Editoriale

Thomas Piketty

Përgatitur nga Ilir Sinanaj 

Le të thuhet menjëherë: Fitorja e kandidatit Republikan Trump erdhi kryesisht për arsye të një thellimi të shpejtë në pabarazi ekonomike dhe gjeografike në Shtetet e Bashkuara përgjatë disa dekadave dhe paaftësia e qeverive të njëpasnjëshme për t’u përballur me këtë gjë.

Si administrata “Clinton” ashtu edhe administrata “Obama” shpesh ishin në një linjë me liberalizimin e tregut, që ishin jetësuar si ide gjatë periudhës kur presidentë ishin Regan dhe të dy Bush-ët. Megjithatë, ajo që i vuri kapakun rezultatit, ishte dyshimi që ekzistonte se Demokratët ishin shumë të afërt me Wall Street-it dhe paaftësisë së elitave politiko-mediatike Demokrate që të nxirrnin mësime nga vota e Sanders, që garoi për të qenë kandidat për zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve nga Partia Demokratike. 

Hillary fitoi votën popullore vetëm me shumë pak (60.1 milionë vota kundër 59.8 milionë vota për Trump, nga një total prej 240 milionë qytetarësh në moshë për të votuar), por pjesëmarrja e më të rinjve dhe qytetarëve të shtresave me të ardhurat më të ulëta ishte tepër e vogël për të mundësuar fitoren në shtete kyçe. 

Tragjedia është se programi i Trump vetëm sa do të përforcojë tendencën drejt pabarazisë. Ai ka ndërmend të heqë siguracionin shëndetësor që u vendos me mundime nga administrate “Obama” për punonjësit me të ardhura të ulëta dhe ta vendosë vendin në një rrugëtim drejt zvogëlimit të taksave, me një ulje të nivelit të taksave federale mbi fitimin e korporatave nga 35% në 15%. Ndërkaq deri më tani, Shtetet e Bashkuara i kanë rezistuar kësaj tendence, e cila tashmë është parë në Evropë.

Për më tepër, roli një rritje i përkatësisë etnike (prejardhja apo origjina) në politikë në Amerikë po jep shenja jo të mira për të ardhmen nëse nuk gjenden kompromise të reja. Në Shtetet e Bashkuara, 60% e votuesve të bardhë që përbëjnë pjesën më të madhe në SHBA-ve votojnë për një parti, ndërsa mbi 70% e votuesve nga minoritetet votojnë për tjetrën. Në lidhje me këtë, pjesa më e madhe është në prag të humbjes së avantazhit numerik  (70% e votave në vitin 2016, krahasuar me 80% në vitin 2000 dhe më 50% që parashikohet në vitin 2040). 

Leksioni kryesor për Evropën dhe botën është i qartë: si një çështje urgjente, duhet një riorientim rrënjësor i globalizimit. Sfidat kryesore të kohëve tona janë rritja e pabarazisë dhe ngrohja globale. Kështu, duhet të zbatojmë marrëveshje ndërkombëtare që të na mundësojnë t’u përgjigjemi këtyre sfidave dhe të promovojmë një model për zhvillim të ndershëm dhe të qëndrueshëm.

Marrëveshje të një lloji të ri, nëse është e nevojshme, mund të përfshijnë masa që kanë për qëllim lehtësimin e këtyre shkëmbimeve. Por çështja e liberalizimit të tregtisë nuk duhet më të jetë fokusi kryesor. Tregtia duhet të bëhet përsëri një mjet në shërbim të qëllimeve më të mëdha. Asnjëherë nuk duhet të ishte bërë ndonjë gjë tjetër përveç kësaj.

Nuk duhet të ketë më firmosje të marrëveshjeve ndërkombëtare që zvogëlojnë rolin e doganave dhe barrierave të tjera tregtare, pa përfshirë masa sasiore dhe detyruese për të luftuar zvogëlimin e fuqisë fiskale dhe ligjeve për mbrojtjen e klimës, në po këto marrëveshje. Për shembull, mund të ketë nivele minimale të përbashkëta të taksës së korporatave dhe objektiva për nivelin e lejuar të lëshimit të substancave me karbon në atmosferë, të cilat mund të verifikohen dhe të sanksionohen me ligj. Nuk është më e mundur të negociosh marrëveshje tregtare, për tregti të lirë, pa marrë diçka në shkëmbim

Nga ky këndvështrim, CETA, marrëveshja e tregtisë së lirë midis BE-së dhe Kanadasë, duhet të mos pranohet. Është një marrëveshje që i përket një epoke tjetër. Kjo marrëveshje tërësisht tregtare nuk përmban absolutisht asnjë masë kufizuese në lidhje me çështje fiskale dhe të klimës. Ndërkaq, marrëveshja përmban një referencë të konsiderueshme për “mbrojtjen e investitorëve”. Kjo u mundëson korporatave shumëkombëshe të ngrenë padi ndaj shteteve në gjyqe private të arbitrazhit, të anashkalojnë gjykatat publike që janë për të gjithë 

Mbikëqyrja ligjore e propozuar është qartësisht e papërshtatshme, në veçanti për sa u përket çështjeve kyçe të shpërblimit të gjykatësve-arbitra dhe kjo do të çonte në lloj-lloj abuzimesh. Në të njëjtën kohë kur imperializmi ligjor amerikan është duke u fuqizuar dhe duke imponuar rregullat dhe detyrimet e veta mbi kompanitë tonë, kjo rënie e drejtësisë publike është një anomali e pakëndshme. Prioritetit, në të kundërt, duhet të jetë ndërtimi i autoriteteve të forta publike, me krijimin e një institucioni prokurori, duke përfshirë një prokuror shteti evropian, e aftë për të zbatuar vendimet e veta. 

Marrëveshja e Parisit kishte një qëllim tërësisht teorik për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius. Sipas kësaj marrëveshje, për shembull, do të kërkohej që nafta në zonat e rërave me bitum në Alberta të Kanadasë të mos nxirret. Por Kanadaja sapo ka filluar nxjerrjen e naftës në atë zone. Pra, çfarë kuptimi ka të firmosësh këtë marrëveshje dhe më pas, vetëm pak muaj më vonë, të firmosësh një marrëveshje tregtare me shumë kufizime pa e përmendur njëherë këtë çështje?

Një marrëveshje e ekuilibruar midis Kanadasë dhe Evropës, që ka për qëllim promovimin e partneritetit për zhvillim të ndershëm dhe të qëndrueshëm, duhet të fillojë duke përcaktuar objektiva të sasisë së lëshuara në ajër të substancave të karbonit për çdo dokument të firmosur dhe angazhimin praktik për t’ia arritur kësaj.

Në lidhje me lehtësirat fiskale dhe nivelit minimal të taksimit të fitimeve të korporatave, kjo qartësisht do të thoshte një ndryshim të plotë të modelit për Evropën, e cila u ndërtua si një hapësirë të tregtisë së lirë pa një politikë fiskale të përbashkët. Ky ndryshim është jetik. Çfarë kuptimi ka të biesh dakord për një politikë fiskale të përbashkët (e cila është e vetmja fushë ku Evropa ka bërë pak progres aktualisht), nëse çdo vend mund të vendosë në nivel afër zeros dhe mund të tërheqë të gjitha selitë e kompanive të mëdha?

Është koha për të ndryshuar debatin politik mbi globalizimin: tregtia është një gjë e mirë, por zhvillimi i ndershëm dhe i qëndrueshëm kërkon gjithashtu shërbime publike, infrastrukturë, sisteme shëndetësie dhe arsimimi. Nga ana tjetër, këto në vetvete kërkojnë një sistem taksimi të ndershëm. Nëse dështojmë për t’i bërë këto, Trump-izmi do të mbizotërojë.

Thomas Piketty

Thomas Piketty (lindur më 7 maj 1971) është një ekonomist francez, i cili specializohet në studimet për pasurinë dhe pabarazinë në të ardhurat, e parë nga një perspektivë historike dhe krahasuese Ai është profesor në École des Hautes Études en Sciences Sociales (EHESS) në Francë. Në vitin 2002 ai u vlerësua me çmimin e ekonomistit të ri më të mirë në Francë. Ndërsa në vitin 2013 ai u vlerësua me çmimin “Yrjö Jahnsson”, një çmim ky i mbështetur nga Fondacioni “Yrjö Jahnsson” dhe nga Shoqata Ekonomike Evropiane (EEA), që i jepet ekonomistëve të ri për një kontribut në punën kërkimore teorike dhe të aplikuar që ka një rëndësie të madhe për studimin e ekonomisë në Evropë. 

Piketty ka luajtur një rol të rëndësishëm në themelin e institut francez kërkimor, l’École d'Économie de Paris. Ky institut u themelua si një koalicion institucionesh arsimore të larta, me qëllim që të bashkoi punën kërkimore në fushën e ekonomisë të të gjithë botës akademike franceze. Piketty ka qenë presidenti i parë i l’École d'Économie de Paris në vitin 2006, kur edhe u themelua

Piketty është edhe autor i librit “Kapitali dhe Shekulli XXI” në vitin 2013, i cili vë theksin në lëmin e veprimtarisë së tij akademike  mbi përqendrimin dhe shpërndarjen e pasurisë në këto 250 vitet e fundit. Sipas këtij libri argumentohet se niveli i kthimit të kapitalit në vendet e zhvilluara është në mënyrë të vazhdueshme më e madhe se niveli i rritjes ekonomike, dhe se kjo do të shkaktojë që pabarazia e pasurisë të rritet në të ardhmen. Për të zgjidhur këtë problem Piketty ka propozuar rishpërndarjen e pasurisë, nëpërmjet një takse progresive globale mbi pasurinë.