Elton Dono
Nëse merr mundimin minimal të dalësh jashtë unazës së vogël të Tiranës, mund të dëshmosh lehtësisht me sytë e tua gjendjen mjerane të pjesës dërrmuese të popullsisë, të ardhurat e së cilës u bien kambanave për veshët e shurdhër të atyre qe nuk duan të dëgjojnë.
Personalisht më ka rënë rasti shpesh të trajtoj probleme të thekshme të shtresave të margjinalizuara, në Tiranë e kryesisht në juglindje të vendit, e nuk e teproj nëse them se situata është për të vënë kujën. Ka qenë e mbetet si gangrenë e pashërueshme e një shoqërie të kalbur, që regëtin prej kohësh në grahmat e fundit.
Gjithsecili prej nesh me mendim kritik në mendje të kthjellët, e di, por nuk e pranon, ose thjesht nuk do që ta shohë në sy realitetin e pështirë të një shoqërie të korruptuar deri në qelizë.
Natyrisht këto fjalë nuk marr mundimin t’ia drejtoj atyre që bëjnë gjumë të rehatshëm në dyshekë kartmonedhash apo pllakash floriri, e që kanë shkëputur marrëdhëniet totalisht me realitetin të nginjur padrejtësisht nga aferat ndër vite.
Por, ju flas ju që vini nga familje të mesme e të varfra, e që e ndieni çdo ditë në kurrizin tuaj barrën e rëndë të një sistemi ekonomik e politik të kalbur,e të kapur nga banditët me kollare e kostum, të dalë si kërpudhat pas shiut e transformuar nga ordinerë në deputetë e kryetarë bashkish. E si rrjedhojë kanë krijuar pasuri të pandershme në një sistem që e ngritën vetë, e mbajtën e që tashmë na mëkon të gjithëve me pika qumështi të një gjiri të kalbur që ka vënë qelb.
S’mund t’ju harroj edhe juve të pasur, që mund ta keni krijuar pasurinë me zotësi e ndershmëri ndër breza, e që përpiqeni çdo ditë për të përmirësuar mjedisin ku veproni, pa kulisa, pa vjedhje, pa dhunë, pa arrogancë, por me dashuri për punëtorët tuaj, edhe pse mund të jeni vënë nën shënjestër nga njëri krah politik apo tjetri, pa harruar gangsterët gjobëvënës që mund t’iu kenë bërë të mendoni shpesh largimin nga Shqipëria.
Flas për ju që kuptoni, lexoni, dëgjoni, shihni, e nuk i thoni dot të zezës e bardhë.
Flas për ju që keni vite të tëra që kundroni të vrarë në shpirt prindërit tuaj të rropaten e punojnë ndershmërisht në punë për disa qindarka, që në fund të ditës nuk mjaftojnë e nuk justifikojnë as mbushjen e barkut si energji për të nesërmen.
Flas për ju të rinj e të reja, ju që jetoni sot të tridhjetat apo dyzetat, pse jo edhe më të moshuar, që u rritët me ëndrra e ideale, të cilat i keni tradhtuar për t’u përshtatur me realitetin, apo i keni transformuar për të siguruar mbijetesën.
Flas për ju që u ka mbetur sadopak cipë në faqe, për ju që nuk vidhni, nuk mashtroni, nuk gënjeni, ose edhe nëse gënjeni e bëni vetëm për të mirën e dikujt se nuk mund të keni helm në brendësinë tuaj.
Flas për ju që doni të jetoni me ndershmëri në një shoqëri ku plaçkitja është kthyer në kult. Për ju që çdo ditë përpiqeni t’i jepni energji pozitive, kulturë e edukatë një shoqërie që kurrë nuk diti t’iu vlerësojë ashtu siç duhet, siç realisht e meritoni.
Flas për ju që rezistoni, në heshtje apo me fjalë, në veprime hapur apo të fshehur, kundër një kaste të korruptuar që kërkon t’i marrë erzin hapësirës sonë të përbashkët, ku ne u lindëm e u rritëm, e ku duam të jetojmë pa u larguar të arratisur.
Flas për ju arsimtarë, inxhinierë, minatorë, ekonomistë, policë, studentë, artistë, shkrimtarë, marangozë e punëtorë të thjeshtë të cdo zanati e profesioni që e ushtroni cep më cep të Shqipërisë, e që keni kërkuar të urituar ndër vite plotësimin e idealeve e vlerave europiane, që aq shumë ua kanë trumbetuar me të madhe, vetëm për t’u majmur e dhjamur syresh.
Nëse i ndjeni si tuajat këto fjalë, unë ju ftoj përzemërsisht të bëjmë çmos bashkarisht për ta nxjerrë vendin nga errësira e pashembullt ku ndodhet.
Ka ardhur koha që aktivizmi zgjidh, e mefshtësia shton vuajtjet.
Nëse vijojmë të qëndrojmë si spektatorë të një spektakli të shëmtuar abuziv të politikës së mjerë çerekshekullore shqiptare, nesër brezat do të na sulmojnë me të drejtë si fajtorë apo bashkëfajtorë të rrënimit të shpresave të tyre.
Për të njëjtat shpresa të brezave tanë, që pulsojnë më të dobëta se asnjëherë.


