Florian Nallbani
Gjithçka që arrijmë të shikojmë sot është vetëm një fasadë mediatike e këtij pushteti të korruptuar që në ngjizje të tij. Erdhi në pushtet duke garantuar qytetarët e këtij vendi me premtime të shumta, por aq të mëdha ishin këto premtime saqë fitorja ishte “publiçitare” (thënë nga një rilindas). Po përsëri aq të mëdha ishin premtimet saqë votuesit u hipnotizuan, por këto premtime përgjatë ketyre 3 viteve të qeverisë së rilindjes ishin vetëm së jashtmi, ku pseudomediat e “pavarura” madje dhe “private” u blenë nga pushteti me taksat e qytetarëve të ndershëm pikërisht për të bërë këtë fasadë. Aq e madhe është kjo propagandë saqë kur dëgjon lajmet në median televizive thua se jeton në parajsë, por me realitetin cfarë ndodh?!
Madje shumë herë këto kronika mbi paaftësinë e qeverisë për të drejtuar këtë vend shkojnë paralelisht me pseudokronikat që realizoheshin mbi punën e denjë, të saktë dhe të pagabueshme që sjell zhvillimi i diktaturës komuniste.
Nëse ndokush ankohet madje dhe në faqen e Facebook-ut të Kryeministrit gjithmonë e ka një përgjigje ku populli gjithmonë gënjen dhe se ato që populli thotë nuk janë aspak të vërteta, ndërkohë që ai është realiteti.
Nuk di asnjë vend të botës ku qytetarët jetojnë shumë mirë, ku numri i papunësisë është shumë i ulët, të gjithë njerëzit kanë një ekonomi të mjaftueshme për të përballuar me sukses kostot mujore dhe të hidhet kundër qeverisë …. Nuk kam parë dhe as nuk kam degjuar.
Për këto tre vite qeverisje që erdhët në pushtet me premtimin se nuk do të këtë me korrupsion, ju u bëtë aleatë bashkë me atë që akuzuat për korrupsion, madje në nivel korrupsioni ia keni kaluar dhe atij që realisht keni akuzuar më shumë për korrupsion.
Sot pas tre vitesh qeverisjeje njerëzit janë akoma dhe më të varfër sepse nëse bën një bilanc kostot mujore janë akoma më të mëdha se sa paga që njerëzit marrin.
Sot pas tre vjetësh qeverisje Partia Socialiste po ndjek politikat e djathta ndërkohë që është një qeveri e majtë.
Por fatkeqësisht në këtë krizë ekonomike dhe në këtë varfëri të tejskajshme do të duhej realisht një politikë e mirëfilltë e majtë, një politikë sociale si për të varfërit, shtresën e mesme ashtu dhe për shtresën e pasur të shoqerisë.
Shqipëria shkatërrohet dita-ditës, qeveria me anëtarët e saj pasurohet.


