Blog

Pak ditë më parë, ndërsa bëja “shëtitjen” e përhershme në portalin online të një të përditëshme ekonomike të huaj, vëmendjen time e tërhoqi titulli domethënës i një artikulli,- “Mrekullia ekonomike polake”.

Menjëherë hapa artikullin dhe nisa tëlexoj. Fjalitë e para i kushtoheshin spjegimit të situatës në të cilën Polonia ndodhej pas daljes në 1989-tën nga regjimi komunist,  me një ekonomi të rrënuar e me një sistem arsimor të stilit te vjetër sovjetik. Sic i ndodh pashmangshmërisht cdo shqiptari kur lexon apo kur dëgjon për ngjarje apo histori të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për vendet ish komuniste të evropës lindore, “temperatura” e mëndjes time filloi të rritej nga një lloj sikleti dhe nga një seri konstatimesh dhepyetjesh retorike të tipit,- ja këta, pak a shumë si ne kanë dalë nga komunizmi, por kanë arritur në atë që autori e quan “mrekulli”; ose, c’ka perben shkakun më të madh të nervozizmit,- c’ka bërë politika shqiptare në keto 25 vjet nëse nuk ka ditur as të kopjojë këto realitete të ngjashme dhe zgjidhjet e tyre?

Por lashe mënjane krahasimet dhe vazhdova leximin. Më tej autori përmendte disa nga hapat që më tepër se të tjerë kanë ndikuar në lulëzimin e vendit. Sëpari,- shkruante,- menjëherë në fillimet e viteve 90, u krye privatizimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme shtetërore, gjë që i hapi rrugën një manaxhimi më eficient të pasurive të vendit. Një nga prioritetet e vendosura që në fillim dhe që mori jetë menjëhere në vitet e para të demokracisë, ishte reforma rrënjësoree sistemit arsimor në mënyrë që të krijohej një klasë inteligjente e specializuar dhe inovative e cila në një të ardhme të afërt do të mund të përbënte shtyllën e zhvillimit ekonomik. Në këtë pikëfillova të mendoj për procesin e privatizimit dhe reformën arsimore në vendin tonë, por, me të konstatuar që“pse”-të nuk kishin të mbaruar, mendova,- me këtë ritëm ose do të më duhen tre orë të përfundoj artikullin, ose do të lexoj duke menduar e kështu do më duhet t’i kthehem edhe një herë nga e para,- kështuqe rimora leximin duke lënë për më pas konkluzionet dhe krahasimet.

Në vazhdim autori përmendte me radhë një seri faktorësh që kanë shtyrë vendin drejt një boomi ekonomik të pashembullt në të gjithë historinë ekonomike moderne. Mbi të gjitha theksohej kapaciteti i Polonisë për të thithur investime të huaja, nëpërmjet PAIIZ-it, Agjencia Polake për Informacionin dhe Investimet e Huaja, e cila bëhej zëdhënëse e një serie masash shtytëse të investimeve që shkonin nga “subvencionet shtetërore” deri tek lehtësimet fiskale e madje edhe përjashtimi nga disa taksa lokale. Për më tepër,- vazhdonte artikulli,- ekzistenca e “Zonave Ekonomike Speciale” (ZES) që bazoheshin në studime të mirëfillta shkencore, ofronte benefite shtesë për të gjithë investitorët potencialë në formën e përjashtimit nga taksa mbi fitimin të një pjese të shpenzimeve për investime. Domethënës ishte fakti se të gjitha këto arritje vëndi i realizoi në kushtet kur tatimi mbi fitimin e shoqërive ishte më i lartë ose të paktën i barabartë me atë të vëndeve të tjera të Evropes Lindore. Më vonë, pas pranimit te vëndit në Komunitetin Evropian, Polonia katreguar një kapacitet të shkëlqyer në thithjen dhe manaxhimin e fondeve të këtij të fundit, gjëqëka cuar në krijimin e një infrastrukture në linjë me vëndet më të zhvilluara perëndimore.

Të gjithë këto faktorë i kanë siguruar vëndit një rritje ekonomike konstante prej mesatarisht 4,24% në vit për periudhën 1996 – 2014. Njëtjetër fakt që më tërhoqi vëmëndjen në terma numerikëishte rritja prej 24% e ekonomisë polake në vitet 2008 – 2014, vite të një krize ekonomike të thellë të të gjithë ekonomisë botërore dhe që pa dyshim, në kushtet e një ekonomie të hapur me një nivel të lartëinterkëmbimi me botën perëndimore, nuk mund të kalonte pa lënë gjurmë, por sidoqoftë u shoqërua vetëm me një ulje të lehtë të trendit rritës.

Në mbyllje autori përmendte një seri pikëpyetjesh dhe të metash të ekonomisë së vendit europianolindor më të cilat nuk kam ndër mënd ta lodh lexuesin pasi,më bësoni, nuk e kemi lluksin të mendojme për to.

Me të mbaruar artikullin filloi aktiviteti nervor. Natyrshëm shtroja pyetjet:

Përse në Shqipëri përpara i shkatërruam ndërmarjet shtetërore dhe pastaj u perpoqëm t’i privatizojmë? Përse ky proces u krye në mënyrë kaq kaotike, të copëtuar dhe pa asnjë lloj logjike e mbështetje sa, në vitet e para, në kushtet e mungeses totale të një ekonomie të vëndit, ishte e pamundur të vazhdoje të prodhoje për tregun apo për llogari të të tretëve? Përse të vetmit që përfituan nga processi i privatizimit në Shqipëri ishin shitëset e djathit që u gjendën me pasuri të paluajtshme në pikat kyce të qyteteve apo ata që pas privatizimit u lidhën me ndërtuesin e radhës dhe në vënd të ndërmarjes së vjetër ngritën një pallat shumëkatësh?

Ndjeva që“temperatura” nervore po rritej. Vazhdova,- përse nuk pati kurrë një reforme të vërtetë arsimore në Shqiperi, por thjesht u hoqën disa lëndë e u vunë disa të tjera me mësuesit e “Marksizmit” që u ricikluan në mësues të “Ekonomisë së Tregut”? Përse asnjëherë nuk pati një përpjekje të strukturuar dhe tëmenduar për krijimin e bazave shkencore dhe intelektuale për një zhvillim ekonomik të qëndueshëm, por u poshtëruan barbarisht ata që frekuentonin për vite me radhë tempujt e dijes me dhënien e diplomave gjashtëmujore disave që, nërastin më të mirë, kishin mbaruar gjimnazin me rezultate mediokre? Këtu, të isha vullkan do shpërtheja, por në kushtet e natyrës njerëzore e sidomos asaj të shumeduruar shqiptare, me filloi dhimbja e kokës.Sidoqoftë në këtë pikë nuk mund t’a ndaloja më mendimin dhe në cdo pauzëpune vazhdoja si për inerci.Është e mundur që pas 25 viteve demokraci mundësia më e mirë për një të ri të diplomuar, mundësisht edhe me mastër apo doktoraturë, të jetë anëtarësimi nënjë parti politike? Dhe kjo jo për një rroge nëadministratën publike…….

Ndërkohë, mes punës e mendimeve erdhi koha e kthimit pranë familjes, duke kaluar normalisht nga “lufta” ne trafikun e cmendur të Tiranës. E mora me filozofi dhe tek prisja në rresht vazhdova me “pse”-të e mia,- përse ne vënd që të krijonte instituzione funksionale për informimin e investitorëve potencialë, demokracia jonë polli AIDA-n e cila, për t’iu përgjigjur një pyetje të thjeshtë të një të interesuari i dërgon pas dy javësh me email një material prej 180 faqesh dhe e fton me mirësjellje të gjejë në të zgjidhjen e dyshimit të tij? Si ka mundësi që, akoma pas kaq vitesh demokraci, në vënd që tëkishin krijuar një ambjent të favorshëm dhe fleksibël në aspektin infrastrukturor, të sigurise dhe atënormativ për sipërmarrësit e huaj e të paraqiteshin përpara tyre me studime dhe të përgatiturnga ana profesionale, politikanët tanë shkojnë nëpër botë e “ulin pantallonat” duke përsëritur gjithmonësi avantazhin kryesor të vëndit mungesën e sindikatave?

C’është e vërteta për fushën ekonomike dhe jo vetëm, i ngre vetes pikëpyetje pa fund cdo ditë, e nuk është nevoja të lexoj për mrekullitë e të tjerëve, por, duke u përpjekur të ndjek rrjedhën logjike të artikullit që pata lexuar në mëngjes, mbërrita në pikën e fondeve europiane. Është i fresket lajmi i shumëpritur i dritës jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Komunitetin Evropian. Rrjedhimisht, fondet dhe grandet në vitet e ardhshme nuk do të mungojnë, por, në ndryshim nga ato që morëm në vitet 90 e i bëmë rrush e kumbulla për t’i vënëme pas flakën në 97-tën, tani vëllezërit e mëdhenj evropiane duan të shohin projekte konkrete përpara së të zhbllokojnë likuiditete. E këtu nisin sërish pyetjet,- i kemi ne kapacitetet për të gjeneruar projekte serioze?; është e aftë klasa jonë politike të n’a drejtojë në këtëproces me rëndësi jetike, apo do të vazhdojë të kërkojë të famshmin zarf që shpesh përkon me valixhen prej të paktën 15-20% të fondit të cdo prokurimi publik pa u interesuar minimalisht për cilësinë e punimeve?

Sinqerisht, me keqardhje konstatoj se jo vetem nuk i kemi kapacitetet, pasi nga toka e lënë djerrë nuk mund të vjelësh frute, por, po tëvazhdojmë me rrugën e ndjekur deri më sot, nuk do t’i kemi as për shumëvite në vijim. Është momenti të reagojmë të gjithë bashkë në mënyrë që të krijojmë një të ardhme më të mirë  për këtë vënd, për veten e për brezat që na ndjekin. Nuk mund t’i lëmë këta breza dhe jetët e tyre peng të këtyre politikanëve sharlatanë e të pasardhësve të tyre, pasi një ditë do të na gjykojnë e do të na kërkojnë llogari, por nuk do të jemi në gjendje të përgjigjemi dhe cka është më e keqja, as të reagojmë…..