Editoriale

Ilir Sinanaj

Ndërsa Kryeministri Edi Rama po përpiqej të merrte meritat e rrugëtimit evropian të Shqipërisë në seancën paralamentare (22 dhejtor 2016) më erdhi në mendje një analizë, ku flisja për ata që kanë punuar vërtetë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Shqipëria sapo kishte marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më poshtë shkrimi:

Lobuesit e vëtetë për statusin

Në këtë çast, të rëndësishëm për vendin tonë, siç është marrja e statusit, forca të ndryshme politike nuk ngurrojnë të shprehin meritat e punës së tyre për t’ia arritur kësaj. Ndërkohë, puna e politikanëve është shumë periferike nëse do ta krahasonim me punën e përhershme të atyre që kanë punuar vërtetë që Shqipëria të thellohet në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Këta janë qytetarët shqiptarë. Gjatë këtyre 2 dekadave të fundit në vendit tonë ka ekzistuar një realitet e dhimbshëm, i mirënjohur nga të gjithë, ku ka qenë shumë e vështirë për të investuar për një të ardhme të sigurt e të qëndrueshme. Përpos këtyre vështirësive, ka pasur nga ata qytetarë shqiptarë të cilët nuk i janë nënshtruar realitetit të hidhur të dhunshëm dhe korruptues. Ka pasur nga ata djem dhe vajza, të cilët edhe pse të përballur me persekutimin e të paaftëve në poste kyçe, kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e punës së lodhshme duke ngritur me mundim dhe sakrifica themelet për një jetë më të mirë. Ka pasur nga ata prindër, dhe këtu mund të themi të gjithë prindërit shqiptarë, të cilët janë flijuar edhe mirëqenien minimale vetjake për të edukuar dhe arsimuar fëmijët e tyre, në mënyrë që këta të fundit të bëhen të zotët e vetës. Edhe në kuadrin e sipërmarrjes, ka pasur nga ata sipërmarrës shqiptarë, të paktë në numër, të cilët në të kundërt të shumë sipërmarrësve në vendin tonë, janë përqendruar në investime të guximshme për të ngritur një veprimtari të qëndrueshme, megjithëse klima e konkurrencës së lirë ishte veçse një retorikë politike. Pra, puna e të gjithë këtyre aktorëve së bashku çoi gjatë këtyre 2 dekadave drejt marrjes së statusit kandidat për në BE. Janë këta lobuesit e pafjalë, por që puna e të cilëve ka folur sa të gjitha fjalimet e të gjitha forcave politike në vend. Me fjalë të tjera, ajo që ka çuar në marrjen e statusit është dëshira e qytetarëve shqiptarë për të punuar me vendosmëri dhe vullnet për të pasur një të ardhme të qëndrueshme. Dhe BE-ja është pikërisht kjo: një standardizimi i rrethanave të shkëmbimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore, të një grupimi shtetesh në një gjatësi vale, gjithmonë në kuadrin ekonomik, për të maksimizuar fitimin në mënyrë që qytetarët të arrijnë. Për sa u tha më lartë, kapitali njerëzor shqiptar, e sidomos forca e familjes te ne, është diçka që do ta lakmonte çdo vend i BE-së.

Burimi nga Gazeta “Shekulli”, 26 qershor 2014