Nga Ilvis Pëllumbi
Natyrisht, liria pa kufij nuk është i vetmi faktor që pengon një shtet të demokratizohet. Keqpërdorimi dhe kuptimi jo i qartë i lirisë, çoi në çrregullimin e një sërë mekanizmave sociale dhe ligjore. Gjëja për të cilën shqiptarët kishin më tepër nevojë në fillimim e viteve ‘90, ishte liria. Liria është një nga kushtet më jetësore të individëve në një shtet demokratik. Shpresa më e madhe e shqiptarëve ishte liria, të cilën ata shpresonin t’a ushtronin në shtetin demokratik që sapo kishin krijuar. Në demokraci nuk mund të ketë privilegje të veçanta të asnjë natyre apo forme.
Demokracia është një proces dhe jo një dhuratë që mbetet e pandryshuar. Njerëzit në një shoqëri demokratike duhet të zbatojnë pareshtur ligjin dhe të respektojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, që të mënjanojnë padrejtësitë dhe të garantojnë një trajtim të barabartë për të gjithë. Të gjithë mekanizmat që veprojnë në kuadër të sistemit gjyqësor, gjykatat, legjislacioni, procedurat, mbrojtja dhe drejtësia në emër të shtetit, në një sistem demokratik, vihen në shërbim të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Demokracia mund të plagoset, në qoftë se qeveria ka tepër pushtet, po ashtu demokracia mund të plagoset dhe të pësojë humbje, në rast se qeveria nuk ka mjaft pushtet që të qeverisë. Sistemi demokratik përbën një formulë të pushtetit të mirë dhe ideal në ditët e sotme.
Demokracia në Shqipëri është deformuar pikërisht nga faktorët e lartë përmendur, përmasat janë të mëdha dhe kostot sociale dhe ekonomike nuk po e lënë shtetin ligjor të lulëzojë. Vendi ynë dha impaktin e parë në vitet ’90 me fjalën “demokraci”, qoftë në kuptimin literal të fjalës, qoftë në kuptimin objektiv të saj. Turmat që u identifikuan si nismëtarë, dhe që me vite me rradhë njihen nën termin “Studentët e Dhjetorit”, e njehsonin demokracinë me shprehjen “liri demokraci”.
Në vetvete, kjo shprehje përmban një çlirim të madh, sepse ajo ç’ka kishte ndodhur në fillimin e viteve ‘90, për hir të së vërtetës, ishte një ndryshim i guximshëm. Ishte pikerisht ky moment që e nxori Shqipërinë tonë, nga kthetrat ku kishte qëndruar për gjysëm shekulli, pikërisht nga komunizmi. Çfarë i bashkonte këta njerëz tubues?
Dëshira e shfrenuar për të ndryshuar mënyrën e jetesës, madje mënyra që ata përdorën për t’a realizuar këtë qëllim, ishte misterioze, sepse ishte hera e parë pas shumë e shumë vitesh, që merrej një nismë e tillë. As ata vete nuk e dinin se çdo të ndodhte pas revoltave, do të arrinin të krijonin një shtet demokratik, do të ktheheshin aty ku kishin qenë në komunizëm apo do të eleminoheshin fizikisht? Çfarë terreni gjeti demokracia pluraliste në Shqipëri?
Një popullsi tejet të izoluar. Njerëz që druheshin nga fjala e lirë nga veprimi i lirë. Të izoluar gjeografikisht dhe mendërisht. Mbase ishin pikërisht këto anomali, që shqiptarët i kishin përjetuar gjatë komunizmit, që i bënte ato ta keqinterpretonin demokracinë. Siç duket koston sociale të viteve të komunizmit, populli shqiptar e ka paguar me vite e vite me radhë, sepse edhe në ditët e sotme koncepti i demokracisë, është akoma i turbullt dhe me mangësi.
Vitet e para të tranzicionit u shoqëruan me përballjen e shoqërisë me ndryshime të mëdha jetësore. Këto ndryshime kishin të bënin si me mënyrën e jetesës së tyre, ashtu edhe me mënyrën e të konceptuarit. Ishin të drejtat e njeriut për njerëzit që do t’u duhej ta kuptonin thellësisht se në ç’raport do të duhet të ishin me shtetin dhe sovranitetin individual të deleguar tek ai, apo të vetëmbrojtur prej tyre brenda ligjit.
U keqpërdorën mënyrat për të arritur atë, mënyra e perceptimit dhe natyrisht rrethanat që ekzistonin në Shqipëri të krijuara gjatë viteve të tranzicionit, që pengonin proceset demokratike. Shoqëria shqiptare kishte jetuar në një botë tejet të kufizuar, dhe me të drejta të munguara. Këto tipare të një populli që aspiron demokracinë dhe shtetin ligjor, ishin krejtësisht të panjohura, dhe për vite me radhë kanë qenë të turbullta. Të gjitha këto mangësi nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë rritur koston e lartë sociale të vendit tonë. Nga pavetëdija apo edhe nga pamundësia për t’i ditur, shoqëria shqiptare ende vuan konceptet bazë të shtetit ligjor, mënyrat se si duhet t’i mbrojnë të drejtat e tyre, dhe se si duhet t’i kërkojnë këto të drejta nga institucionet e drejtësisë.
Të gjitha këto mospërputhje të mentalitetit shqipëtar me demokracinë funksionale, çuan gjithashtu në krijimin e një situate jo në favor të vendit. Edukimi juridik i munguar dhe kuptimi i shtrëngimit juridik, si frikë nga shteti, dhe jo si detyrim përballë ligjit, ku të gjithë jemi të lirë dhe të barabartë. Liria në këtë mënyrë interpretohej dhe zbatohej nga njerëzit, që do të thotë se pritej që demokracia të ndërtohej përmes turmave që dilnin rrugëve dhe protestonin nën thirrjen “Liri demokraci”.
Demokracia nuk krijohet vetëm nga individët. Shoqëria ka rolin e vet, dhe është pjesë e proçesit të demokratizimit, mund të kontribuojë përmes detyrimeve që të funksionojë shteti, por në mënyra demokratike dhe duke respektuar disa norma të thjeshta njerëzore. E ardhmja e vendit tim është padyshim sistemi demokratik i vendosur nga njerëz të aftë dhe të bindur për mirëqënien e vendit, e mbi të gjitha, të popullit shqiptar. E ardhmja e vendit tim është demokracia e vërtetë!


