Editoriale

Mimoza Hafizi

Ne i themi jo buxhetit 2017 të paraqitur nga qeveria!

Kemi me vete dhe verdiktin e mijra qytetarëve, anëtarë ose jo LIBRA, të cilët u shprehën kundër përmes faqes sonë libra.al. Respekt për ndërgjegjen e tyre civile, e cila i nxiti të japin mendimin lidhur me financat publike për vitin e ardhshëm. Bënë detyrën e tyre sigurisht, dhe ushtruan të drejtën bazike. Sepse ky fond publik që ne diskutojmë, rrjedh pikërisht nga tatimi mbi pagat e tyre, mbi fitimet e biznesit të ngritur me mund e me risk, mbi vlerën e shtuar nga puna e tyre, nga taksat mbi mallrat që ata shesin e blejnë a mbi pronat e blera a të trashëguara.

Është hera e dytë që për një kohë të shkurtër na përgjigjen me votim me mijra qytetarë. Herën e parë u shprehën për president nga populli, por ne e patëm të mundur të sjellim zërin e tyre në këtë parlament të dominuar nga parti të pandjeshme ndaj mendimit qytetar. Këto parti nuk lejuan që çështja e presidentit nga populli as të futet në axhendën parlamentare. Prandaj sot, jam edhe më e obliguar të sjell këtu pikërisht ato argumente të votuara prej qytetarëve, se pse ky buxhet nuk duhet të kalojë; të votuara prej atyre njerëzve që nuk demoralizohen nga shurdhëria politike, por vazhdojnë të protestojnë e të votojnë. Ata i duhen të shumtë vendit tonë.

Argumenti im i parë është buxheti për arsimin, i cili ka prekur, sot, me këtë ligj, minimumin e vet historik. 2.33% e PBB është pjesa e administruar nga qeveria, dhe po ti shtojmë shumën që i lihet pushtetit vendor, mezi i kalon 2.5%. Ju kujtoj se para 3 vitesh e gjysëm u premtua 5%, dy herë më tepër, një shifër e ka Europa, e madje vendet rrotull nesh. Në buxhetin e katërt të kësaj mazhorance, arrijmë në atë që do e quaja minimum i mbijetesës së arsimit. Duket si humor i idhët kjo paralele, mes minimumit jetik për qytetarin shqiptar, i cili po kthehet në kauzë jo vetëm e LIBRAs, dhe këtij minimumi që qeveria ofron: mbijetesën e arsimit. 

Nuk është vetëm paralele termash. Kjo shifër e mjerë e financimit të arsimit prek pikërisht ata që jetojnë në varfëri. Me qindra mijë shqiptarë me të ardhura nën 400 lekë të vjetra në ditë. Fëmijët e tyre nuk do mund të kenë të paktën disa orë në ditë kushte më korrekte e dinjitoze jete: klasa më të ngrohta, shkolla më pranë shtëpisë apo me transport të siguruar, kushte normale mësimi, libra më të mirë e mësues më të përgatitur. Pa folur për ushqim në shkolla, një temë që e kemi patur në zemër për vite e vite. Me objektivin që ata fëmijë të mos rriten me mungesa të pakthyeshme e të pashlyeshme ushqimesh bazë. Janë pikërisht këta qytetarë të vendit tonë që do e ndjejnë mungesën e financimit në arsim, sigurisht nuk janë fëmijët e kësaj salle, se ne mund t’i çojmë pa problem edhe në shkolla private. Dhe ky lloj buxheti pikërisht nxit vetëm arsimin privat, ai është kapitullim i arsimit publik, e si i tillë, e thellon humnerën sociale. Kjo është një arsye madhore se pse ai nuk duhet votuar.

Argumenti im i dytë është buxheti për universitetet. Përpos që edhe në vlerë absolute ai bie më poshtë se një vit më parë; përpos edhe se fondi publik për 150 mijë studentët është më i pakët se fondi publik që i shkon 8 konccesionarëve, të këtij pushteti, fakt skandaloz për t’u denoncuar, unë kam një pyetje : Si do ndahet ky fond mes 15 universiteteve publike ? Përgjigja do të jetë e pabesueshme për këdo, pikërisht se nuk ka përgjigje dhe do jua shpjegoj se pse.

Ka tre vjet që pretendohet se do të kemi një model të ri financimi për universitetet, bazuar në cilësinë mësimore-shkencore e të vlerësuar nga akreditimi. Por akreditim nuk ka as në këtë fund mandati.

Atëhere, si do ndahen këto fonde ? Nuk po mendoj të pyes për statuse të veçanta institucionale, as për prioritete kombëtare në arsim, siç duhej të ishte mësuesia, as për institucione të pavarura financimi, as për borde administrimi. Ndonëse janë të gjitha detyrime ligjore, të cilat po shkelen prej më se një viti, ato janë kthyer në pyetje luksi, në mjerimin e administrimit të arsimit të lartë nga kjo qeveri dhe nga ministria përkatëse. Prandaj po i mbetem vetëm pyetjes ekzistenciale: Si do ndahen 5.5 miliardë lekët e transfertës së buxhetit në universitete? Duke filluar nga 1 Janari, kush do marrë e sa do marrë, që nga Universiteti i Tiranës e deri te ai i Gjirokastrës.

Ka një aneks, aneksi 5 i buxhetit, i cili ka detyrimin të përgjigjet. Në mënyrë që funksionarët e shtetit, pas miratimit të këti ligji, ta dinë se si do t’i nxjerrin fondet nga thesari për secilin institucion. Por kjo përgjigje nuk është dhënë, aty vetëm hidhet më shumë hi në mjegullën e financimit universitar.

Thuhet se do merret në konsideratë numri i studentëve dhe numri i të diplomuarve. Po sa do jetë pesha e secilit prej këtyre numrave? Për cilët të diplomuar është fjala, ata të një viti ? Të cilit vit ? Apo ata të diplomuar nëpër vite. S’ka përgjigje.

Përmendet një koefiçent, KKP, koeficcenti i kërkesave personale. Ç’është ky ? Si përcaktohet ? Me hamendje? Apo kush bërtet më shumë? Kush i ka frekuencat më të larta?

Apo KKE, koefiçenti i kërkesave ekonomike. Ç’kuptohet me të? Po KASA? Koefiçent që përmendet, por nuk thuhet e as dihet se ç’rol mund të luajë. 

Mund të jenë koefiçentët i mpleksjes të qeverisë me drejtuesit e universiteteve? Që të mbrojnë njeri-tjetrin nga studentët e revolutar. Siç ndodhi dhe muajt e fundit të krizës së pranimeve.

Flitet se për fondet universitare do të merret në konsideratë struktura e kualifikimit të stafit akademik. Si? As nuk thuhet e as nuk dihet. 

Apo mund të jetë masa e abuzimit me fondet universitare? Se ka ndodhur rëndom në administrimin e universiteteve tona, ndërsa qeveritë kanë mbyllur sytë.

Thuhet që për cilësinë e kërkimit shkencor në 2017 do të merret për bazë performanca e vitit 2011. E shkruar e zezë mbi të bardhë. Si ka mundësi dhe pse? Cc’lidhje kanë këto dy vite me njëri-tjetrin? 

Kush mendon se po ridikulizoj një dokument shtetëror, është i ftuar të lexojë aneksin 5 të këtij buxheti. i cili merr përsipër të ndajë 50-60 milionë dollarët përmes një procedure të paqenë. Nëse e miratoni, do të thotë se keni miratuar diçka që nuk ekziston. A lejohet kjo në vitin 2017?

Nuk besoj se mund të ketë në historinë e buxheteve tona, as  në fillesat e shtetit para 104 vitesh, ndonjë paraqitje më të papërgjegjshme sesa ky fond për arsimin e lartë. Nuk besoj se ambicia jonë për shtet serioz të ketë rënë ndonjëherë kaq poshtë. Ky trajtim i financave publike, për universitetet duhet të na bëjë të gjithëve me turp.

Kërkoj që ministrja ose kryeministri t’i përgjigjen një për një pyetjeve të mia.

Pa spekulime për mllefe, siç e bëni përherë, kur doni ti bishtënoni së vërtetës. Edhe mund të spekuloni, por kjo do meritojë vetëm përbuzje.

Pa nënqeshje për LIBRAt, siç shtërngoheni kur doni t’i përvidheni detyrës suaj për transparencë. Edhe mund të vazhdoni, por kjo gjë më bën vetëm krenare se bashkë me mijra të tjerë kemi vënë dijen dhe librin në qendrën e veprimit tonë politik. 

Sido që të përgjigjeni, mua nuk më trazoni aspak. Veçse duhet të kryeni detyrën tuaj për transparencë në ndarjen e fondeve publike për universitetet, këtu, para njerëzve.

Përgjigjuni këtu, para shqiptarëve, në mos për të sqaruar, se nuk mund të sqaroni atë që nuk e dini as vetë, të paktën për të na dhënë spektaklin e paaftësisë dhe keqdashjes suaj ndaj arsimit publik.