Editoriale

Replikë me dyshuesit/ Minimumi jetik i propozuar nga LIBRA është i realizueshëm. Ja përfitimet për të gjithë

Ilir Sinanaj

LIBRA ka propozuar që të gjitha ata që jetojnë në pragun e varfërisë ose nën këtë prag, të marrin një asistencë prej 125 eurosh në muaj, pra sasia minimale e parave për të mbijetuar, që i referohemi me përcaktimin “minimum jetik”. Që kjo të realizohet, nevojitet që minimumi jetik të jetë pjesë e ligjit, një betejë kjo që LIBRA e zhvilluar gjithmonë e më shumë sukses si në Parlament ashtu edhe jashtë tij.

Por sa do t’i kushtonte buxhetit të shtetit nëse 400 mijë shqiptarë që jetojnë me më pak se 40 lekë të vjetra në ditë, do t’u jepej një asistencë prej 125 eurosh në muaj për një vit? Përgjigja është 600 milionë euro!

Nëse ju duket shumë që një fond prej 600 milionë eurosh të vihet në dispozicion te njerëzve në nevojë, duhet të kujtojmë se sipas Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë 2016 dëmi në buxhetin e shtetit në vitin 2015 kapte shifrën e rreth 940 milionë eurove. Pra me kaq fonde publike është abuzuar në vitin 2015, duke mos u përdorur për interesin e qytetarëve.

940 milionë euro në vitin 2015 u janë grabitur qytetarëve të Shqipërisë dhe nuk janë investuar në sektorë si arsimi, infrastruktura shëndetësia etj. Në fakt pavarësisht heshtjes mediatike në lidhje me këtë abuzim, është shumë e çuditshme heshtja e sipërmarrësve të mëdhenj në Shqipëri. Këto 940 milionë euro mund të ishin investuar për të përmirësuar infrastrukturën e të bërit biznes në Shqipëri.

Ndërkaq nëse 600 milionë euro do të ishin investuar për nxjerrjen nga varfëria e 400 mijë shqiptarëve, atëherë këta 400 mijë shqiptarë do të ishin të ushqyer mjaftueshëm për të punuar që të përmbushnin aspirata dhe dëshirat e tyre, duke sjellë vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare. Pra duke përcaktuar minimumin jetik, LIBRA kërkon të ndërmarrë një investim afatgjatë në atë që është më e çmuar për ekonominë e prodhimit: NJERIU!