Programi
LIBRA PER ARSIMIN - PIKA 4 E PROGRAMIT
Pas shumë vite politikash të papërgjegjshme dhe të pandjeshme ndaj arsimit, sot shkollimi i fëmijëve tanë është i cënuar rëndë.
Programe e tekste të papërshtatshme, produkt i reformave kontradiktore, mësues të papërfillur në formimin e tyre pedagogjik e shkencor e shpesh të goditur nga politika, infrastrukturë e munguar, pa klasa të mjaftueshme, pa laboratore, pa biblioteka e salla sporti, kjo është fatkeqësisht panorama e sistemit tonë arsimor. Buxheti që shteti shqiptar i jep sot arsimit është 2.4% e prodhimit të brendshëm bruto, absolutisht më i ulëti ndër të gjitha vendet e Europës. Shumë fëmijë e braktisin shkollën herët, duke humbur të ardhmen e tyre dhe duke zbehur të ardhmen e Shqipërisë.
1. LIBRA do të dyfishojë buxhetin për arsimin deri në 5% të prodhimit të brendshëm bruto, nga 2.4% që është sot, duke e konsideruar arsimin strategji ekonomike.
2. LIBRA do ta bëjë të detyrueshëm arsimin e mesëm, me vëmendje të veçantë drejt arsimit profesional, duke kërkuar që të gjithë fëmijët e Shqipërisë, pa dallime pasurie apo krahine, të ndjekin shkollat e mesme, çka do të përmirësonte cilësinë e tregut të punës.
3. LIBRA do t’i japë dinjitetin e duhur mësuesve, duke garantuar departizimin e tyre. Asnjë mësues nuk do të lejohet me ligj të jetë më anëtar i një partie politike dhe as komisioner në qendrat e votimeve.
Do të kemi më shumë shkolla të mira, më pak nxënës në klasa, fund shkollës me turne, mësues të kualifikuar, programe dhe tekste të përshtatshme, laboratore, biblioteka, salla sporti. Arsimi është rruga e vetme për të dalë nga varfëria. LIBRA ESHTE RRUGA E RE!