Ngjarje

Ndërsa po lundroja në rrjetin social “Facebook” hasa në një lajm të një portali që me linjën e vet editoriale flirton ndjeshëm me pushtetin. Bëhej fjalë për një lajm për Panairin e Punës 2017. Klikova të shikoja sesi portali e kishte trajtuar lajmin.

Ajo që më çuditi më shumë ishte se, nga të gjitha mundësitë e ndryshme të ofertave të punësimit që teorikisht ekzistojnë në këtë panair, vëmendja ishte përqëndruar tek oferta për të punuar kasier, shitës dhe punonjës në repartin e produkteve të freskëta, në një supermarket që do të hapej.

 

Deri këtu shumë mirë, përveç faktit se letrën e kërkesave e kishin bërë me gabime drejtshkrimore.

 

Dhe ky supermarket që në Panairin e Punës 2017 nuk di të shkruaj disa rreshta pa gabime drejtshkrimore në letrën e kërkesave, që duhen përmbushur nga “fatlumët” që do të kandidojnë për të qenë shitës apo kasierë, paskërka edhe kërkesa interesante.

 

Sipas supermarketit, na u dashkërka të dish italisht dhe të dërgosh CV në italisht, për të punuar kasier apo shitës në Shqipëri. Arsimi i lartë përbën avantazh. Dhe më e bukura na u kërkonkërka edhe eksperiencë apo përvojë.

 

Aplikantët për të qenë shitës apo kasierë të supermarketit duhet të ishin nga mosha 21 vjeç deri në 40 vjeç. Ku do ta gjejë përvojën një i ri 21-vjeçar që presupozohet se është marrë vetëm me shkollë të lartë, ose minimalisht duke bërë kurs italishteje?

 

Pra edhe një person me dëshirën e mirë me arsim të lartë, që nuk i bën naze punës, tek ky supermarket teorikisht nuk punon dot pa pasur përvojë. Por edhe një i “pashkollë”, po them,i që është kafshë pune supermarketesh dhe ka përvojë, do t’i duhet të mësojë italisht dhe të dërgojë një CV në italisht për… të punuar shitës apo kasier në një supermarket në Shqipëri.

 

Në çdo vend punëdhënësi vendos kriteret që do vetë për të punësuar punëkërkues. Ndërkaq ky supermarket të jep përshtypjen se ka nxjerëë disa kritere “për të dekurajuar” ëndërrimtarët që do të donin të punonin shitës apo kasierë.

 

Ja pra ky është panairi i punës “Rama-Meta” dhe gjykojeni vetë sesa ka vende pune dhe profesionistë. Të mësosh italisht, të bësh shkollë të lartë dhe të punosh disa kohë për pa rrogë për të marrë përvojë si kasier apo shitës supermarketesh, që të përmbushësh kriteret për të punuar në supermarketin në panairin “Rama-Meta”.