Blog

Nga Indri Dervishi

Të nderuar nismëtarë të LIBRA-s! 

Të nderuar anëtarë të Forumit Rinor të LIBRA-s! 

Të dashur bashkëmoshatarë pjesëmarrës në këtë eveniment! 

Unë sot ndihem i privilegjuar që në ditën e themelimit të ketij forumi rinor, më jepet mundësia të shpreh mendimet dhe idetë e mia. Unë quhem Indri Dervishi, 23 vjec, i sapo diplomuar në degën e Financë-Kontabilitetit në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ndodhem këtu sot për të diskutuar së bashku me ju një problematikë që na prek të gjithëve, atë të mungesës së përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe në politikë. 

Fatkeqësisht, të rinjtë në Shqipëri janë ai grup social që megjithëse mbartin peshën e ndërtimit të së ardhmes së vendit, nuk e kanë të lehtë të përfshihen, të kërkojnë të drejtat e tyre apo të bëhen pjesë e vendim-marrjes. Përqindja e të rinjve pjesë e vendim-marrjes në partitë politike është mjaft e ulët, pasi shumica e partive nuk e kanë të sanksionuar të drejtën e përfaqesimit të tyre. Ndonëse në Shqipëri janë bërë hapa përpara përsa i përket demokratizimit të jetës politike, këto hapa nuk janë shoqëruar me nisma ligjore për të mbështetur pjesëmarrjen e rinisë. Kështu, ne jemi të privuar nga mundësia për të patur nje rol pro-aktiv dhe për të influencuar në ligjet, politikat dhe programet e reja. 

Një nga çështjet më të diskutuara kohët e fundit, ajo e reformës së arsimit të lartë, u miratua pa u konsultuar paraprakisht dhe pa marrë opinionet e vetë atyre që preken direkt nga kjo reformë, të rinjtë. Mjafton kaq për të kuptuar se sa pak i vlerësojnë të rinjtë partitë e vjetra politike në Shqipëri, por sa shumë i përdorin ata në fushata elektorale apo evente partiake si dekor, në shkëmbim të premtimeve të vogla dhe interesave të ngushta. Ky është një mentalitet i vjetëruar dhe dashakeq që nuk sjell asgjë më tepër se rënien në gjumë letargjik të rinisë dhe pranimin e kësaj situate depresionuese. Them depresionuese sepse nuk mund të gjej një fjalë tjetër që ta përshkruajë më mirë gjendjen ku ndodhet rinia shqiptare sot, pikërisht prej reformave të gabuara dhe mungesës së politikave serioze dhe zhvilluese nga qeveritë e 25 viteve tranzicion. 

Cështjet e të rinjve nuk marrin vëmendjen u duhur nga strukturat politike-bërëse, Sot rinia shqipëtare nuk përballet vetëm me pjesëmarrje të papërfillshme në vendim-marrje, por edhe me papunësi në nivele të larta, mungesë të theksuar përfaqësimi, shkolla larg standarteve më minimale europiane, si edhe mungesë idesh apo dëshirë nga ana e politikës për të dhënë zgjidhje. Këto dhe shumë të tjera, janë arsyet që më shtynë mua dhe besoj edhe ju, që të bëhemi pjesë e LIBRA-s. Për të kërkuar më shumë barazi, për t’u ndier më të përfaqësuar, për të patur mundësi më të mëdha lirie, për të shprehur mendimet dhe idetë tona rreth faktit se si mund të përmirësohet kjo situatë. Sfida natyrisht që nuk është e lehtë në një realitet të vështirë shqipëtar. Por mendoj se na takon të gjithëve së bashku që ta lëmë mënjanë apatinë e pasivitetin dhe të marrim në dore frenat e së ardhmes sonë. 

Ky Forum Rinor që themelohet sot, duhet dhe sigurisht që do të sjellë një përqasje tjeter, krejt të ndryshme nga mënyra si funksionojnë forumet e partive ekzistuese. Nuk do të jetë një hallkë më shumë, por një zë i fuqishëm në ngritjen e problematikave të të rinjve, në dhënien e zgjidhjeve dhe ndërmarrjen e hapave konkretë. Do të jetë një forum që do t’i japë mundësi çdokujt të përfshihet dhe të ketë rolin e tij. Në këtë mënyrë, gjithsecili prej nesh do ta ndjejë veten pjesë të një hapësire të lirë me qëllimin e vetëm ndryshimin e realitetit shqipëtar dhe të ardhmes tonë. Së fundmi, dua të shpreh gatishmërinë për të dhënë kontributin tim në rrugëtimin tonë të përbashkët, në krijimin e strukturave rinore të LIBRA-s në çdo qytet të Shqiperise dhe të ftoj sa më shumë të rinj e të reja të na bashkohen në këtë platformë të lirisë dhe barazisë. Ju faleminderit!