Ngjarje

Të nderuar miq!

 

Të dashur Libra!

 

 

Sot kam kënaqësinë të hap këtë takim të LIBRA-s, 2 muaj pasi ajo është krijuar, për t’ju falënderuar se në kaq pak kohë keni arritur të ndërtoni një organizatë politike që do jetë vendimtare në Shqipërinë e viteve që vijnë.

 

Unë jam i nderuar që jam njëri prej jush dhe mund t’ju them se kurrë më shumë se këto dy muaj nuk jam ndjerë më i lirë, më i dobishëm dhe më i motivuar.

 

Ju falënderoj të gjithëve për çka keni bërë!

 

Më lejoni t’ju them diçka për LIBRA-n:

 

LIBRA është një grup njerëzish të barabartë të cilët kanë vendosur ta drejtojnë Shqipërinë me dinjitet, barazi dhe duke ndëshkuar pa dilemë ata që kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin.

 

LIBRA po i bind shqiptarët përditë se qëllimet e saj janë të thjeshta por të domomosdoshme. Njerëzit na pyesin se çfarë duam ne, dhe une po ju përgjigjem.

 

Ne duam të mundim varfërinë si armiku më i madh i vendit; 

Ne duam të shpërndajmë ndryshe të ardhurat nga pasuritë tona publike duke penguar privatizimin dhe koncesionizimin e tyre në pak duar;

Ne duam të ndëshkojmë ata që kanë abuzuar dhe janë korruptuar duke krijuar një hendek të thellë shoqëror mes pasurisë dhe varfërisë, mes dijes dhe mosdijes, mes qytetit dhe fshatit;

Ne duam që Shqipëria të jetë një vend i jetueshëm në të cilin të rinjtë gjejnë punë të merituar dhe shteti i ndihmon ata të shkollohen dhe të punësohen duke nxitur dhe stimuluar punësimin e të rinjve;

Ne duam të financojmë dy herë më shumë arsimin publik, dobësimi i qëllimshëm i të cilit ka shkaktuar kaq shumë plagë shoqërore duke thelluar pabarazinë dhe duke sabotuar punësimin;

Ne duam që arsimi i mesëm në Shqipëri të jetë i detyrueshëm;

Ne duam të ndërpresim gjithë ato koncesione që kanë shtuar kostot e shëndetit duke i dhënë fund skemave mafioze të ilaçeve të dyshimta që kanë rrezikuar kaq shumë jetë njerëzish;

Ne duam t’i japim fund importit të mbetjeve në Shqipëri;

Ne duam të mbyllim epokën e kanabizimit duke luftuar me agresivitet dhe pa kompromis kultivimin dhe tregtimin e këtij helmi social;

Ne duam të ndryshojmë sistemin e taksave duke e ekuilibruar atë në favor të rritjes dhe barazisë;

Ne duam të eksplorojmë mundësinë e decentralizimit të taksave nacionale sipas qarqeve duke nxitur investimet në zona më të pazhvilluara të vendit;

Ne duam t’i bindim dhe do t’i bindim shqiptarët të bëhen pjesë e administrimit të pronave dhe pasurive të përbashkëta duke i ftuar ata si aksionerë në kompanitë e mëdha të cilat duhet të mbeten publike dhe jo të shiten;

Ne duam të kufizojmë mundësisht huamarrjen nga jashtë për një periudhë kritike duke i dhënë qeverisë vetëm borxh të brendshëm derisa kufiri i borxhit të stabilizohet nën 60 %;

Ne duam të përcaktojmë minimumin jetik si një standard të domosdoshëm dhe të respektuar që do të nxjerrë nga varfëria mbi 500 mijë shqiptarë, çka është një revolucion human;

Ne duam të ndihmojmë shtresën e mesme të vendit duke u kthyer në strehën e saj të përhershme me besimin se shtresa e mesme e ndihmon një vend të dalë nga varfëria dhe të rrisë mirëqënien;

Ne duam të ulim taksat për shtresën e mesme;

Ne duam të detyrojmë bashkitë të ndërtojnë banesa popullore me fonde publike të cilat do t’u shpërndahen çifteve të reja të Shqipërisë për t’i ndihmuar ata të krijojnë familje solide dhe të shëndosha;

Ne duam të nxisim rritjen e popullisisë në Shqipëri permes politikave të stimulimit si dhe ndihmës për familjet me shumë fëmijë;

Ne duam që shqiptarët të konsumojnë më shumë permes pagave më të larta dhe duke ulur çmimet e naftës,energjisë dhe prodhimeve bujqësore;

Ne besojmë se një vend mund të ketë më shumë të pasur nëse ka më pak të varfër

Ne do të stimulojmë investimet e huaja për të hapur më shumë vende pune; 

Ne duam një demokraci direkte në Shqipëri të cilën e vendos populli dhe jo makinacionet politike; 

Ne duam që Presidenti i Shqipërisë të zgjidhet nga populli;

Ne duam që Parlamenti i Shqipërisë të jetë më i vogël mundësisht me 100 deputetë;

Ne duam që shqiptarët të bëjnë referendume më të shpeshta;

Ne duam që partitë politike të kontrollohen dhe të financohen vetëm nga kuotat e anëtarëve të vet;

Ne duam një Shqipëri më të hapur, më të lirë dhe një media e cila nuk lejohet nga shteti të blihet nga paratë publike dhe as nga ato të zeza.

 

I fola të gjitha këto për t’ju thënë se kush janë idetë e LIBRA-s:

 

Një vend më i drejtë, më i barabartë që zbaton ligjin, që pengon të varfërit të bëhen të mjerë dhe që nxit të pasurit të japin me shumë për te gjithë shoqërinë.

 

Rendi i LIBRA-s është rendi i Mirëqënies

 

Por çfarë ka bërë LIBRA në dy muaj?

 

LIBRA sot ka më shumë se 10 mijë anëtarë në gjithë Shqipërinë, nga të cilët më shumë se gjysma janë anëtarësuar direkt në internet dhe ky numër po shtohet përditë.

 

LIBRA sot është përhapur në pothuajse çdo bashki të vendit dhe jam i bindur se pas disa muajsh nuk do të ketë asnjë fshat ku nuk do të ketë një LIBRA.

 

LIBRA sot ka bërthamat e saj në të gjithë Shqipërinë të cilat janë kthyer në struktura të organizuara dhe që mblidhen në mënyrë periodike duke u zgjeruar në terren.

 

LIBRA ka krijuar forumin e saj të rinisë përmes një procesi të shpejtë dhe të vendosur anëtarësimesh në grupe të reja studentësh dhe maturantësh të cilët e përzgjodhën emrin e forumit të tyre me votim të hapur dhe transparent.

 

LIBRA ka bërë përpjekjen e parë serioze për një votim të hapur elektronik duke përcaktuar me votën e anëtarësisë qëndrimin e dy deputetëve të saj me rastin e miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2017. Shumica e anëtarësisë vendosi që deputetet LIBRA të votonin kundër buxhetit çka edhe ndodhi.

 

LIBRA ka bërë po ashtu propozimet e saj ekonomike apo për reformën zgjedhore dhe këtu mund të përmend minimumin jetik si një iniciativë e cila do përbëjë shtyllën e Librës sa i takon nevojës për të nxjerrë gati 500 shqiptarë nga gjendja e mjerimit dhe varfërisë.

 

LIBRA po ashtu është shprehur pro numërimit elektronik; pro votës së emigrantëve; pro depolitizimit të komisioneve zgjedhore si dhe ka propozuar kontroll dhe tavan për financimet e partive politike; ka propozuar zgjedhjen e Presidentit nga poulli si dhe një Parlament më të vogël me ndoshta 100 deputetë.

 

LIBRA ka propozuar dhe është angazhuar për një “Pakt të Madh për Evropën” mes partive parlamentare, që ajo e gjykon ende të domosdoshëm pas shtyrjes së hapjes së negociatave me BE-në për shkak te kanabizimit, kriminalizmit,korrupsionit, si dhe mungesës së reformave të përgjithshme dhe strategjike.

 

LIBRA ka bërë betejë për disa çështje të rëndësishme duke shprehur qëndrimet e saj në mbrojtje të bizneseve Call Center, kunder koncesioneve të laboratorëve në shëndetësi, si dhe në mbështetje të grevistëve të urisë në Zharrëz të Patosit.

 

LIBRA ka qenë shumë aktive në Kuvendin e Shqipërisë duke u shprehur për ligjet, duke votuar të gjitha aktet e reformës në drejtësi, si dhe duke kundërshtuar ligjin e importit të plehrave apo duke denoncuar krimin në politikë si dhe rritjen e varfërisë dhe mungesën e kujdesit ndaj të varfërve.

 

LIBRA ka organizuar me qindra takime në Tiranë dhe në shumicën e bashkive të vendit dhe shumë shpejt ajo do të ketë zyra të reja në të cilat do të zhvillohet aktiviteti i saj deri në zgjedhje.

 

Gjatë muajit shkurt LIBRA do të mbajë zgjedhjet e brendshme të saj duke i dhënë mundësi të gjithë anëtarëve kudoqofshin ata, të zgjidhen apo të kandidojnë për nivelet drejtuese të LIBRA-s.  Do aplikojmë votën direkte për të zgjedhur drejtuesit e saj në qendër apo në bashkitë e tjera.

 

Pas këtyre zgjedhjeve LIBRA do të konstituojë forumin e saj kryesor që është Këshilli si dhe Bërthama, duke u bërë kështu gati për zgjedhjet e ardhshme.

 

Gjatë muajit mars dhe prill LIBRA do të zgjedhë kandidatët e saj për deputetë të cilët do të jenë njerëz të zakonshëm që pranojnë programin e LIBRA-s dhe mund të afrohen për të kandiduar nën siglën e saj.

 

I thashë gjithë këto për t’ju thënë atë që është themelore:

 

Libra është ide dhe aksion.

 

LIBRA mendon dhe lëviz në mënyrë permanente pasi LIBRA është një mobilitet i pandërprerë.

 

Vetëm në këtë mënyrë mund të rritemi dhe të bindim sa më shumë shqiptarë për të mbështetur idetë tona të cilat synojnë një Shqipëri më të barabartë, më shumë ekuilibër social si dhe respektim të konkurrencës së lirë të tregut.

 

LIBRA është një grup politik i qendrës dhe si i tillë ai do të jetë i hapur për të gjithë ata që duan të kandidojnë për të pa paragjykim dhe pa hezitim.

 

LIBRA e konteston këtë mënyrë qeverisjeje e cila në tre vjet apo në 10 vjet nuk prodhoi dot më shumë begati, më shumë barazi dhe më shumë drejtësi.

 

Sot Shqipëria kërcënohet nga varfëria si dhe nga kapja e një numri shumë të vogël njerëzish.

 

LIBRA do bëjë çdo gjë që përmes aktivitetit publik të pengojë që Shqipëria të bjerë në dorën e një grupi të pasurish të cilët mbrohen nga shteti dhe në disa raste janë vetë shteti.

 

LIBRA do kufizojë pushtetin e tyre me çdo mjet duke i dhënë mundësi shqiptarëve të vendosin.

 

LIBRA refuzon këtë qeverisje amatore dhe të korruptuar e cila bëri dhe po bën gjithçka për të sabotuar drejtësinë, ndëshkueshmërinë duke bërë pakt me krimin dhe duke i dhënë krimit detyra shtetërore dhe imunitet.

 

LIBRA refuzon traditën e Partisë Demokratike të cilën nuk e konsideron opozitë por thjesht qeverinë e parë të kriminalizimit të vendit, çka po pasohet edhe nga qeveria e dytë e kriminalizmit.

 

LIBRA sot mendon se Shqipëria nuk ka opozitë dhe ajo vetë e shpall veten në opozitë me gjithë këtë sistem të kapur dhe të kalbur partish të vjetra të cilat i kanë shkaktuar vendit kaq shumë plagë të cilat do të vazhdojnë nëse nuk zgjidhen me mjete politike radikale.

 

LIBRA do bëjë çmos për të luftuar korrupsionin, pabarazinë, krimin në politikë dhe mizorinë e qeverive që përfaqësojnë të pasurit mbi të varfërit dhe të mjerët.

 

LIBRA do të jetë shpresa dhe zëri i shqiptarëve!

 

Faleminderit!