LIBRA tani më pranë qytetarëve të Pogradecit.
Nga sot, hapet zyra e re e LIBRA në qytetin e Pogradecit.
Adresa Rruga e Xhamisë Lagjia 2
LIBRA tani më pranë qytetarëve të Pogradecit.
Nga sot, hapet zyra e re e LIBRA në qytetin e Pogradecit.
Adresa Rruga e Xhamisë Lagjia 2
Në datën 22 shkurt 2017, Kryetari dhe deputeti i LIBRA-s në Kuvendin e Shqipërisë, Z. Ben Blushi zhvilloi një takim me Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Tirane, Sh.T.Z. Johann Sattler.
Tema kryesore e takimit kishte të bënte më situatën e tensionuar në vend, si pasojë e protestës së opozitës, si dhe rrezikun serioz të krijuar në vend për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Z. Blushi iu përgjigj shqetësimit të diplomatit austriak në lidhje me situatën e tensionuar politike, si pasojë e kërkesës së opozitës për zbatimin e votimit elekronik dhe krijimin e një qeverie teknike për administrimin e këtyre zgjedhjeve duke nënvizuar se zgjedhjet e ardhshme rrezikojnë seriozisht të mos respektojnë standartet e kërkuara dhe të vëna si kusht nga Bashkimi Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Kjo për arsye se, ekziston rreziku se paratë e krimit dhe të kanabizimit të vendit do të mund të shërbejnë për deformimin e votës të shqiptarëve.
Gjthashtu, interesimit të diplomatit austriak lidhur me qëndrimin e LIBRA-s për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, Z. Blushi iu përgjigj se partia që ai drejton e shikon si tepër të vështirë për kohën e mbetur, zbatimin e sistemit të votimit elektronik, por ai ritheksoi edhe një herë kërkesën e LIBRA-s, që gjatë këtyre zgjedhjeve të mundësohet zbatimi i numërimit elektronik të votave. Ky sistem kërkon më pak kohë dhe investime për vënien në zbatim dhe rezultatet do të ishin me shumë rëndësi dhe impakt për partitë e reja si LIBRA, të cilat nuk janë të përfaqësuara me komisionerë në çdo qendër votimi.
Z. Blushi e informoi Ambasadorin austriak se këtë kërkesë për të ndihmuar Shqipërinë në përmirësimin e organizmimit të sistemit të zgjedhjeve nëpërmjet numërimit elektronik të votave, ia kishte përcjellë gjatë ditës së sotme edhe raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetit Knut Fleckenstein.
Z. Blushi shtoi gjithashtu, se është shqetësues fakti se nuk shikon nga qeveria aktuale asnjë shenjë për qetësimin e situatës dhe krijimin e një dialogu me opozitën. Qeveria aktuale sipas tij është përgjegjëse për këtë situatë, sepse nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret dhe asnjë iniciativë, për të manifestuar realisht vullnetin e saj për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ambasadori Sattler shprehu shqetësimin për këtë situatë tepër të tensionuar dhe theksoi se rruga më e mirë është arritja e një konsensusi për organizimin e këtyre zgjedhjeve sipas standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ai ritheksoi se mos respektimi i standarteve të zgjedhjeve dhe bllokimi i procesit të vetingut janë dy faktorët kryesorë që do të bllokonin çeljen e negociatave të vendit tonë me BE.
Lidhur me interesimin e Ambasadorit për aspiratat e LIBRA-s në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe pjesëmarrjen në një koalicion të mundshëm parazgjedhor, Z. Blushi theksoi se LIBRA si një parti e shtresës së mesme, e cila po gjen përkrahje gjithnjë e më të gjerë në qytetet kryesore të vendit, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korcë, Elbasan etj, e shikon tepër të vështirë hyrjen në një koalicion me dy partitë e vjetra, të cilat janë përgjegjëse bashkarisht për këtë situatë të krijuar në vend.
KËRKESË
KËRKUES: Subjekti zgjedhor Partia “Lista e Barabartë”, me germa nistore “LIBRA”, përfaqësuar nga Kryetari i saj, deputet, Ben BLUSHI.
OBJEKTI: Kërkojmë që KQZ të mos miratojë shtesën e nenit 8/1 të pikës 1.1 të aktit të parashikuar në rendin e ditës të datës 16.02.2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013 “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve””,
BAZA LIGJORE: Neni 22 i ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndyshuar).
DREJTUAR: Anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
Të nderuar anëtarë të KQZ
Partia “Lista e Barabartë”, me gërma nistore “LIBRA”, përfaqësuar nga Kryetari i saj, deputet, Ben BLUSHI, është regjistruar si subjekt zgjedhor me vendimin nr 37 datë 07.02.2017 të KQZ.
Nga faqja e zyrtare e KQZ jemi vënë në dijeni se në rendin e ditës së mbledhjes së KQZ së datës 16 Shkurt 2017, është për shqyrtim dhe vendimarrje edhe projektakti “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013 “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”.
Në faqen zyrtare të KQZ kemi gjetur projektaktin në fjalë, si dhe Relacionin e drejtorisë juridike mbi këtë. Me këtë projektakt, në pikën 1.1 të tij, synohet të shtohet Neni 8/1 në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2015 me këtë permbajtje:
“Neni 8/1
Vërtetimi për zotërimin e mandatit
Vërtetimi i Kuvendit për zotërimin e mandatit është i vlefshëm vetëm nesë vërteton se partia politike/koalicioni zgjedhor/kandidati i propozuar nga zgjedhësit zotëron mandat në Kuvend të paktën 6 muajt e fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për rregjistrim të listave.”
Ju informojmë që me datën 23 Janar 2017, Kuvendi i Shqipërisë, me shkresën Nr. 226/1 Prot. datë 23.01.2017 ka lëshuar pikërisht një vërtetim, si ai të cilit i referohet neni i sipërcituar. Me këtë shkresë vërtetohet se Partia “Lista e Barabartë”, me germa nistore “LIBRA”, plotëson kushtin e parashikuar në pikën 3 të nenit 68 të ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndyshuar), sepse zotëron mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit nga përfundimi i mandatit të Kuvendit që i përket Legjislaturës së VIII-të, të tij.
Ju informojmë që me datën 30 Janar 2017, i jemi drejtuar KQZ me kërkesën për konstatimi e vërtetimit të plotësimit të kushtit parashikuar prej pikës 3 të nenit 68 të ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008“Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndyshuar), “për zotërimin e mandatit të paktën 6 muajt e fundit", prej subjektit zgjedhor,“Lista e Barabartë”, me germa nistore “LIBRA”.
Theksojmë se nisma për t’i bërë shtesa Udhëzimit nr. 2, datë 29.01.2013, me nenin 8/1, vjen menjëherë pas kërkesës sonë për konstatimin e vërtetimit të sipërcituar të Kuvendit të Shqipërisë dhe vjen për shkak të kësaj kërkese. Duket qartë që ky ndryshim cënon drejtpërdrejt dhe vetëm interesin e një partie politike, partisë LIBRA.
Vërejmë se:
Shtesa në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2014, me nenin 8/1, në kundërshtim me sa është shkruar në Relacionin Shoqërues të tij, nuk vjen si pasojë e asnjë ndryshimi ligjor apo shkaku tjetër që përligj ndryshimin (rekomandimi të dalë lidhur me këtë çështje prej raportit të OSCE/ODIHR 2015).
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë ia lë institucionit të Kuvendit të drejtën e interpretimit të nenit 68.3 dhe detyrën e zbatimit të këtij neni. Kuvendi i Shqipërisë është i vetmi organ që në bazë të ligjit ka të drejtë të lëshojë një vërtetim të tillë.
“Neni 68.3:Për qëllim të këtij neni, partia politike ose koalicioni paraqet një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga institucioni i Kuvendit apo njësia e qeverisjes vendore, ku vërtetohet zotërimi i mandatit të paktën 6 muajt e fundit.”
Pika 1.1 (neni 8/1) i projektaktit që kërkohet të miratoni, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013 “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve” bie në kundërshtim me nenin 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku sanksionohet se Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.
Ky nen bie në kundërshtim dhe me nenin 9 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndyshuar), i cili parashikon: …Për efekt të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij.
Ky nen bie në kundërshtim dhe me vendimin nr. 44, datë 07.10.2011 të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton se koncepti i mandatit të deputetit, i fillimit dhe i mbarimit të tij, nuk mund të intepretohet dhe të zbatohet veçmas dhe i shkëputur nga koncepti kushtetues dhe ligjor i fillimit dhe i mbarimit të mandatit të Kuvendit.
Që prej miratimit të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndyshuar), ka patur precedentë të tjerë, ku Kuvendi i Shqipërisë ka lëshuar vërtetime për zotërim mandati deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Interpretimi i ri që synohet me nenin 1 të aktit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013 “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”, nuk shkon në përputhje me qëllimin, stabilitetin, besueshmërinë dhe efektivitetin që synon vetë norma, neni 68.3 i Kodit Zgjedhor, çka bazuar në jurispricencën e Gjykatës Kushtetuese (vendimi nr. 34, datë 20.12.2005, nr. 52, datë 01.12.2011 dhe nr.43 datë 26.06.2015 i GJK) çon në cënimin e parimit të shtetit të së drejtës të sigurisë juridike.
Për këto arsye, bazuar në nenin 22 të ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndyshuar), Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendimit nr. 44, datë 07.10.2011 të Gjykatës Kushtetuese,
Kërkoj: Që KQZ të mos miratojë shtesën e nenit 8/1 të pikës 1.1 të aktit të parashikuar në rendin e ditës të datës 16.02.2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013 “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve””
Kësaj kërkese i bashkëngjis:
-Kërkesën e subjektit zgjedhor Partia “Lista e Barabartë”, me germa nistore LIBRA, depozituar në KQZ me datë 30.01.2017
-Shkresën Nr 226/1 Prot datë 23.01.2017 të Kuvendit.
KËRKUES
Kryetari i Partisë “Lista e Barabartë”
me germa nistore “LIBRA”
Ben BLUSHI