Programi
Me të quajturën Reformë në Arsimin e Lartë, qeveria e Rilindjes ka tentuar në mënyrën më dinake të shkatërrojë universitetet publike në favor të klientëve privatë. Ligji i Arsimit të Lartë përbën një kuadër ligjor të paqartë, të lënë me qëllim në dorën e qeverisë për të hartuar me arrogancë politika goditëse ndaj universiteteve publike. Dy janë shfaqjet më të qarta të këtij vullneti të mbrapshtë. Rritja vit pas viti e tarifave të shkollimit, që e kthen shkollën në mundësi vetëm për ata që kanë para dhe jo për ata që kanë vullnet dhe talent. Dhe barriera që qeveria u vuri maturantëve vitin e kaluar, për të mos ndjekur ëndrrën e tyre për studime të larta. Duke i detyruar një pjesë të shkojnë në universitete private e të paguajnë shumë shtrenjtë atë që shteti shqiptar e ka për detyrë ta ofrojë shumë më lirë, me takstat që shqiptarët i japin me zemër për shkollimin e fëmijëve të tyre. Ose duke i detyruar të ndërpresin studimet.
Në Ligjin e Arsimit të Lartë ka disa nene që haptazi lejojnë shitjen dhe copëzimin e universiteteve publike. Me përpjekjen tonë të fuqishme në parlament, ne deputetët LIBRA ia dolëm që zbatimi i këtyre neneve të shtyhet për vitin 2017. Por nëse qeveria e rilindjes votohet, vendimi i parë që do marrë do të jetë shitja e universiteteve publike në favor të klientëve privatë.
1. LIBRA do të përgjysmojë tarifat e arsimit të lartë publik dhe do t’i zerojë për të gjithë studentët, familjet e të cilëve fitojnë më pak se 500 mijë lekë në vit.
2. LIBRA do të anulojë të gjitha nenet e ligjit të arsimit të lartë që kërcënojnë universitetet publike, do të nxisë financimin e arsimit të lartë mbi bazën e cilësisë së diplomave, do të kërkojë kontroll dhe transparencë të financimit publik në shkollat e larta.
Universitetet do të kthehen në qendra të vërteta dijeje, shkence, pedagogësh të përkushtuar dhe studentësh me vullnet e talent. Studentët do të shkollohen për arsye të dëshirës dhe vullnetit, jo për arsye të mundësive financiare. Diplomat universitare do të jenë më të përshtatshme për punësimin e tyre dhe ekonominë e vendit. Universitetet publike nuk do të jenë më preja e politikës së rradhës, por mundësi për të gjithë shqiptarët. Universitetet private do të konkurojnë me dinjitet në sistemin e lartë arsimor.
LIBRA ESHTE RRUGA E RE!