Blog

Nga Drini Brokaj

Po afrojnë festat e fundvitit dhe nuk shoh njerëz të gëzuar, nuk shoh qytetarë me fytyra të qeshura të shkojnë në dyqane dhe të bëjnë blerjet e festave me kënaqësi. Pyes miqtë e mi dhe më thonë:  "aman ç'tu bëjmë fëmijëve se kush e do këtë vit të ri se nuk ia kemi ngenë". Dhe meqë ra fjala të vetmet fytyra të lumtura që kam parë ditët e e fundit janë ato të fëmijëve dhe tek, tuk të ndonjë të rrituri.  Fëmijët e kanë me hak se do t’u vijë Babagjyshi dhe diçka do t’u sjelli dhe festat të tyret janë. Për koincidencë tek ato pak fytyra të lumtura të rritura që kam dalluar me rëzultojnë drejtora ose njerëz me pozitë. Në minimarketin që shkoj gjithmonë, më bëri përshtypje që akoma nuk ka futur për shitje gjelat e detit dhe e pyeta pse? Më mirë t’u shkruaj një kg miell e një kg sheqer sesa një gjel më thotë. Nuk mban më lista dhe aq më tepër kaposha deti. Shkoj për kafe dhe në atë zonë ku rri unë ( tek Aleksandria ) të gjithë lokalet pothuajse janë kthyer edhe pika bastesh. 

Aty po që nuk shikon dikë të qeshë, njerëz që i kanë varur shpresat te skedina, njerëz që nuk kanë me fuqi të përballen me hallet e përditshme se janë lodhur nga skamja , fukaralleku dhe papunësia dhe rrinë aty të shtyjnë orët.  Në tavolinë me 2 miq të mij tregtar më thonë se xhirua e ditës që kishin bërë" sikur edhe falas ta kishin gjetur mallin" nuk mjafton për detyrimet. 

Rrugës për në shtëpi po shikoja zbukurimet e qytetit të njëjtat me ato të një viti më parë, asgjë të re dhe të pakta thua se kjo zymtësi e qytetit dikujt i pëlqen. Po e mendoja me hollë dhe thashë me vete se marjoneta e Koços në krye të Bashkisë s’di ç’të bëj kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreqë. Sapo kalova skelën i lashë këto mendime se hyra tek rruga e Lungomares dhe këtu ikën për lesh i thashë vetes, bëj kujdes. Ikën dhe s’të paguan dhe njeri! Kjo është Vlora në këtë fundvit dhe me sa e sa probleme të tjera. Tre pyetje më erdhën në mendje çfarë rezultatesh solli aksioni "fund i marrëzisë", çfarë u bë me rilindjen urbane, a ka vajtur këto 3 vite Kryeministri ynë në ndonjë dyqan se a ka më lista? (Dikur ishte shumë i interesuar për to) .

E di që përgjigje s’kam ku të marrë por një urim kisha, dhe po e mbyll. Qofshin këto festa fundviti festat e fundrilindjes!!!!!