Nga Ilir Sinanaj 27 Janari është Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Holokaustit. Në këtë ditë përkujtohen viktimat e Holokaustit, të shkaktuar dhe të programuar nga makineria barbare dhe çnjerëzore naziste, ndër të cilët numri më i madh i viktimave ishin hebrej. Gjatë sundimit nazist në Evropë, u masakruan nëpër kampe përqendrimi rreth 6 milionë hebrej, duke shkaktuar kështu një nga gjenocidet më të mëdha të të gjitha kohërave.
Në këtë ditë Përkujtimi të Holokaustit, me shumë krenari përkujtoj se si populli shqiptar, në të kundërt të pjesës më të madhe të vendeve të qytetëruara perëndimore, jo vetëm nuk i dorëzoi hebrejtë, që u strehuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe u siguroi atyre mbrojtjeje deri në vetëmohim. Humanizmi i popullit shqiptar gjatë kësaj periudhe është një dëshmi sesi një vend pak i zhvilluar (për të mos thënë fare, se e tillë ishte Shqipëria e asaj kohe), ngadhënjeu mbi makinën gjakatare të nazizmit, të cilës vendet e fuqishme dhe me teknologji e ekonomi të përparuar iu dorëzuan dhe e lanë të bënte çfarë të donte.
Kjo qëndresë na mëson ne shqiptarëve të mijëvjeçarit të III të erës sonë, që të mos dorëzohemi kurrë përpara së keqes, sado e pamposhtur që ajo të duket. Kur shqiptarët e periudhës se Luftës së Dytë Botërore, gjetën guximin për të luftuar nazizmin, fillimisht me ruajtjen e vlerave të humanizmit (themel për qytetërimet), duke mbrojtur hebrejtë përballë barbarisë së gjenocidit, dhe së dyti duke iu kundërvënë me armë pushtuesit nazist në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Me anë të kësaj përpjekje luftarake, Shqipëria jo vetëm u radhit në koalicionin fitimtar anti-fashist, por edhe u çlirua nga vetë shqiptarët, pa ndërhyrjen e ushtrive aleate.
Kështu edhe në ditë e sotme, pavarësisht problemeve ekonomike, shoqërore dhe politike që ka vendi, të cilat duken të pakalueshme, dhe që janë të ngjashme me pushtuesin nazist, me zhvillimet teknologjike dhe përparimin e dijes, si edhe ndërlidhjes mbarëbotërore, kombi shqiptar është i pajisur më shumë se përpara për të luftuar të këqijat që na kanosen. Prandaj në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës të Holokaustit, shqiptarët kujtojnë se në historinë e tyre, pavarësisht disavantazhe ekonomike, politike dhe shoqërore, ata me dëshirë, punë dhe vullnet ia dolën të mposhtin të keqen dhe të radhiten në anën së mirës dhe njerëzores. NUK DUHET TA HARROJMË HISTORINË, DHE TA KUJTOJMË NË VAZHDIMËSI.
Botuar fillimisht në Balkanweb


