Shqipëria në (pa)siguri ushqimore
Një çështje që sot nuk mund të marrë dot përgjigje as nga eksperti më i mirë i fushës. Ushqimet shqiptare nuk janë të sigurta. Kjo situatë e ka zanafillën që nga fillimi i viteve 92’ ku qeveritë kanë qenë gjithmonë me tregtarin dhe në asnjë moment me qytetarin apo fermerin, i cili nga mosdija dhe pamundësia e asistencës gjendet sot përpara një grupi kriminal që shpërndan dhe shet helme tepër toksike dhe me efekt shumë të gjatë veprimi ndaj njeriut. Shtete në zhvillim këto pesticide i kanë larguar nga përdorimi por ne për çudi i përdorim gjerësisht.
Nga ekspertë të fushës theksohet fakti që për perimet po përdoren pesticide të cilave ju humbet efekti toksik për një periudhe mbi 15 ditore, ndërkohë që fermeri i shet ato 3 deri 4 ditë mbas spërkatjes.
Produktet e kthyera nga shtetet e BE tregojnë se si është vendosur fermeri shqiptar përpara pamundësisë së informimit për atë që përdor, si dhe sasinë e lejuar të plehut që duhet për të trajtuar produktet.
Rasti më i afërt është ai i kthimit të 5 ton speca dhe kunguj nga Greqia pasi u konstatua me nivel të lartë klorpyrifosi. Fermerit nuk duhet t’i shitet ky produkt pa recetë dhe pa dëshmi aftësie, pasi është tepër helmues. Ky rast tregon se ligjet dhe rregullat nuk zbatohen, kjo është përgjegjësi direkte e AKU, gjë që identifikohet shumë lehtë në farmacitë bujqesore po t’u kërkosh librin e shitjeve të PMB-ve, ku duhet të shënohet gjithcka. Farmacia bujqesore, nuk mund të japë një PMB me karencë kaq të gjate, kur prodhimi është afër vjeljes.
Ky është rasti që vërteton mungesën e kontrollit dhe që askush nuk mban pergjëgjesi ligjore nga keqpërdorimi i pesticideve. Mungojnë rregullat e përdorimit për pesticidet nga autoriteti kontrollues. Ky prodhim duhet të asgjesohet.
Përdorimi i methomyl, një pesticidi tepër të rrezikshëm dhe të ndaluar për tregtim, është një tjetër rast i pakuptueshëm se përse vazhdojnë të helmojnë popullin.
Një situatë e tmerrshme, një situatë apokaliptike që ka mbështjellë sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri.
Toka po shkatërrohet nga përdorimi i gjithë këtyre helmeve dhe njëkohësisht edhe uji që kalon nën të. Ndoshta një ditë ajo do të behet e papunueshme dhe atëherë do të reflektojmë mbi atë çfarë kemi bërë sot.
Problem tepër shqetësues është përdorimi i produkteve me nivele të larta dhe prani të aflatoksinës.
Përdorimi i ushqimeve pjesërisht të mykura për bagetinë që shpesh herë ndodh, mullari i barit që myket e me dashje apo pa dashje shkon si ushqim për bagëtinë, apo ushqime të tjera të koncentruara siç mund të jetë misri i mykur, janë shkaktarë të aflatoksinës.
Aflatoksinat dihet se janë gjenotoksike (të afta për të dëmtuar ADN-në) dhe kancerogjene. Për më tepër, aflatoksina M1 mund të gjendet në qumësht.
Megjithëse kjo ndodh shpesh në Shqipëri, asnjë rast nuk ka qenë i reklamuar nga autoritetet kompetente.
Pa diskutim që siguria ushqimore është e lidhur ngushtë me llojin e inputeve bujqësore dhe mënyrën e përdorimit te tyre.
Një problem tepër i madh po ndodh edhe me produktet e importuara. Mish problematik dhe me sëmundje vdekjeprurëse, produkte afër skadencës, produkte të cilësuara për botën e tretë, shiten në Shqipëri të përpunuara e deri si bio me çmime marramendëse.
Dhe kjo përse? Për pak lekë që kalojnë në xhepat e disa inspektorëve apo ndonjë politikani të papërgjegjshëm?
Këtu ligji duhet të veprojë dhe nuk duhet të falë, pasi këto veprime kanë pasoja të njëjta me ato të shfarosjes në masë, që dikur aplikoheshin nga ushtria naziste. Një helm që po vret ngadalë dhe që po lë pasoja tepër të rënda në familjet shqiptare.
Megjithatë, shteti e shikon veten të pafuqishëm në ndalimin e këtij fenomeni, duke e vendosur Shqipërinë në listën e vendeve me pasiguri të lartë ushqimore.
Ne duhet të reagojmë. Të reagojmë ndaj abuzuesve. Të reagojmë ndaj gjithçkaje që po vret edhe këta pak njerëz që nuk kanë ikur akoma nga Shqipëria