Deklarata dhe Njoftime

Organizimi, drejtimi i procesit të votimit dhe shpallja e rezultatit të votimeve për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë dhe të Bërthamës në zgjedhjet e brendshme  të datës 11 Shkurt 2017 është objekt i veprimtarisë së Komisionit të Garancive. Zgjedhjet organizohen në respektim të parashikimeve Statutore dhe sipas kësaj Rregulloreje.

Lista e votuesve përpilohet deri më 4 Shkurt 2017. Ajo përbëhet nga e gjithë anëtarësia LIBRA e regjistruar online ose me formularë. Procesi i hartimit të listës së votuesve organizohet nga Departamenti i Burimeve Njerëzore në bashkëpunim me bërthamat e bashkive.

Komisioni i Garancive mban dhe administron listën e votuesve, pas datës 4 shkurt. Në rast se lista ka mangësi apo ka nevojë për plotësime, Komisioni i Garancive, sipas çdo kërkese apo njoftimi mund të vihet në lëvizje për të plotësuar, ndryshuar apo korrigjuar listën e votuesve, jo më vonë se tre ditë para datës së zgjedhjeve. 

Komisioni i Garancive administron kandidaturat për Bërthamë dhe për Kryetar LIBRA. Këto kandidatura depozitohen nga kandidatët tek Komisioni i Garancive, nga data 1 deri më datë 8 Shkurt, shoqëruar me CV, një foto dhe me formularin e vetëdeklarimit të hartuar nga Komisioni i Etikës. Kandidaturat shpallen në faqen libra.al, bashkë me CV e tyre.

Komisioni i Etikës ka të drejtë të verifikojë vërtetësinë e çdo vetëdeklarimi dhe të kërkojë të dhëna shtesë nga kandidati. Komisioni i Etikës vihet në lëvizje për çdo ankesë, të hapur ose të fshehtë, për kandidatura të cilat mund të shkelin normat e Kodit të Etikës LIBRA.

Votimi për zgjedhjet e brendshme do të jetë elektronik ose me fletë votimi. Administratori, Departamenti i Burimeve Njerëzore dhe Departamenti i IT përcaktojnë dhe administrojnë procedurat në secilin rast.

Fleta/faqja e votimit për Bërthamë do të përmbajë emrat e kandidatëve për Bërthamë. Anash çdo emri ka një kuti. Kandidati përzgjidhet përmes shenjës x, ose +. Fleta/faqja e votimit konsiderohet e pavlefshme, kur numri i kandidatëve të përzgjedhur është më i madh se 30.

Fleta/faqja e votimit për Kryetar do të përmbajë emrat e kandidatëve për Kryetar. Anash çdo emri ka një kuti. Kandidati përzgjidhet përmes shenjës x, ose +. Fleta/faqja e votimit konsiderohet e pavlefshme kur përzgjidhet më shumë se një kandidat.

Fshehtësia e votimit elektronik garantohet përmes administrimit të sistemit informatik nga Komisioni i Garancive dhe me programe të posaçme të cilët garantojnë votën, përcaktimin e lirë të votës dhe fshehtësinë si dhe pagjurmueshmërinë e saj.

Pas përfundimit të votimit, Komisioni i Garancive numëron votat e kandidatëve për Bërthamë dhe rendit kandidatët sipas numrit të votave që kanë marrë, nga numri më i madh tek numri më i vogël. 

Komisioni i Garancive shpall 15 fituesit burra dhe 15 fitueset gra, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave. Në rast se dy kandidatët e fundit kanë të njejtin numër votash, Bërthama e re e do të votojë njërin mes tyre. Në rast barazie votash, fituesi përcaktohet me short.

Komisioni i Garancive përcakton gjithashtu numrin e përgjithshëm të votuesve, numrin e votave të vlefshme dhe numrin e votave të pavlefshme.

Komisioni i Garancive numëron votat e kandidatëve për Kryetar dhe i rendit ata sipas numrit të votave që kanë marrë, nga numri më i madh në numrin më të vogël. Komisioni i Garancive shpall fitues kandidatin që ka marrë numrin më të madh të votave. 

Kur asnjëra prej kandidaturave nuk merr më shumë se 50% të votave të vlefshme, zgjedhjet zhvillohen në  një raund të dytë mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.