Blog
Nga Meti Koçi
Arsimi çelësi kyc drejt të ardhmes për vendin tonë, por ç’thuhet vallë për ecurinë ndër vite?
Të gjithë ankohen.
Ankohen studentët, se pedagogët nuk janë të kualifikuar dhe njëkohësisht nuk e bëjnë orën e mësimit tërheqëse dhe të pasur me shembuj e materiale Akademike.
Ankohen prindërit se po investojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre, por nuk dinë nëse kjo gjë, do t’u vlejë në të ardhmen.
Ankohet shoqëria, se po rritet një brez pa dije dhe i pazotë për drejtimin e ardhshëm të këtij vendi.
Të gjithë ankohen në të drejtën e tyre dhe të gjitha ankesat janë po kaq të drejta.
Kushdo që ka pasur mundësinë ta prekë këtë realitet universitar, është dëshmitar i kësaj gjendje. Por i vetmi grup që nuk po shfaqet me ankesa, janë pikërisht drejtuesit e universiteteve publike, të cilët as që i kanë në refenenë e tyre këto shqetësime, pasi për ta gjëja që vlen në fund të muajit, janë të ardhurat që kanë dalë nga ky biznes, i cili, për hir të së vërtetës, si edhe ai i ndërtimit, lulëzoi për disa vite dhe tashmë, është në krizën e identitetit të tij më të thellë.
Tarifat tashmë kanë arritur në stratosferë.
Ç'fitim nga pushtetarët dhe ç'rrënim për ne që mundohemi të punojmë dhe të studiojmë njëkohësisht për të finalizuar shkollimin tonë. Dhe në fund ku përfundojme?? Endemi duke trokitur në dyer që nuk hapen, tek njerëz që nuk dëgjojnë, nuk shohin. E bëjmë këtë gjë deri sa kuptojmë që s’ka zgjidhje.
Të lodhur po, jemi të lodhur!
Por deri kur do vazhdojmë kështu?
Humbja e besimit nga të rinjtë dhe mospasja e kurajos për të kërkuar të drejtat e tyre ka çuar në këtë degradim. Prandaj them mos vazhdojmë ende të heshtim por të ngrejmë zërin për të vendosur drejtësinë e munguar dhe të vendosim vetë për fatet tona.


