Nga Ilir Sinanaj
Shumë nga problemet në ekonominë shqiptare janë të parashtruara qartësisht, dhe nëse politikanë të koalicionit “rilindje”-LSI-PD do ta kishin lexuar seriozisht këtë raport nuk do të guxonin ta përmendnin qoftë edhe njëherë të vetme, e jo më ta merrnin për bazë si vlerësim pozitiv për çfarë kanë bërë në Shqipëri.
Një nga sektorët e shumtë që kritikohen në Shqipëri, dhe që është shpirti i një shoqërie, është ai i ekonomisë. Ekzistenca e ekonomisë është e lidhur me prodhimin dhe që të kesh prodhim duhet të punosh. Pavarësisht se çfarë thuhet në lidhje me punësimin, Progres-Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë i vitit 2016 i botuar në nëntor të vitit të kaluar thotë se punësimi është i ulët dhe ekonomia e paligjshme mbetet një “punëdhënës” i rëndësishëm.
“Niveli i punësimit dhe i pjesëmarrjes në tregun e punës mbetet i ulët, dhe ekonomia informate mbetet një burim i rëndësishëm për punësimin”, thuhet në faqen 53, të Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016.
Por pse janë shqiptarët të papunë dhe detyrohen të punësohen në paligjshmëri? Përgjigja ndodhet përsëri në raportin e BE-së. Sipas këtij raporti, Kodi i Punës, pavarësisht ndryshimeve, që pësoi, nuk ka dispozita të qarta ligjore për të dënuar rastet, kur punësimi kryhet në kushte skllavërie. Po kështu, edhe punëmarrësit apo të punësuarit nuk kanë mbrojtje nga ligji nëse punëdhënësit ose ata që i punësojnë, kryejnë abuzime të punësimeve në kushte skllavërie.
“Mbi legjislacionin e punës, Kodi i Punës i ndryshuar hyri në fuqi në qershor. Ligji i ri ka për qëllim të shtojë disa direktiva të Bashkimit Evropian të mbulojnë mosdiskriminimin në punë, të drejtat prindërore, të drejtën për t’u informuar, marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës dhe puna në distancë. Sipas ligjit mosha minimale për të punuar rritet nga 14 vjeç në 15 vjeç, në linjë me konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Megjithatë, dispozitat ligjore për punën e detyruar mbeten të vakëta dhe ligji nuk parashikon sanksione në rast të shkeljeve”, thuhet në faqen 53, të Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016.



