Rama kërkon “eutanazi politike”/ Pleqtë e “rilindjes”, PD e Vjetër dhe “lekët e gjalpit” të LSI
Ilir Sinanaj
Thonë që ka krizë politike! Por asnjë nuk ka shpjeguar se çfarë është kriza. Në fakt kriza është një moment ku bëhet jetike të bësh një zgjedhje, për të dhënë zgjidhje: nuk ka rrugë tjetër.
E ashtu-cilësuara krizë aktuale në Shqipëri, në mendimin tim ka dy këndvështrime. Për ta ilustruar këtë do të marr një ndodhi katastrofike në vitin 2015. Sipas progres raportit më të fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, dëmi në buxhetin e shtetit për vitin 2015 ishte rreth 940 milionë euro.
Kriza 1: Në një vend si Shqipëria me varfëri të jashtëzakonshme krahasuar me vendet e BE-se, por edhe me ato rajonale, ku nevojiten shumë investime në infrastrukturë, në politika nxitëse për sipërmarrjen etj, 940 milionë euro të shpërdoruara janë një grabitje e ndërmarrë me vetëdije nga kryeministri Edi Rama, i mbështetur plotësisht nga kryeparlamentari Ilir Meta, i shpërfillur tërësisht nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Për rrjedhojë, shqiptarët janë 940 milionë euro më të varfër dhe fajtorët duhet të dalin patjetër përpara drejtësisë. Nuk duhet të harrojmë se për një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, kur je i varfër, autoritetet zbatojnë ligjin me përpikërinë më të madhe për të të futur në burg.
Kriza 2: Të kesh mundësi të grabitësh deri në 940 milionë euro dhe të mos dënohesh duhet të mbash pushtetin në atë mënyrë që të mos futen në arenën politike aktorë të rinj. Sepse me futjen e aktorëve të rinj detyrimisht do të dënohen aktorët e vjetër që kanë bllokuar ecurinë e ekonomisë shqiptare nëpërmjet kësaj grabitjeje (“rilindje”-LSI në mënyrë aktive dhe PD e Vjetër në mënyrë pasive).
Kriza 1 është kriza e popullit, ndërsa kriza 2 është ajo e kastës së vjetër politike e koalicionit “rilindje”-PD e Vjetër-LSI. Nëpërmjet mediave dhe ndikimit të opinionit publik, me anë të çadrës në mes të bulevardit, koalicioni “rilindje”-PD e Vjetër-LSI po përpiqet që të përçojë si krizë kryesore “krizën 2”. Pra ata po mundohen të mbrojnë veten e tyre nëpërmjet makinacionit sipas të cilit PD e Vjetër pretendon se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Për më tepër me anë të çadrës ata po përpiqen të “monopolizojnë” opozitën nën emrin e Lulzim Bashës, pasi në fund të fundit ky është njeriu i koalicionit “rilindje”-PD e Vjetër-LSI, koalicion ky që siç lihet të kuptohet ka dhënë “bekimin” e ngritjes së çadrës.
Ndërkaq, koalicioni “rilindje”-PD e Vjetër-LSI përballet edhe me një problem tjetër: ekzistencën politike të Edi Ramës. “Rilindje”-PD e Vjetër-LSI nuk është se nuk e duan Edi Ramën, por përkundrazi ata nuk duan që ai të ikë. Nëpërmjet Edi Ramës ka lulëzuar hashashi dhe ka vazhduar keqqmenaxhimi i fondeve publike (një rast u përmend më lartë me grabitjen e 940 milionë eurove). Nëse PD e Vjetër do ta kishte seriozisht luftën ndaj mbjelljes së hashashit të Shqipëri, atëherë pse nuk mblodhën një grup deputetësh që në mënyrë demonstrative të shkonin në plantacionet e hashashit dhe në prani të kamerave të shkatërronin bimët. Nga ana tjetër si ka mundësi që PD e Vjetër pas 8 viteve në pushtet nuk arriti të bënte asgjë për të parandaluar kanabizimin e vendit?! Përgjigja është e thjeshtë: kanabizimi i vendit i ka interesuar edhe PD-së së Vjetër. Kështu, përfitimi i kastës së vjetër politike, nëpërmjet rrënimit ekonomik për popullin shqiptar, është bërë me anë të përfaqësimit politik të Edi Ramës.
Edhe LSI ka përfituar nga keqqeverisja e deritanishme, pasi e ka mbështetur në çdo nismë “kryerilindasin” Rama. Në të kundërt do ta kishte kundërshtuar që në fillim qoftë për koncensionet, qoftë për kanabizimin e vendit, qoftë p137er arsimin. Ndërkaq, si forcë oportuniste apo si një ndërmarrje mbledhjesh votash, LSI po përpiqet me çdo kusht të mbaj përfitimet e keqqeverisjes me “rilindjen”, por duke u munduar të heqë çdo përgjegjësi. Ndërkohë një shprehje franceze thotë se nuk mund të kesh edhe gjalpin edhe lekët e gjalpit.
Fakti që Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër është sepse ka mbështetjen e “pleqve rilindas” brenda Partisë Socialiste. Nuk kemi parë asnjë deputet të gradës së vjetër brenda PS-së të denoncojë kanabizimin e vendit apo shpërdorimet dhe grabitjet e fondeve publike.
Kështu shumë e qartë, që Edi Rama nuk e qeveris këtë vend, por ai është thjeshtë figura që është vendosur nga “pleqtë e rilindjes” me konsensusin e LSI dhe PD e Vjetër, për të vazhduar traditën e korrupsionit dhe të grabitjes së fondeve publike me qetësi dhe dashuri.
Por pse po bëhet gjithë kjo zhurmë për Edi Ramën? Për aq kohë sa flitet pro apo kundra për Edi Ramën, por pa asnjë lëvizje politike konkrete, figura e tij politike thjesht promovohet mediatikisht. Nga ana tjetër edhe Lulzim Basha po “shijon” pak promovim në çadrën e koalicionit “rilindje”-PD e Vjetër-LSI.
Po pse duhet të promovohet Edi Rama? Në mendimin tim “kryerilindasi” Rama ka disa kohë që kërkon të largohet nga politika. Kjo shihet me “palaçollët publike” që bën vazhdimisht si edhe kohën e madhe që shpenzon “duke u marrë si gjimnaziste” me faqen e tij të rrjetit social “Facebook”. Po kështu vihet re një lodhje fizike, frymëmarrje me vështirësi dhe gjestikulacione stresi, kur “kryerilindasi” Rama flet në publik, çka e mbështet më shumë tezën se ai kërkon të largohet nga pozicioni ku është. Por këtë ai nuk mund ta bëj dot me vullnetin e tij, sepse po u fute në vallen e drogës dhe korrupsionit, nuk del dot me dëshirë dhe “pa shërbyer” deri në fund. Dhe “pleqve të rilindjes”, PD-së së Vjetër dhe LSI-së u duhet figura politike e Edi Ramës për të vazhduar të qetë “punët e tyre”. Në rastin e LSI-së, “kryerilindasi” Rama i duhet që ta marrë këtë forcë politike në koalicion, sepse nëse LSI nuk futet dot në koalicion, atëherë “mercenarët” që ka mbledhur nuk do të kenë më "dashuri". Zgjedhjet vendore të vitit 2015 treguan se LSI nuk mund të fitojë e të ekzistojë kurrë e vetme. Prandaj e gjithë kjo zhurmë e “rilindje”-PD e Vjetër-LSI po bëhet që “të mbajnë” në politikë Edi Ramën, jo sepse i ka sytë e bukur, por sepse po u shërben interesave të kastës së vjetër politike, nëpërmjet korrupsionit dhe kanalizimit të vendit.
E vetmja forcë politike deri më tani që e ka treguar realisht, me propozime konkrete, që është kundër sistemit të kabalizimit, korrupsionit dhe varfërimit të vendit është LIBRA. Në fjalën e tij në takimin me strukturat e Tiranës më 4 prill 2017, deputeti Ben Blushi shpalosi një propozim të LIBRA-s, që e zhbllokon menjëherë situatën në vend, nëse zbatohet.
“I them të gjithë atyre që kanë vota në parlament, përfshirë edhe LSI-në, që është gjysma e qeverisë, që nëqoftëse do dil në parlament bëj një mocion, ta rrëzojmë këtë qeveri siç e meriton dhe 2 mandatet e LIBRA-s do të jenë aty çdo ditë, çdo natë, për të rrëzuar pa kushte qeverinë e Edi Ramës, të cilit i ka ardhur koha të paguajë çmimin për shkatërrimin e lirisë dhe varfërimit konstant të vendit këto 4 vjet”- tha ai.
Kaq e thjeshtë është për ta shporrur të keqen që nuk e do një popull i tërë, por që po e mban në pushtet “rilindje”-PD e Vjetër-LSI.


