Editoriale

Nga Astrit Hysi

E ndërtuar në vitin 1966, Rafineria e Fierit si një aset i rëndësishëm industrial përballet sot me falimentimin njëlloj si edhe Kombinati në Ballsh.

Të njëjët investitorë në partneritet me shtetin, (me aksione 85% dhe 15%) ia kanë dorëzuar si kolateral këto pasuri kombëtare bankave, si kredi të këqija, duke lënë në kushtet e varfërisë me qindra familje shqiptare.

 

Siç dihet, kompania ARMO sh.a. u privatizua në Nëntor të vitit 2008 dhe u administrua nga  Rezart Taçi.  i cili e mbajti në punë këtë  kompani deri në gusht të vitit 2013 dhe, pas këtij muaji, ia shiti kompaninë një shoqerie nga Azejbarxhani ( kompania mbajti të njëjtën sigël ARMO sh.a). Azejbarxhanasit lanë në KPTHN (Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës) – Ballsh një përfaqësues nga Irani që quhej Ali Hirassuliha, ndësa UPN (Uzinën e Përpunimit të Naftës) - Fier ia dhanë me qera, në muajin Tetor të vitit 2013, kompanisë TPD (Trade Petrol and Drilling)  - Tiranë.

 

Mësohet se UPN - Fier ka trajtuar sasi të mëdha nafte  bruto sipas viteve, si më poshtë:

Tetor - Dhjetor 2013 , 33 000 ton naftë  bruto;

Janar – Dhjetor 2014 , 165 887 ton naftë  bruto;

Janar – Dhjetor  2015, 159 786 ton naftë  bruto;

Janar - Nëntor  2016, 104 634 ton naftë  bruto.

Në Dhjetor 2016  është trajtuar 1700 ton naftë bruto dhe, deri në fund të vitit, është punuar për prodhim holluesi për kompaninë e Bankers.

 

Punonjësit e UPN - Fier nuk kanë marrë rrogat  e muajit Tetor, Nëntor dhe Dhjetor të vitit 2016, kohë për të cilën kanë punuar dhe kanë realizuar të ardhura ekonomike si dhe nuk iu është derdhur tatimi mbi pagën, prej korrikut të vitit 2015 e deri në 31.12.2016, nga kompania TPD - Tiranë. Të papaguar janë edhe punonjësit e firmës së sigurisë në Rafineri, ndonëse në sistemin e zyrave të punës ata rezultojnë të gjithë të punësuar, por në sigurimet shoqërore nuk ka derdhje kontributesh për ta.

 

Pagat mujore të punonjësve, së bashku me sigurimet shoqërore, janë 120 000 dollarë, ku sigurimet shoqërore venë 40 000 dollarë në muaj, në një kohë kur vlera e fitimit është 1 për dhe 6 për kompaninë.

 

Punëtorët protestojnë prej 3 javësh në mjediset e Rafinerisë – Fier. Njëri prej tyre, Agim Myrdini, babai i dy vajzave, në kushtet e rënda ekonomike zgjodhi të protestojë për detyrimet e pashlyera dhe humbjen e vendit të punës, përmes një veprimi ekstrem për jetën: të ngjitej në oxhakun e furrave të Rafinerisë, në lartësinë 40 metra. U desh që policia për tre orë, në rolin e ndëmjetësit, të sillte një përfaqësues të kompanisë TPD, i cili ia dha kesh rrogat e Agimit bashkëshortes së tij, e cila në panik kishte ardhur bashkë me vajzën në oborrin e uzinës.

 

Veprimi ekstrem për jetën, ku një punëtor u ngjit në oxhakun e rafinerisë në shenjë proteste, rikthen në vëmendje historinë e rafinerisë dhe ARMO-s në tërësi, se si u shit nga të djathtët dhe rishitet nga të majtët e oligarkisë politike, në këtë vend me pasuri tokësore dhe nëntokësore, por me njerëz të varfër.

 

Ndonëse Firma Azerbajxhanase është larguar për arsyet që Shteti Shqiptar i di, në Korrik të vitit 2015, puna në UPN - Fier ka vazhduar normalisht deri në Janar të vitit 2017. Administrimin e UPN - Fier e ka bërë kompania TPD - Tiranë. Midis kompanisë TPD - Tiranë (pas ikjes së Azerbajxhanasve) nga muaji Tetor i vitit 2013 dhe deri në Tetor të vitit 2016, nuk ka patur kontrata pune me punonjësit e UPN - Fier. TPD - Tiranë lidhi kontrata pune me punonjësit e UPN - Fier vetëm më datë 14.11.2016. Kjo kompani i ka paguar punonjësit e UPN - Fier nën dorë ( pa bankë), pa derdhur Sigurimet Shoqërore, tatimin e pagës së punonjësve të UPN – Fier, prej 17 (shtatëmbëdhjetë) muajsh. Ky veprim antiligjor është një krim ekonomik. Në UPN – Fier, nga muaji Tetor 2016 e deri tani, kanë dalë në pension 15 punonjës, të cilët e morën pensionin me mangësira, për shkak të mosderdhjes së sigurimeve shoqërore. Të njëjtin fat do të kenë edhe punonjësit e tjerë, të cilët do të dalin në pension në vijim, nëqoftëse do të vazhdojë kjo  gjendje.

 

Që nga 06.01.2017 e deri më sot, punonjësit vijnë rregullisht në punë, paradite dhe nuk kryejnë asnjë aktivitet prodhues. Ata presin drejtuesit e TPD - Tiranë që të vijnë dhe të  prononcohen se çfarë do të bëhet me UPN - Fier.

 

Duke theksuar se UPN- Fier është në gatishmëri teknike për të punuar, për të gjitha këto punonjësit kërkojnë që në rrugë ligjore të bëhet transparenca e kontratës së lidhur midis Azerbajxhanasve dhe kompanisë TPD - Tiranë, t’u jepet çfarë u takon nga kompania TPD -Tiranë dhe të dinë se çfarë do të bëhet me punonjësit e UPN-së  në të ardhmen, pasi kjo kompani ka ndërprerë punën në 07.01.2017.

 

Kjo rafineri sot është në mëshirën e fatit. Punonjesit vijnë  me turne, me personel të reduktuar vetë, për të ruajtur paisjet, makineritë dhe produktet që kanë mbetur nëpër rezervuarë të ndryshëm, si dhe për të eleminuar ndonjë zjarr të mundshëm, pasi në rezervuarë të ndryshëm ka akoma edhe 600 tonë karburant.

 

Jemi në Rafinerinë ku shteti ka ende aksione në këto pasuri, ndaj shteti duhet të përgjigjet për të drejtat e punës dhe jetën e punonjësve. Por ky shtet, i drejtuar nga të majtë dhe të djathtë, është i kapur nga aferat korruptive. Partitë e vjetra janë kthyer në varrmihëse të interesit publik.