Deklarata dhe Njoftime

KQZ: Lista e Barabartë e vetmja parti kryesore me financat në përputhje me ligjin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas shqyrtimit të dokumenteve ligjore në lidhje me pasqyrimin e financave të partive politike, ka vendosur (më 12 dhjetor 2017) të gjobisë disa parti politike. Ajo që vihet re nga vendimi i KQZ-së është se në listën e partive politike të gjobitura për parregullsi ligjore në financat e tyre janë 4 nga 5 partitë e para në Shqipëri, të cilat morën numrin më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017. E vetmja nga partitë kryesore që nuk u gjobit ishte Lista e Barabartë (LIBRA). Ky është një tregues i qartë i zotimit të LIBRA-s për të pasur transparencë të plotë, në përputhje me ligjin, për sa i përket financimeve të saj. Në filozofinë e LIBRA-s, transparenca është një nga kolonat kryesore të funksionimit të saj. Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, ka theksuar publikisht nevojën për transparencë në financimin e partive politike shqiptare. Vendimi i KQZ-së konfirmon më tej se LIBRA është një shembull për t’u ndjekur nga të gjitha forcat politike për sa i përket rregullsisë në përputhje me ligjin për financimet e saj Në raportin e KQZ thuhet se Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Partia Sfida për Shqipërinë (SFIDA) duke qenë se nuk ka depozituar raportin financiar për fushatën zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin 2017, kanë refuzuar për të bërë transparent burimet e financimit. Për këtë arsye, KQZ i ka gjobitur këto forca politike me 2 milionë lekë gjobë. Gjithashtu KQZ bën të ditur se shqyrtimi i raporteve të auditimit, raporteve të monitorimit, dhe raportit financiar të Partisë Demokratike (PD), Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Partisë Socialiste (PS), Partisë Socialdemokrate (PSD), Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë (ADK) ka mospërputhje të dhënash në lidhje me shpenzimet e kryera nga këto parti. Për këtë arsye, KQZ i ka gjobitur këto forca politike me 1 milionë lekë gjobë.