Nga Ilir Sinanaj
Përsëri (22 shkurt 2017) kalova tek çadra e tallava-protestës përpara kryeministrisë rreth orës 09:00 dhe sërish ajo ishte pothuajse e zbrazët. Ajo po rimbushej me ritme të ngadalta, për të arritur në një masë të pranueshme njerëzore, për t’i dhënë “besueshmëri” fjalimeve të kryedemokratit Lulzim Basha. Fjalime këto që nuk mund të nisin pa nisur punët punëtorët e mediave, që e marrin turnin kryesor të punës rreth orës 09:00.
Sikur të mos ishte instaluar çadra fizike në afërsi të kryeministrisë, tallava-protesta do të ishte inekzistente. Pra është çadra fizike që po e mban protestën (çadër kjo që është ngritur me “bekimin” e kryeministrit Edi Rama dhe sigurisht me “konsensusin” e plotë të kryeparlamentarit Ilir meta), dhe jo e kundërta.



Ndërkaq, në raportin e Lirisë Ekonomike 2017, të organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Heritage Foundation” dhe “Wall Street Journal”, vihet në pah një fakt tronditës. Për sa i përket Lirisë se Punës, Shqipëria prej më se 12 vitesh renditet e fundit në rajon, si edhe nën vlerësimin e mesatares botërore.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se në Shqipëri janë të bllokuara fuqitë prodhuese dhe krijuese, që çojnë në shkatërrim ekonomik, e për rrjedhojë në mirëqenie në rënie. Pra shqiptarët nuk janë të lirë të ushtrojnë aftësitë e tyre në tregun e punës, jo se nuk janë të aftë, por nuk u mundësohet një gjë e tillë. Por për këtë nuk flet njeri. Për çështje të tilla, me rëndësi ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve, nuk ka hapësirë politike në çadrën e tallava-protestës së koalicionit “rilindje”-PD e Vjetër- LSI. Pra, e thënë ndryshe, qëllimi i çadrës nuk është tjetër, përveçse të tërheqë vëmendjen nga problemet reale ekonomike të Shqipërisë
Për sa i përket Lirisë së Punës, Shqipëri ka marrë vlerësimin 50.7% dhe cilësohet si vend jo i lirë për këtë tregues. Liria e Punës është përllogaritur duke marrë parasysh kuadrin ligjor dhe rregullator të tregut të punës në një vend, duke përfshirë ndër të tjera edhe pagën minimale.






