Luftë kundër korrupsionit 

4. Luftë kundër krimit të organizuar 

5. Reforma në drejtësi.

Kjo i jep përgjigje dhe debatit të ngritur kohët e fundit mbi hapjen e negociatave me BE-në se Shqipëria do e arrinte këtë nëse do të kalonte ligjin e Vetting-ut. Kjo ishte një disinformim i publikut, pasi siç parashtruam më lart Reforma në drejtësi është një nga pesë kriteret politike që duhen përmbushur. Puna nuk mbaron këtu, por sapo ka filluar.

 Kjo ishte një trajtim i çështjes nisur nga procesi zyrtar që duhet të ndjekin vendet që duan të integrohen në BE. Për mendimin tim problematikat nuk janë vetëm mungesa e vullnetit politik për ti realizuar këto reforma, por kuptimi në vetvete i konceptit te evropianizimit. 

Evropianizimi nënkupton parimin e vlerave europiane dhe institucionale. Kryesisht ky proces realizohet nga vendet të cilat janë antare të BE-së, vende që janë në proces negocimi, por edhe vende te cilat konsiderojnë politikat e BE-së si të pranueshme dhe të zbatueshme për kontekstin e tyre, pavarësisht se nuk janë antare dhe nuk kanë qëllim të antarsohen në BE. Këtu lind dhe problemi i vërtetë, sepse ne e quajmë veten europian, por nuk i njohim vlerat europiane. Këtë nuk e them si një lloj përceptimi të përgjithshëm, por bazuar në sjellje që shqiptarët shfaqin përditë në aftësinë për të qeverisur, për të bërë ligje, për të ndërtuar shtet dhe shoqeri të barabartë, të drejtë, të lirë etj.

 Ne e duam Europën për çka është, por nuk durojmë dot dhimbjet që ka ky proces. Ne e duam Europën si produkt për ta shijuar(me këtë lidhet dhe fakti pse 1 milion shqiptarë ikën në Europë për azil dhe na presin atje kur të antarsohemi ne) por nuk marrim fatet e vendit(vetes) në dorë për tu bërë europian. 

Dhe këtu i referohem Prof. Hysamedin Feraj në librin e tij, E pafilozofuara ku shprehet: "Më shumë se 'europianizimi' i vetes, bërja e vetes 'europian', dëshira është për antarsim në BE, si fitim i të drejtës për pjesëmarrje të barabartë në shijimin e asaj që tanimë është krijuar nga europianët." Prandaj, nëse 'europianizimi' do të ishte vullneti ynë, atëhere të gjitha kërkesat e BE-së, detyrat e vendosura nga BE-ja për tu bërë si ata dhe për tu antarsuar në të, do të ishin kërkesat tona që do ti bënim BE-së. Si e drejta dhe detyra jonë. Nga vetja e lirë do të ndërtonim institucione, ligje, sistem drejtësie, shtet, qytetar, zanatçi etj. europian edhe sikur europianët të përpiqeshin të na pengojnë. Psh. nëse 95% e shqiptarëve do të donin të mos hidhnin mbeturinat në rrugë, vështirë se policia do të mund ti detyronte ti hidhnin në rrugë. 

Shkurt nëse 95% e shqiptarëve do të kishin vullnetin me qënë europian sdo kishte gjë që do ti ndalonte.