Blog

Nga Zhuljana Ahmeti “Korrupsioni është i keq, jo sepse paraja dhe përfitimet ndryshojnë dorë apo për shkak të motiveve të pjesëmarrësve, por sepse ai privatizon aspekte të veçanta të jetës publike duke krijuar debate dhe probleme të ndryshme". Mbyll për një çast sytë dhe shoh se dikur, moti, natyra, rrugët, ishin të bukura, të bukur ishin edhe njerzit. Duke iu rikthyer, atyre viteve, atyre ditëve të mrekullueshme, gjej shënimet që mbaja si burim frymëzimi dhe motiv kryesor për botën në të cilën besoja e jetoja. Ëndërroja se një ditë si pjesë e saj do bashkoja edhe unë duart me të tjerët për ta rregulluar, kuruar me qëllimin e vetëm të qënies humane, për ta përmirësuar deri në përsosmëri atë. Subkoshienca ime ka nevojë për “refresh”, pasi ajo që unë besoja për këtë botë tanimë është fshirë. Besoja në një botë të drejtë, besoja tek të gjithë njerëzit të bardhë apo të zinj. Besoja tek dashuria e sinqertë dhe mirësia, besoja njësoj edhe tek ata që kanë një lek edhe tek ata që kanë shumë lek ( pasi ndoshta sdo ti numëroja dot, më mirë them shumë). Besoja tek e drejta dhe pastërtia e duarve të kujtdo që fshihej pas një tavoline të madhe apo të vogël, verbërisht syhapur i besoja vendit tim....Sot nuk i besoj më kujtesës. Isha dhjetë vjeçe atëherë, një përgjigje naive e imja para katërmbëdhjetë vitesh, do doja të mendoja kështu edhe në vazhdim... Vitet e fundit kujtesa ime është mbushur me shumë hidhërim dhe trishtim. Ndaj edhe nuk e di në bëj mirë apo jo që hedh këto vërejtje të hidhura, të cilat nuk i shkojnë aspak këtij sistemi global, demokratik dhe të ndershëm. Ndoshta kjo mund të jetë hyrja më e bukur që mund ti bëhet të paktën një eseje në fillimin e saj, thënia e së vërtetës. Korrupsioni, përdorimi dhe abuzimi me pushtetin publik për qëllime private. Korrupsioni një fenomen global i kudondodhur dhe i kudogjendur, diku në porcione më të vogla e diku në porcione më të mëdha, në varësi të urisë dhe ngopjes së natyrës njerëzore, por i përhapur gjithandej. A është ky fenomen një nga më të dëmshmit për shoqërinë? Me shumë bindje dhe një siguri 100%, do të thoja që po. “Korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha konteporane të botës, pasi ai përcakton qeverisjen e mirë, çon në një alokim joefiçent të burimeve, dhe çrregullon sektorin privat dhe publik, si dhe ndikon shpesh tek të varfërit.” Është një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikon drejtëpërsëdrejti në reduktimin e rritjes ekonomike në shumë vende të botës. Kjo e thënë përmbledhtazi me një zhargon sa më rinor dhe moskokëçarës për këto terma do të thotë, më pak lekë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Më pak lekë për ne do të thotë: mungesa e një pjate më të mirë në tavolinën e ngrënies, një çerdhe, kopësht, shkollë, universitet më të mirë me nevojat më bazike për njeriun, infrastrukturën e saj, mungesa e një biçiklete apo makine më të rehatshme dhe komode, mungesa e një shtëpie të ngrohtë dhe të kompletuar me të gjitha orenditë, një ilaç më i shtrenjtë për xhepin tim apo një ilaç më pak cilësor i ofruar nga shteti im, mungesa e një pune të denjë me aftësimin tim profesional dhe edukativ, shtimi i një individi të “keq”në botën time, si dhe heqja e shanseve që unë si individ me statusin i ri i kam të humbura dhe të mbyllura dyert e shtetit tim për të më mbrojtur dhe dashur ekonomikisht. Sipas këtij filli ikën edhe dashuria dhe zë vend përbuzja dhe mërzitja, ndaj atyre që drejtojnë dhe udhëheqin. Kjo është një nga pasojat fatale të shoqërisë tonë, pasi fillon proçesi i gërryerjes dhe fashitjes së mendimeve se vetëm ai që ka paranë ka në dorë gjithçka, dhe duhet theksuar vërtet e ka në dorë gjithçka, kurse i ditur por i varfër ekonomikisht, je i papërfillshëm. Kjo sjell në një shoqëri pa moral dhe të humbur në rrugën e saj për kërkimin e idealeve dhe të nocioneve të drejtësisë. Këto janë zëvendësuar me termin“Para”dhe fatkeqësisht ne jemi bërë përdoruesit dhe vepruesit më të mëdhenj të kësaj fjale. Por “STOP’’, duhet bërë dicka për ta ndryshuar dhe çrrënjosur këtë edukim. Vetë shoqëria duhet të kërkojë të drejtat e saj, dhe ti mbrojë ato me çdo kusht. Nëpërmjet denoncimit pranë organeve përkatëse për çdo akt korruptiv, përmes protestës, mundësine e të drejtës për të zgjedhur një alternativë të re politike. Këtu doja të theksoja edhe“dëshirën time rebele” për ashpërsimin e forcës së ligjit mbi këdo individ i pushtetshëm, politikisht, financiarisht ose jo. ‘’Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit’’ dhe të gjithë duhet të përgjigjemi njësoj përpara tij.