Blog

Nuk do ta besoja në asnjë çast se e vetmja mundësi për të jetuar do të ishte largimi nga Shqipëria.

Shpesh të afërmit më kërkonin t’ju bashkohesha duke më thënë se “Shqipëria nuk do të bëhet kurrë”, dhe si përgjigje përballeshin me kokfortësinë time.

Sot munësinë e qëndrimit në vendin tim e shoh shumë të vështirë. Çmime që rriten çdo ditë. Taksa të reja në kurriz të popullit, lehtësira ndaj bizneseve që gllabërojnë pasurinë tonë kombëtare. Shërbim shëndetësor pa humanizëm. Taksa të çuditëshme “Shpiken” përditë ku edhe makina cilësohet mjet luksi, megjithëse mbështetur në varfërinë që ka kapluar vendin sot, makina në fak e tillë duket.

Në një vend me 14.3% të popullsisë në varfëri, nuk mund të ishte prioritet fillestar i qeverisë rritja e çmimit të energjisë, e më pas lënien në errësirë të shumë shqiptarëve. Nuk mund të jetë rritja e çmimit të gazit duke e lënë popullin jo vetëm pa drita por edhe pa ngrohje. Nuk mund të jetë lënia e spitaleve pa ilaçe ku mjekët i trajtojnë pacientët si lodra formuese. Nuk mund të jetë nxerrja nga asistenca e familjeve të lëna në errësirë, nën arsyetimin e një televizori të gjetur diku në një cep të shtëpisë. Nuk mund të jetë lënia e njerëzve në qiell të hapur sepse interesat klienteliste apo rruga imagjinare, do të kalojë nga shtëpitë e tyre. Nuk mundet të jetë abuzimi në rritje përditë e pa ndërprerje. E për më tepër nuk mund të jetë prioritet arroganca ndaj popullit sa herë ai kërkon zgjidhje të problemeve që e kanë mbytur.

Të gjitha sa më sipër i thotë çdokush kur takon një mik apo diskuton në familje. Por? Ngushëllimi i vetem është “Të gjithë njësoj janë”, e kështu vota shkon tek ai që paguan më shumë. Ne blejmë varfërinë tonë pasi nuk kemi kujt t’i besojmë. Perspektiva është e zymtë dhe vetëm një mrekulli e ardhur nga ndërgjegjësimi i vetë shqiptarëve për të ardhmen e atdheut të tyre, do ta ndriçonte këtë perspektivë.

“A do të bëhet Shqipëria?”, kjo është një pyetje që shqiptarët ia kanë bërë vetvetes për shekuj me radhë. Për turpin tonë, kjo pyetje sot vjen më realiste se kurrë. Diku në portale lexova një shkrim tepër interesant, i cili mbarte në brendësi realitetin tonë, dhe me një titull realist i jepte përgjigje pyetjes sonë, “Shqipëria do të bëhet kur ne të bëhemi shqipëtar.”

E pra, kjo e vërtetë, në gjithë historinë tonë ka nxjerrë, në momente kyçe për vendin, atdhetarë apo më saktë shqiptarë, të cilët kanë marrë vendin “përdore” për t’a larguar nga mjerimi dhe për t’a vendosur në shinat e duhura.

Sot unë ndodhem në një udhëkryq vendimesh, nëse duhet të largohem si shumë shqiptarë apo të qëndroj për t’i shërbyer vendit tim, me ato pak mundësi e shumë dëshirë që kam.

Ky është udhëkryqi që po mundon shumë shqiptarë të cilët kanë vetëm një shpresë të fundit, të përkrahin ndryshimin që ofron LIBRA.

Në të kundërt pyetja mbi të ardhmen e Shqipërisë do të vijojë të mbetet në mendjen e popullit shqiptar pa marrë kurrë përgjigje.

-Gjergj Prifti