Ekonomi

Sistemi i ndërtimit e ndjeu që gjatë fushatës për zgjedhjet lokale që kryetari i ri i Bashkisë do të kishte një qëndrim shumë armiqësor ndaj tij.

Nuk mund të harrohen deklaratat e tij : -me sistemin e ndërtimit nuk pranoj të ulem në bisedë , deklaratë që pasoi me refuzimin që ju bë tryezës së shoqatës së ndërtuesve.
 

Pas vitit 2010 ndërtimi u tkurr për shkak edhe të politikave diskriminuese që ndoqën dy grupimet politike duke favorizuar vetëm militantët e vet dhe duke lënë “ pa bukë” gjithë të tjeret.

 

Opinioni armiqësor i krijuar dhe i ushqyer nga shtypi dhe politika, patjetër që ka edhe vërtetësi brenda. Nuk kanë qenë të pakta rastet e abuzimeve nga ndërtues të ndryshëm për shkelje kontratash, cilësie ndërtimore,mashtrime,falimentime.. Pra, nuk përjashtohet mundësia dhe realiteti që në biznesin e ndërtimit  të ketë administrator dhe pronarë të të gjitha kategorive… dmth edhe nga ata që kanë trashëgimi kriminale..

 

Por, përderisa njerëz të tillë kanë depërtuar në politikë, ku duhet të kishte shumë filtra, pse të paragjykojmë biznesin, ku portat për të marre licenca ndërtimi kanë qenë të hapura dhe më të “shqyera “  kanë qenë portat për të marrë tendera dhe leje ndërtimi me pagesë..!!

Por në këtë biznes ka edhe shumë njerëz të ndershëm dhe korrektë, që e filluan biznesin në ato vite të hershme të demokracisë, duke rrezikuar edhe jetën në periudhat e trazuara që vendi kaloi dhe që  kanë krijuar jo pak objekte cilësore të krahasueshme me nivelet më të mira bashkëkohore.

 

Të përshkruash gjithë vuajtjet që ky biznes heq sot është detyrë e vështirë!

 

Por le ta lemë të kaluarën subjekt të shkrimeve të tjera,le të ndalojmë tek aktualiteti..

Ndërtuesat po trajtohen si hajdutët më të mëdhenj të këtij vendi..

Ata duhet të paguajnë për ndërtimin e çerdheve,kopshteve ….rrugëve, duhet të paguajnë bakshishe të majme në qoftë se duan të punojnë!  

 

Dhe shpikja më e madhe e kryetarit në detyrë është se duke filluar nga fillimi i muajit Nëntor, kur Gjykata Kushtetuese miratoi përfundimisht taksen 8% të infrastrukturës, ndërtuesit do të kryejnë për çdo 1m2 ndërtim një pagesë suplementare prej 80 -120 euro/m2 , brenda një afati 5 ditor që nga akordimi i lejes së ndërtimit!!!

 

Kjo pagesë bazohet në çmimin e shitjes, të përcaktuar nga qeveria, që për Tiranën, brenda unazës është mesatarisht 1000- 1500 euro/m2, çmim shpesh herë i paarritshëm në realitet.

Por fakti qe ky çmim nuk arrihet dot nuk i intereson askujt..

 

Domethënë nuk ka rëndësi që pronarët kompensohen 40-50 % në këto zona, nuk ka rëndësi që paguhen sigurimet shoqërore për të punësuarit, paguhet TVSH 20%, tatimfitim 15%, tani duhen zbrazur xhepat tërësisht dhe të paguhet fitimi që do të vilet pas 2-3 vjetësh (në qoftë se do të arrihet të vilet ) i gjithi dhe menjëherë në arkën e Bashkisë..!

 

Dhe kjo Bashki as që ka pranuar të diskutojë propozimin  “nën zë” të shoqatës inekzistente të ndërtuesve për t’a ndarë këtë pagesë në këste…

 

Për më tepër ky ligj  “antibiznes” u miratua në Gjykatën e Apelit dhe në atë Kushtetuese.

Për cilën arsye mund të sakrifikojë kaq shumë një ndërtues? Nëse në kapitalizëm ka një motiv, që është fitimi dhe shtimi i kapitalit, ky motiv është eleminuar që në momentin që njeriu duhet të paguajë gjithë fitimin për dikë tjetër..!  Vetëm një ndërtues që është  lidhur me afera dhe pasuri të pamerituar, qe ka parë nga kanabisi ose nga trafiqet mund të përballojë të tilla “gjoba” ligjore!!!

 

Gjithë ndërtuesit e tjerë do të zhduken nga tregu,duke lënë të mbijetojnë vetëm ata që marrin prokurimet e drejtpërdrejta, kanabistët,kontrabandistët…

 

Të tjerët do të vdesin nga sëmundja me emrin “taksë diskriminuese”.

 

Në vendet e rajonit  taksa e vetme që paguhet është rreth 50 euro/m2 ! Dhe kjo taksë paguhet me këste.

 

Ndërsa në Kosovë kjo taksë është 20 euro/m2 për pjesën e mbitokës dhe 6 euro/m2 për nëntokën!!! Ndërkohë që tatim-fitimi është 10% dhe tvsh është 15% …Në një shtet që është shumë afër nesh nga niveli i renditjes në shkallën e varfërisë dhe që është ngjitur me ne gjeografikisht dhe shpirtërisht.

 

Sepse qeveritë në vendet e tjera nuk udhëhiqen nga pashallarë dhe shërbëtorët e pashallarëve, por udhëhiqen nga njerez normalë, që e duan vendin dhe që e shikojnë biznesin si burim punëdhënie dhe jo si burim pasurimi për pushtetin.