Blog

Nga Jolanda Ymeri Në ditë të tilla kur temperaturat shënojnë me minus , mesa duket ka ngrirë edhe solidariteti ynë si shoqëri për ta kthyer kokën drejt atyre që nuk kanë as një çati mbi kokë, një vakt për të ngrënë apo një batanije për të hedhur shpatullave. Kushdo që kalon në darkë në disa zona të kryeqytetit lehtësisht identifikon persona që janë strukur në cep të rrugës ose qoshe pallati për tu ngrohur sado pak nga sfida e klimës, neglizhenca e shoqërisë & shtetit. I tillë ëstë edhe rasti i Arbrit 20 vjeçar i rritur në jetimore,aktualisht i pastrehë, pa shkollë, pa punë, i ndodhur në kushtet e mbijetesës ekstreme dhe pa siguri për të nesërmen. Me një trup imcak, i veshur shumë hollë për kushtet klimaterike në të cilat ndodhemi, i cili ngjan shumë më tepër sesa mosha reale, mesa duket jetesa e veshtirë i ka lënë gjurmët e saj. E shoh çdo ditë në rrugicën e lagjes time duke përseritur të njëjtin proces veprimesh, mblidh kanaçe-siguro një copë bukë-fli në cep të pallatit –mbijeto. E njëjta histori që përsëritet prej kohësh. Pyes veten vallë çdo të ndodhë me të gjatë kësaj periudhe ku asnjë instancë nuk po merr në konsideratë persona vurnerabl si Ai? (Të cilët nuk janë të paktë në numër) Deri më tani janë shënuar 3 viktima nga moti i këtyre diteve, endacake dhe persona në situatë rruge secili prej tyre. Edhe sa viktima të tjera duhet të shënohen që ne si shoqëri, shteti & OJF-të të ndërgjegjësohen?? Nuk dua që Arbri të jetë viktima e rradhës! “Një varkë nuk shkon përpara nëse secili vozit në drejtimin e tij” , ndaj mendoj se ka ardhur momenti që të gjithë të solidarizohemi sadopak me situatën , të shohim pak me tepër jashtë zonës se komfortit tonë dhe ti ndihmojmë këta njërëz, të mos i lemë në mëshirë të fatit.