FJALIMI/ Ja pse populli shqiptar do të votojë LIBRA
Mimoza Hafizi
Jemi mbledhur bashkërisht për të rikujtuar se çfarë bëmë në 6 muaj dhe të vendosim që të ecim përpara me guxim dhe me vendosmërinë tonë që të jemi forca fituese e këtyre zgjedhjeve. Në fakt pati edhe një gjë shumë të rëndësishme që kemi bërë këto 6 muaj. Jemi munduar që në Parlamentin e Shqipërisë, me dy deputetët, të çojmë zërin tuaj, figurën e LIBRA-s, ashtu siç e vendosëm bashkërisht. Siç e vendosëm dhe e ngritëm 6 muaj më parë, me parimet tona dhe me normat tona.
Jemi përpjekur që në Parlamentin e Shqipërisë të tregojmë, se si një politikan mund të jetë i ndershëm, i përkushtuar, me moral, me integritet, një njeri që punon për popullin e vet, për interesat e vendit të vet. Dhe vetëm kështu mund të jetë një politikan, përndryshe Shqipëria do të mbytet nën këtë klan të korruptuar, i cili po pengon progresin e vendit dhe nuk i jep asnjë perspektivë. Pra, ne do të jemi bashkë për të dhënë një model të ri politikani: politikanin e interesave të Shqipërisë.
Unë besoj shumë që në Parlamentin që vjen do të ketë shumë më tepër LIBRA sesa jemi sot. Do të jemi shumë më tepër sepse populli beson! Populli beson tek ne, beson tek morali, tek integriteti, tek ndershmëria, tek përkushtimi dhe do të na e japë votën. Do të na e japë votën dhe ne do ta bindim që të na e japë votën.
Kam edhe një mesazh tjetër. Unë vij nga universiteti dhe për vite e dekada i kam mësuar shkencën rinisë së talentuar. Dhe e njoh shumë mirë forcën që ka shkolla dhe forcën që ka rinia. Prandaj dua shumë që LIBRA të jetë një shkollë politike e rinisë së LIBRA-s. Unë dua që çdo i ri që ka ardhur tek LIBRA me frymëzim dhe me besim, për karrierë politike, të rinj që kanë ardhur edhe nga gjimnazi, edhe nga universiteti edhe profesionistë të lirë, të cilët u frymëzuan nga parimet tona, të gjejnë tek LIBRA mundësinë për përkushtimin e tyre, për talentin e tyre, për përpjekjen e tyre dhe LIBRA të jetë shkollë që ata të jenë politikanët e mirë, politikanët e ndershëm,të përkushtuar me moral, politikanë që i shërbejnë interesave të vendit. Kjo është gjëja që unë dëshiroj më shumë. Dhe dua shumë që kjo fushatë, fushata që na pret, të jetë fushata e rinisë LIBRA. Dhe unë besoj që kjo do të jetë fushata e rinisë së LIBRA-s. Dhe shumë shpejt, shumë shpejt, politika shqiptare do të jetë e rinisë së LIBRA-s! Ju uroj suksese të gjithëve. Forca LIBRA! Forca rinia!
Përgatiti: Ilir Sinanaj
Marrë nga fjalimi i mbajtur gjatë fjalimit të mbajtur tek Akademia e Arteve të Bukura, në Tiranë, gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet LIBRA


