Blog

Nga Andreas Dushi

Sot kanë mbetur fare pak skulptura të punuara nga dalta e Kolë Idromenos, e cila goditej nga çekani i përfytyrimeve që ai kishte për figura të ndryshme.

Kryesisht punimet që ai ka bërë, njëlloj si i ati Arsen Idromeno, ia ka dhuruar Kishës, së cilës iu morën përdhunshëm nga furia e rrjedhjes së pafund mendore që komunizmi solli mbi mbështetësit e vet. Disa prej tyre u dërguan në Muzeun Atesit, i vetmi i këtij lloji në botë. Disa të tjerë u dërguan në vende që akoma edhe sot mbesin mister, ndërsa dy prej tyre nuk u luajtën. Bëhet fjalë për një reliev të një kllouni, me flokë kaçurela dhe me buzën që shtrinë buzëqeshjen e vet skajshëm, i cili qëndron mbi portën e rrënuar të “Kafes së Madhe”, si dhe për një engjëll i cili është vendosur mbi varrin e familjes Idromeno. 

 

Skulptura e engjëllit së bashku me “Shën Mhillin” i cili ndodhet në Katedralen e Shkodres përbëjnë dy prej skultpurave më të mëdha të punuara nga artisti që lëvroi çdo formë të artit pamor. Sot skulptura e Shën Mhillit, ku shfaqet Shenjti me një shpatë në dorë, gati për t’ia ngulur shejtanit, është në gjendje të kënaqshme, duke ditur se nga çfarë ka arritur të shpëtojë. Ndërsa skulptura e engjëllit është si mos më keq. Engjëlli qëndron i mbuluar me një petk të gjatë boje plastike të bardhë e cila shtrihet deri mbi varr. Petku i ka mbuluar çdo detaj prej engjëlli. I ka mbuluar hapësirat mes gishtave të duarve dhe të këmbëve. I ka mbuluar hapësirat mes pendëve të krahëve. I ka mbuluar hapësirën mes qepallës dhe syrit. Madje i ka mbuluar edhe syrin, i cili duket sikur është një me fytyrën. I ka mbuluar edhe palat e petkut të vet ëngjëllor. I ka mbuluar edhe flokët. I ka mbuluar gjithçka, duke e kthyer në asgjë. Dora e mbështetur mbi parmakun e varrit tani duket sikur nuk është ashtu për të bekuar këtë të fundit, por për t’i mundësuar engjëllit qëndrimin në këmbë. Dhe a e dini se nga vjen ky petk plastik? Vjen nga një proces “restaurimi”, i cili në fakt rezultoi një proces përçudnimi për atë monument me vlera të rralla.

 

Por e gjitha kjo nga vjen? Vjen nga mungesa e dijes. Duke mos dashur që të kemi sërish raste të tillë, kur restaurimi nxitet nga padija, LIBRA njërin ndër tre parimet mbi të cilat ngrihet ka Dijen. Prandaj të gjithë ato që duan dije në të tilla punime, duhet të jenë LIBRA. Më shumë LIBRA, më shumë dije. Më shumë dije, më pak përçudnim. Më pak përçudnim, më shumë nderim për figurat e larta të kombit tonë.