Blog

Ardiana Çapi

Parimisht, jam pro çdo proteste paqësore. Në gjykimin tim, rrit ndërgjegjen e njerëzve, si atyre që protestojnë, edhe atyre që asistojnë, e një zot e di sa nevojë kemi për një ndërgjegje, sidomos politike.


Vetëm tre muaj para zgjedhjeve, po ndodhin jo një po dy protesta.
E para, është një protestë popullore thotë Basha, është një protestë politike thonë njerëzit. Sidoqoftë, për sa kohë është paqësore, mirë se të vijë.
Nëse do ta shihnim si një pikturë, do të thoshim që ka një kornizë super të shtrenjtë, çadra që të më ndjeni, jam gjirokastrite, po e di që kushtojnë shumë. Gjeneratorë, kafe, ushqime, foni…..pra shumë para. Për të mos folur pastaj për folësit apo folëset që, veshur “sport” si për protestë, duhet të kushtojnë mijra euro mes bizhuve, takave dhe veshjeve.
Tani unë e di që jam jashtë mode që “merrem me vogëlsira”, por po këto ditë, po shihja foto të krijimit të PD me ish dhjetoristët, disa, miq të mi.
Sa pak luks, sa demode’ paska qenë shpresa!
Unë kam një respekt të madh për ata njerëz që janë nën çadër, (piktura brenda kuadrit), shumica prej tyre, me shpresën për të Ringjallur këtë vend, duke ringjallur PD. Po nëse një bimë nuk ka shkulur gjithë degët e rrënjët e veta të kalbura, si mund të ringjallet?
Vijmë tani te protesta tjetër tek e cila kam qenë vetë që në fillimet e saj.
Batanije të varfra, jastëkë shtëpie, një godinë e izoluar në cep të rrugës, ku sigurisht nuk mund të shkohet me taka.
Thua për këtë nuk funksionoi?
Atëherë, këta njerëz-për mua heronj, vendosën të marshojnë drejt Tiranës së takave. Ashtu, të veshur keq, me atlete të grisura, disa, me shapka. Me këmbët gjak, shpesh, në karrike me rrota pas kaq e kaq ditëve pa ngrënë.
Njerëzit në rrugë, i kam parë vetë që ndalonin, i përshëndesnin, shoferët i binin borisë në shenjë solidariteti dhe ngadalsonin, disa gra u sillnin ujë, ushqime. Të gjithë, u përuleshin me respekt. Sepse pavarësisht kornizës së shqyer, pavarësisht se çadrat e tyre janë mjerane në krahasim me çadrat luksoze të takave, pavarësisht se duke ecur të rraskapitur në rrugë, vetëm heronj nuk duken, ata janë Shqiptarët dhe Protestuesit e vërtetë!
Nuk kërkojnë pushtet për takat, kërkojnë shtëpitë që kishin.
Nuk kërkojnë riciklim pushtetesh, kërkojnë ujë të pijshëm pa karbon.
Unë për vete, jam së pari njeri, nënë, dhe si e tillë, nuk mund të jem indiferente. Së dyti, po, jam pjesë e një subjekti politik, Libra, që si kauzë nuk ka një qeveri teknike apo marrje pushteti me ose pa dhunë, por jetën normale të këtyre heronjve me shapka.
Miqtë e mi grevistë, Qani, Elton, Alket e të gjithë ju që i keni shoqëruar në këtë sakrificë pa çmim: më keni mësuar si dhe për çfarë protestohet dhe për këtë, me ose pa shapka mbeteni heronjtë e mi!