Editoriale

Ana e errët e politikës

Ardi Stefa 

Askush nuk mund të pretendojë se gjërat janë të thjeshta për qeverinë e koalicionit Rilindje (PS+LSI+...) dhe PDIU. Gjendet përballë një situate, e cila reflektohet tek një revoltë masive sociale.

Në të njëjtën kohë, në rast se ajo dëshiron të qëndrojë në pushtet duhet të marrë disa masa, të cilat janë të ashpra për popullin dhe për shumë funksionarë të saj, të cilët duhet edhe t’i flijojë. Masat do të shtojnë pakënaqësinë popullore, ndërkohë që “flijimet” partiake shpreson t’i mbajnë disa vota dhe ta paraqesin si “të pastër”!

Me pak fjalë, qeveria përpiqet t’ja shesë edhe një herë shpirtin Djallit, por pa blerë një fillim të ri, - sikundër,të paktën tentoi Fausti...

 Zgjidhja tjetër janë zgjedhjet  e 18 qershorit. Por unë nuk di asnjë qeveri normale që të pretendojë të fitojë zgjedhjet me korrupsionin, krimin, drogën, varfërinë në kulm të popullit dhe pasurimin galopant e të frikshëm të qeveritarëve. Në një shtet normal, për qeverinë normale, zgjedhjet në këto kushte do të ishin vetëvrasëse...

Atëherë?

Dilema duket se nuk ka zgjidhje thelbësore. Ose qeveria aktuale do të pësojë një humbje të frikshme, ose do të pësojë të njëjtën humbje pas katër vitesh të tjera qeverisjeje.

Përballë kësaj dileme “të pazgjidhshme”, qeveria po shkon dhe po provon disa receta të regjimeve jo të lira: Zhytet gjithnjë e më shumë në anën e errët të politkës!

Natyrisht me iluzionin që ushqejnë regjimet jo të lira: Se përdorimi i pushtetit mund të funksionojë si riprodhim i vetë pushtetit.

Me sinqeritetin e tij barbar, vetë kryeministri përpara dy vitesh deklaronte: “Ende nuk keni parë asgjë”!

Kjo deklaratë e tij duhej kuptuar: “Ende nuk është yni i gjithë shteti!”

Por, në Demokraci, shteti nuk i përket askujt dhe as që duhet t’i përkasë...

Pyetja interesante ka të bëjë me lehtësinë e shndërrimit të Rilindjes dhe me vithisjen e saj në anën e errët të politikës. Ndjek, përndjek, mbyll, hedh baltë, shantazhon, ushtron presion, kërcënon, ndërhyn...

Si njerëz të rinj, pa mëkate mbi shpinën e tyre, me një idealizëm të supozuar që karakterizon (të paktën teorikisht) të majtët e reformuar e kontemporanë, nxitojnë të bëjnë të tyret metodat e armiqve më të egër të së Majtës, ose bëjnë të tyret metodat më të egra antipopullore të baballarëve të tyre komunistë.

Por si i adaptuan kaq lehtë gjithë të errëtat, të ulëtat dhe të ndyrat?

Ka dy shpjegime.

I pari është më i mëshirshëm. Merr parasysh dëshpërimin e njerëzve që erdhën me iluzionin se do të qëndronin shumë në pushtet dhe që kuptojnë se po ikin, ose do të ikin në mënyrën më të keqe dhe që ata vetë nuk janë në gjendje të administrojnë rënien e tyre. Mungesë përvoje dhe boshti politik në lidhje të ngushtë me dëshpërimin përballë humbjes.

I dyti është më cinik. Konsiston në faktin se, përfundimisht, kjo është ideja e tyre për politikën. E mendonin dhe e besonin si një shkëmbim të errët ndërmjet bankave, politikanëve, botuesve, gjykatësve, gazetarëve, sipërmarrësve, prokurorëve...

E mendonin dhe e besonin si një shkëmbim të errët ndërmjet tyre dhe krimit të organizuar, i cili dikur kishte nevojë për ta, ndërsa tani ata besojnë se janë aq të pasur e fuqishëm saqë nuk kanë nevojë për krimin...

Dhe kjo dëshmohet nga arroganca e të gjithëve në hallkat e qeverisë, nga deklaratat e veprimet banditeske, nga tallja ndaj popullit.

Besonin se paraardhësit e tyre qeverisnin se kishin një rreth të tillë dhe se qëndrimii tyre në pushtet varet nga shndërrimi dhe kthimi i një rrethi të tillë kriminal në shërbimin e tyre.

Kështu që i vetmi synim i tyre ende përpara se të vinin në pushtet, por edhe më pas ishte  të shndërronin në rreth pushteti botën e errët që i rrethon. Të promovojnë si forcë politike anën e errët të politikës.

Problemi i kësaj teorie është i dukshëm

Pa dyshim që logjika e rënies është dyshemeja, fundi...

Nga ana tjetër, sistemet dhe qarqet e errëta që mendojnë se kanë kontrollin fillojnë të mendojnë autonominë dhe “malli i tyre i parë në treg” do të jenë ata që i “ushqejnë” sot...

Sistemi i kalbur i drejtësisë, rendi dhe siguria që janë përtokë, korrupsioni, kursimet 1.1 milionë euro të deputetit Peza, vila 1.1 milionë euro e ministres, nuk janë gjë tjetër, veçse preludi i asaj që do të pasojë.

Për një arsye të thjeshtë që nuk do të lodhem ta përsëris.

Duke qenë se politika nuk përcaktohet as nga prapaskenat e as nga hollësitë pikante, por nga skenat dhe rrymat e mëdha e të dukshme. Nga pamja e madhe...

Por edhe për një arsye më të thjeshtë

Sepse maskarenjtë ngelen gjithmonë maskarenj. Çfarëdo ngjyre që të veshin, çfarëdo plani të ndyrë të zbatojnë.

Nuk ndryshojnë ata. Ndryshojnë thjesht punëdhënësit e tyre...