Blog

Njerëzit (Homo Sapiens Sapiens) 50.000 vjet më parë ishin mjeshtra të mbijetesës. Në mendje memorizonin territorin e tyre deri në detajin më të vogël. Shqisat i kishin të akorduara në mënyrë perfekte.

Kishin një informacion shumë të gjerë rreth karakteristikave të kafshëve dhe bimëve. Mund të krijonin vegla që sot kërkojnë vite praktikë per t’u përvetësuar. Fizikisht i përngjanin atletëve të sotëm si pasojë e rutinës së tyre ditore. Mbijetesa në atë kohë kërkonte aq shumë zotësi dhe shkathtësi sa dhe truri i tyre ishte më i madh edhe se truri i njeriut të sotëm. Individualisht njeriu i para 50.000 vjetëve ishte më superior në shumicën e cilësive njerëzore.

Por pse shoqëria e sotme është në çdo aspekt më e zhvilluar se ajo e 50.000 viteve më parë? Edhe duke mos marrë parasysh trashëgiminë e lënë në kohë brez pas brezi, njerëzit e sotëm mund të ndërtojnë një qiellgërvishtës kurse në atë kohë limitoheshin tek një gardh prej druri.

Historia na jep një përgjigje për këtë: bashkëpunimi !

Duke ndarë detyrat dhe duke bashkëpunuar jo vetëm brenda klanit të tyre, njerëzit panë një zhvillim dhe një jetesë shumë herë më të mirë për të gjithë bashkëpunuesit. Ndërkohë që një grup merrej me sigurimin e ushqimit, një tjetër fokusohej tek strehimi dhe një tjetër tek mbrojtja nga grabitqarët. Vetëm duke bashkëpunuar filloi përsosja e këtyre shtyllave të mbijetesës. Historia na tregon se bashkëpunimi është çelësi i një zhvillimi të gjithëanshëm dhe një jetese më të mirë.

Nuk është asnjëherë vonë të zgjedhim rrugën e zhvillimit. Edhe në qoftë se e imagjinojmë veten tonë si pjesë e një fisi prehistorik, edhe atëherë e kemi mundësinë të dalim nga menyra egocentrike e jetesës dhe të zgjedhim të jetojmë bashkë.

E bëra këtë hyrje për të ardhur te thelbi.

Pra te LIBRA.

Libra nuk është specifikisht grup politik. Libra jemi ne. Libra është çelësi, bashkëpunimi jonë që do të vazhdojë rrugën e progresit. Nuk është koha të bëhet fushatë vetëm duke përmendur dështimet e palës tjetër. Nuk kemi pse zgjedhim gjithmonë "të keqen më të mirë". Ne mund të bashkohemi të gjithë. E gjithë Shqipëria për një jetesë më të mirë për secilin nga ne.

Nuk kemi pse shtyjmë apo pengojmë progresin që po bën një palë vetëm e vetëm që " të quhet sikur e bëmë ne, kur të vijmë në pushtet". Është koha të jemi bashkë për një qëllim të vetëm , për të ndihmuar njëri-tjetrin duke zgjedhur diçka që na përfaqëson, pra qëllimi kryesor të jetë fitorja e Shqipërisë, jo e partisë.

Nuk është shumë e vështirë.Ndonjëherë e kemi para syve zgjidhjen që duam.