Esmeraldo Xhakolli
Shqipëria jonë është vendi i paradokseve të mëdha.
Është vendi që Zoti i ka falur gjithcka që të jetë e aftë të rradhitet pranë vendeve më të përparuara. I ka falur natyrën, pasuritë natyrore dhe ajo që është më e rëndësishme ‘’DIELLIN’’, por problemi ynë është se në vend që të ngrohemi nga rrezet e tij, më tepër verbohemi duke mbajtur sytë lart nga qielli se mos pikon begatia nga dhembshuria e tij.
Por nuk e di, a ka ndonjë hile në diellin që na ngroh ne dhe nëse kjo është e vërtetë duhet urgjentisht të ankohemi tek universi për këtë padrejtësi që po na bën ‘’dielli’’ i mallkuar, se është i pajustifikueshëm ftohtësia që ai i jep qelizave tona dhe i paralizon ndaj reagimit.
Apo mos ndoshta ekziston ndonje mënyrë me e shpejtë dhe më e thjeshtë për të ngrohur vendin tonë sesa të merremi me gjyqe lart e poshtë nëpër universin e pafund.
Unë mendoj se ka një zgjidhje dhe ndryshe nga shumica juaj nuk mendoj aspak se rrezet e diellit që bien mbi ne Shqiptarët s’janë të njëjtat me rrezet që bien mbi Amerikanët, mbi Suedezët, mbi Gjermanët etj. Përkundrazi ai bën përpjekje mbi ne më shumë ditë se tek ata, por ne nuk po e kuptojmë dot mesazhin e tij, i cili në fakt është mjaft i qartë.
Ajo cka e bën sot Shqipërinë të lëngojë e të dergjet në shtrat është padyshim mungesa e lirisë, e cila është zanafilla e gjithë mjerimit që ka pushtuar sot truallin tonë dhe nuk po lejon dot as diellin e fuqishëm të ngroh qelizat tona dhe t’i hedh ne sulm drejt së ardhmes së ndritur.
Mungesa e lirisë na ka kthyer në qënie të ngurta, të paafta për t’i treguar vendin cilitdo pushtetari që nuk heziton të bëhet palë klienteliste me cdo grabitës të mirëqënies tonë dhe që pak nga pak po na con drejt rikthimit të monarkive ose ndoshta edhe më mbrapa, drejt feudalizmit. Por këta feudal të rinj ndryshe nga të vjetrit nuk ja tërheqin plotësisht lakun nevojtarit sepse u duhet të konsumojë produktet e tyre dhe jo se u dhimbset. I gënjëjnë vazhdimisht me thërrime duke luajtur me ëndrrat e tyre dhe duke ja kthyer jetën në një monotoni vrastare.
Është ky indiferentizëm që duhet të mposhtim ne si LIBRA duke qenë se kemi guxuar të identifikohemi me ngjyrën e diellit. Na takon ne roli i ndërmjetësit me të dhe me qytetarët tanë.
Shoqëria civile aktive është arma më e fortë dhe guri më i rëndë në peshoren e demokracisë. Pa një shoqëri aktive gjithnjë koherente dhe në krye të kauzave të drejta të papërlyera nga pushteti nuk mund të fitojmë lirinë e munguar gjithë këto vite dhe pa liri asgjë e mirë nuk mund të vijë, sado t’i drejtojmë sytë nga qielli sepse lirinë e meriton ai që shkon cdo ditë në luftë për të.
Le të jetë ky shkrim një thirrje për të gjithë të rinjtë dhe jovetëm, të cilët duan të bëjnë dicka për këtë vend, që të jenë gjithnjë aktiv për të shprehur mendimin tyre në mënyrat më demokratike dhe asnjëherë të mos mbërthehen nga prangat e frikshme të indiferentizmit, i cili sjell vetëm regres.
Lirinë nuk do na e sjellë askush, vec vetes sonë. As reforma në drejtësi, as anëtarësimi në BE, asnjë ambasador sado peshë të ketë fjala e tij. Lirinë mund ta fitojmë vetëm ne dhe LIBRA duhet të ketë mijëra ambasadorë që luftojnë cdo ditë indiferentizmin dhe frikën tone, që nje ditë edhe ne të fitojmë lirinë, atë të vërteten, atë që ende se kemi shijuar, atë që ja ndjejmë aromën vetëm kur kalojmë kufijtë dhe që ende spo e bindim që të vizitojë edhe vendin tonë dhe mos të na detyrojë të emigrojmë që ta përkëdhelim nga afër.


