Editoriale

Kush u trembet zgjedhjeve?

Ardi Stefa

Pyes veten se çfarë është më e rrezikshme për vendin. Një muaj elektoral apo një qeveri që zvarritet nga muaji në muaj, apo... në opozitë e ngujuar këtu e dy muaj në çadër...

Çfarë është më e dobishme. Një qeveri së cilës i kanë shterruar fuqitë, apo një qeveri e re me një kapital të ri e të fuqishëm politik?

Çfarë intereson më tepër. Një qeveri që “negocion” nëpërmjet sharjeve, fyerjeve, ironive të Facebook-ut nga ana e kryeministrit dhe sejmenëve të tij, duke u munduar të qëndrojë në pushtet, apo një qeveri me votëbesim të ri nga populli?

Pyetjet janë retorike, pasi edhe përgjigjet janë të kuptueshme.

Kush, pra nuk i do zgjedhjet? Vetëm ai që ka frikë se do t’i humbasë. Më falni, por shkak tjetër unë nuk di të ekzistojë.

Por edhe humbja mund të jetë rrezik për të dy palët. Për opozitën që realisht nuk i fiton dot dhe për qeverinë, e cila do të jetë humbësja morale, pas një qeverisjeje që nuk realizoi pritshmëritë e shqiptarëve dhe përvojave të trishta të Dibrës dhe Ersekës në zgjedhjet lokale...

Një administrim fatal dhe katastrofik i kohës e solli përsëri qeverinë me shpinën pas murit dhe pa aspak kohë në dispozicion të saj.

Me opozitën të paregjistruar në zgjedhje, opozitën që kërkon qeveri teknike, aleatët e koalicionit që po “luajnë”, duke i shkelur syrin herë opozitës e herë qeverisë, ndërkombëtarët që nuk po mbajnë as edhe një qëndrim të prerë...

Por kur një gabim përsëritet atëherë ai nuk është gabim, është zgjedhje.

Me të drejtë dilema është zgjedhje apo shtyrje e tyre. Ka shumë mundësi që qeveria të hyjë në zgjedhje për të “shpëtuar” zgjedhjet, sikundër opozita të mos hyjë në zgjedhje për të “shpëtuar” përzgjedhjet.

Dhe në fund do ta gjejnë gjuhën e do të shkojnë në zgjedhje.

Thjesht, sa më shumë vonohen të dyja palët aq më keq është. Për vendin kjo situatë e tensionuar, ndëqsa për politikën shqiptare zgjedhjet.

Të dyja palët janë në istikamet e tyre. Me sharje, fyerje, ironira, akuza. Askush nuk lëviz nga kauza e tij. Lideri i opozitës nga kërkesat që duket se po përvijëjnë profilin e vet, por nuk po japin rezultatin e duhur, ndërkohë që kryeministri, nga Facebooku ka dhënë vlerat nga të cilat nuk do të tërhiqet, ose që do t’i përcaktojë më vonë: përsëritja e ndeshjes së Juves me Barcelonën, operacionet plastike të qyteteve në kohën e ardhme, të drejtat e sjkelura të njeriut  në epokën Trump, paqja botërore, ndryshimet klimatike...

Këto janë vlerat e mia, thotë ai. Po ju pëlqyen mirë, por po qe se nuk ju pëlqejnë, nuk ka gjë. Kam edhe të tjera,- përfundon lideri i Ballkanit.

Vështirësia e qeverisë nuk gjendet në përzgjedhjen. Vitin e kaluar ishte në një pozitë edhe më të vështirë. Vështirësia qëndron në faktin se nuk ka më kapital politik të investojë në përplasjen apo tërheqjen.

Deklaratat për Çadrën e në Facebook janë më tepër tregues i pluhurosjes, sesa deklarim i qëllimeve që kanë.

Por kam përshtypjen se përzgjedhje nuk ka. Njëra pas tjetrës po këputen rrugët e shpëtimit e të daljes nga kriza.

Pa ide, pa aleatë dhe pa kapital politik, as edhe arratisja nuk përbën zgjedhje e zgjidhje. Përpara katër vitesh morën gati një milion vota. Sivjet vështirë se do t’i afrohen asaj shifre.

E njëjta gjë vlen edhe për opozitën

Vetëm për këtë i kanë frikë zgjedhjet të dyja palët.

Po qe se u shmangen, kjo është tjetër gjë.