Grabitja qindra miliona euro e Edi Ramës dhe Ilir Metës e faktuar nga BE, që ka ndikuar në varfërimin ekstrem të shqiptarëve
Analiza e deputetes Mimoza Hafizi për minimumin jetik
Ilir Sinanaj
Deputetja e LIBRA-s Mimoza Hafizi, gjatë fjalës së mbajtur në seancë plenare (09 mars 2017) ka bërë një analizë të minimumit jetik, si edhe të rëndësisë të futjes në legjislacion të minimumit jetik (nismë e LIBRA-s). Deputetja Hafizi foli edhe për lëvizjet penguese që qeveria ka ndërmarrë nëpërmjet ministrit të Financave për të mos lejuar zbatimin e minimumit jetik. Më tej deputetja e LIBRA-s shpjegon edhe ndikimin, që njohja në legjislacion të minimumit jetik, do të kenë në forcat ekonomike prodhues dhe krijuese të Shqipërisë. Ajo ka argumentuar edhe mënyrën sesi do të financohet minimumi jetik.
Nuk duhet harruar, se sipas Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeparlametari Ilir Meta në vitin 2015 kanë grabitur në bashkëpunim qeveritar rreth 940 milionë euro nga familjet shqiptare dhe buka e gojës e fëmijëve të qindra mijëra shqiptarëve.
Analiza e plotë e deputetes LIBRA Mimoza Hafizi:
Ka tre muaj që në procedurat parlamentare ka ngecur nisma jonë ligjore për respektimin dhe njohjen e minimumit jetik. Siç e dini minimumi jetik janë të ardhurat që duhet të ketë çdo njeri, për të siguruar kushte minimale jetese: pra për t’u ushqyer, për t’u ngrohur, për t’u strehuar, për t’u arsimuar, për transport dhe kujdes shëndetësor. Njerëzit që sigurojnë më pak të ardhura sesa minimumi jetik konsiderohen të varfër. Nisma u diskutua para disa javësh në Komisionin e Çështjeve Sociale, ku ne patëm një seancë shteruese argumentesh dhe debati, ne dy deputetët nismëtarë, bashkë më z. Blushi, dhe në këtë seancë deputetët e “rilindjes” të vetmen kundërshti të tyre e shprehën me anën e pyetjes: Pse kaq vonë kjo nismë? Dhe kush është anëtar i Komisionit të Çështjeve Sociale mund të dëshmojë se argumenti i vetëm i deputetëve të “rilindjes” ishte pse ne e kemi sjellë kaq vonë këtë nisëm. Pra na kërkuan llogari ne, dy deputetëve të opozitës, për faktin që minimumi jetik në fakt, respektimi dhe njohja e tij, të cilët nuk janë ende në legjislacionin shqiptar, janë tepër vonë për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Por lind pyetja: Nëse jemi vonë edhe sa do të vazhdojmë të vonohemi? Sepse varfëria nuk pret! Sot ka të paktën 400 mijë shqiptarë që jetojnë me më pak se 400 lekë të vjetra në ditë. Dhe 400 lekë të vjetra në ditë nuk mund të konsiderohen minimum jetik. Askush nuk jeton dot njerëzisht me 400 lekë të vjetra në ditë. Dhe çfarë ekuilibri social mund të pretendojmë ne të kemi nëqoftëse disa qindra mijëra nga bashkëqytetarët tanë jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë, pra në kushtet e një varfërie ekstreme?
Sot 30% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 2000 lekë të vjetra në ditë. As ky nuk është minimum jetik sigurisht. Është shumë më pak. Sepse 2000 lekë të vjetra nuk mjaftojnë për t’u ushqyer me kaloritë minimale, aq më pak po t’i shtosh edhe strehimin edhe nevoja të tjera jetike. Pra kjo varfëri nuk pret! Nuk pret zvarritje procedurash siç po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe sidomos nuk e duron mungesën e vullnetit politik. Pse them mungesë e vullnetit politik? Sepse këto ditë ka ardhur një përgjigje ne Parlament, në vijim të procedurave nga qeveria dhe pikërisht nga ministri i Financave, i cili është shprehur, ka dhënë një opinion lidhur me projektligjin e minimumit jetik. Ministri kundërshton duke kërkuar një analizë të impaktit financiar dhe buxhetor. Dhe dihet që analiza e impaktit financiar dhe buxhetor kryhet nga ekspertët me një analizë në kompjuter me “EXCEL”. A është minimumi jetik një analizë në “EXCEL”? A është ai një numër i thjeshtë, sido që të jetë, me pak shifra apo me shumë shifra? Jo sigurisht. Minimumi jetik nuk është një shifër në tabelat në financat e shtetit. Ai është një parim. Minimumi jetik është një parim. Minimumi jetik është një kod njerëzor. Minimumi jetik duhet të jetë një standard për shoqërinë shqiptare. Duhet analizë thotë ministri i Financave. Por ky është pretekst sigurisht, sepse analiza gjithmonë pason parimin dhe nuk ndodh asnjëherë që parimi të pasojë analizën. Megjithatë po ju them se minimumi jetik është analiza më e mirë për nxjerrjen e vendit nga varfëria. Mënyra më e mirë për të sjellë në realitetin e punës dhe të vlerave ata qindra mijëra njerëz që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme: që ndodhen në mjerim. Pa mbështetjen solidare të shtetit dhe shoqërisë, askush prej tyre nuk do të jetë në gjendje të dalë vetëm, pa ndihmën e dikujt tjetër, për të kukuar një jetë tjetër më të mirë. Vështirë që ai të dalë vetëm, duhet ndihma e shtetit, duhet ndihma e shoqërisë. Prandaj ne kërkojmë vendosjen e standardit të minimumit jetik.
Shqipëria është i vetmi, e kemi thënë disa herë, i vetmi ndër vendet e Evropës Lindore dhe vendeve rajonale, që nuk e ka treguesin zyrtar të minimumit jetik. Maqedonia e ka deklaruar 98 euro në muaj; Mali i Zi 186 euro në muaj; Serbia 120 euro në muaj. Të gjitha janë vende fqinje me ne. Pa llogaritur Francën dhe Italinë, ku minimumi jetik shkon rreth 1000 euro në muaj. Po ne pse nuk e njohim? Për arsye të një analize financiare? Një analize në “EXCEL”? Sepse kështu pretendon ministri i Financave? Gjithashtu në oponencën e vet Ministria e Financave gjykon se miratimi i ligjit shoqërohet me një shtesë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit. Pra në mentalitetin e shtetit tonë, minimumi jetik është një shtojcë në buxhet. Atëherë cila është baza e një buxheti, nëqoftëse respektimi i një kodi njerëzor, respektimi i dinjitetit njerëzor, qenka një shtojcë? Kush është baza? Investimet ne beton? Në “Velierën” e Durrësit 6 milionë euro? Koncensionet qindra milionë euro? Në qendra qytetesh që qepen dhe shqepen çdo dy tre vjet duke shpenzuar fondet publike? Me dekoret e palmave që mbillen dhe shkulen çdo 6 muaj? Këto janë baza e buxhetit të shtetit? Kurse dinjiteti i qindra mijëra njerëzve qenka shtojca e buxhetit? Ky është pra mentaliteti i një qeverie që i përbuz të varfrit. Ne nuk e pranojmë këtë logjikë qeverisëse. Ne kërkojmë që minimumi jetik t’i nënshtrohet një debati publik këtu në Parlamentin e Shqipërisë! Ne kërkojmë që asnjë shqiptar të mos jetojë nën minimumin jetik. Ky akt do të nxjerrë nga varfëria ekstreme qindra mijëra njerëz, gradualisht, por me vendosmërinë e shteti që mendon për secilin nga qytetarët e vet. Ku do të gjenden paratë? Sa janë ato? Si do të shpërndahen? Ç’përqindje zënë në buxhetin e shtetit? Për sa kohë mund ta realizojmë? Të gjitha këto janë pastaj analiza ekspertësh. Por përpara se ta llogarisim dhe përpare se t’i japim përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, ne duhet të pranojmë bashkërisht këtë tregues që është minimumi jetik.
Pra pikërisht këtë kemi kërkuar në projektligjin tonë dhe asgjë tjetër më shumë. Ne do të kërkojmë që fondet e abuzuara në dogana, tatime, koncesione, betone, shpërdorime të kthehen mbrapsht. Ato duhet të shkojnë për të nxjerrë njerëzit nga varfëria ekstreme. Sepse vetëm kështu mund të integrohen këta njerëz në tregun e punës dhe të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit. Vetëm kështu mund ta shohin jetën me kurajë dhe të bëhen pjesë e realitetit dhe progresit. Nuk ka politikë më të mirë kundër papunësisë sesa respektimi i minimumit jetik. Ne nuk e pranojmë logjikën e kësaj qeverie dhe as të ministrit të saj të Financave. Ne nuk e pranojmë logjikën e një shteti që punon vetëm për të fortin. Ne nuk e pranojmë sjelljen e një shteti që përbuz të dobëtin. Kjo sjellje e ka çuar vendin tonë në polarizim ekstrem dhe në zgripin social. Prandaj ne kërkojmë: Silleni ligjin e minimumit jetik në sallën e Parlamentit.


