Blog
Nga Aldi Gjata
Jam banor i fshatit Hoçisht në rrethin Devoll, por prej 2 vitesh jetoj në SHBA.
Së pari, do doja t'ju falenderoja për mundësinë që na jepni të shprehim mendimet dhe idetë tona në mënyrë të pavarur dhe demokratike.
Së dyti, më lejoni të shpreh keqardhjen time që nuk mundem të kontribuoj ashtu siç do doja për këtë lëvizje kombëtare, sepse unë kështu e quaj LIBRA-n, pasi jetoj larg por do bej çmos që tek ata njerëz që njoh qofshin miq apo të afërm, të ndikoj që ata të kuptojnë që nevoja për ndryshim në Shqipëri është thelbësore për shumë arsye, por mbi të gjitha që eksodi i shqiptarëve të ndalet.
E kam ndjekur me shumë vëmendje ngritjen e strukturave të LIBRA-s nëpër rrethe dhe nga perceptimi publik kam kuptuar që jo kudo janë zgjedhur njerezit me integritetin e duhur për të na përfaqësuar ato ide, parime dhe vlera që ne kërkojmë të përcjellim në popull. Mendoj se sfida jonë më e madhe për momentin është besueshmeria se ne vërtet do sjellim diçka ndryshe, diçka të re, një shpresë reale për Shqipërinë dhe shqiptarët, por kur njerezit e thjeshtë shohin në strukturat e LIBRA-s njerëz të konsumuar në të shkuarën nga partitë e mëdha, ai tipari që ne na dallon nga të gjithë zbehet. Unë e kuptoj që si parti e re ne kemi nevojë të zgjerohemi në bazë, por mendoj se strukturat më të larta drejtuese të LIBRA-s duhet të synojnë më tepër një votë cilësore sesa sasiore. LIBRA është një lëvizje kombëtare e projektuar për të ardhmen dhe si e tillë vetëm votat cilësore në këto momente garantojne rritje progresive të elektoratit në të ardhmen. Nuk e di në ç'fazë është hartimi i programit të LIBRA-s por kisha një sugjerim që mbase mund të merret parasysh nga ju. Korrupsioni është një plagë e madhe në shoqërinë tonë dhe nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që nuk ka përfituar apo ka qënë viktimë e tij direkt apo indirekt. Edhe pse ai lulëzon, vërej se emisionet e ndryshme investigative, në mënyrë modeste sigurisht, bëjnë çmos që ta luftojnë dhe e bëjnë këtë fenomen në segmente të caktuara të tij të ndjehet vunerabel. Si temë me sensibilitet të madh publik kjo luftë bën që të ketë nje impakt të madh në popull dhe të ushtrohet një lloj presioni mbi këtë fenomen. Ideja ime është që të ngrihet një Inspektoriat Kombëtar Antikorrupsion që sigurisht i pajisur me bazën e duhur ligjore të jetë në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës. Kjo, e shoqëruar me zgjedhjen e këtij të fundit nga populli bën që më në fund populli i thjeshtë të ketë një mundësi reale dhe jo të sforcuar apo të nisur nga interesa afatshkurta, që shpesh e orientojnë votën në Shqipëri, të mund të ndëshkojë Presidentin e vet, përveç të tjerave edhe për performancë të këtij inspektoriati. Mendoj se kostoja financiare e këtij inspektoriati do të jetë shumëfish më e ulët se dëmi që ky fenomen na shkakton aktualisht.
Duke ju falenderuar dhe njëhere dhe duke ju përcjellë urimet për festa të gëzuara për të gjithë shqiptarët, ju uroj suksese në rrugën e nisur për ta sjellë atë ndryshim që kaq gjatë dhe kaq shumë breza po e presin.


