Propaganda “bajatë” e zotit Edi

 

“Marrëdhënia me publikun e politikës është një proces menaxhimi nëpërmjet të cilit një organizatë politike ose aktor politik për qëllime politike, nëpërmjet një komunikimi dhe aksioni të qëllimtë, synon të influencojë, krijojë apo forcojë imazhin e saj/tij, për të arritur misionin e saj/tij apo qëllimet individuale në fushën politike”. Ky është koncepti pak a shumë i PR(Public relations) të marrëdhënieve të politkës me publikun.  

Tani të kaloj në temë pa u zgjatur. 

Pa dashur të zhvilloj një analizë mbi baza politike ndaj një personi apo ideje politike, do të rendis faktorët si fillim e më pas do dal në konkluzionet përkatëse, duke shpjeguar pse kam arritur te titulli i mësipërm i materialit. 

Kam marrë në shqyrtim disa detaje në komunikimit politik të kryeministrit Edi Rama me publikun shqiptar përgjatë viteve të qeverisjes nga 2013-ta e më pas. 

Ja cilat janë disa prej elementëve më karakterizues të komunikimit të tij politik me qytetarin shqiptar në bazë të këndvështrimit personal. 

1.Batuta në takime me qytetarët, përdorimi i dialekteve të zonave të ndryshme

Të gjithë e njohin “babaxhanllëkun” që përpiqet të përçojë te qytetarët kreu i qeverisë nga takimet e tij me qytetarët, pa harruar këtu përdorimin në mënyrë perfekte të dialekteve të zonave të ndryshme shqiptare, nëpërmjet të cilave ai afrohet akoma më shumë me njerëzit “shpirtërisht”. Por a është kjo mënyrë komunikimi e mjaftueshme në kushtet ku ndodhet Shqipëria sot? A janë të nevojshme këto lloj mënyrash komunikimi? A mos ndoshta duhet që kreu i një koalicioni që mori 1 milion vota të fokusohet pak më tepër te thelbi, dhe jo te dukja e jashtme?

Forma të tilla mund të përdoren përgjatë fushatave elektorale, brenda një kufiri të lejueshëm, por nëse kjo vijon edhe përgjatë qeverisjes, siç në fakt ka ndodhur, kjo kthehet në demagogji dhe sëmundje dukjeje më tepër sesa “imazh individual” i një kryeministri. 

2. Xhupat me stema të skuadrave. Pritja e kombëtares shqiptare pas Europianit

Tashmë jemi mësuar me faktin që kemi një kryeministër tifoz. Ose më saktë që hiqet si tifoz, në një terren ku shumica dërrmuese ndjekin futbollin si formë harrese e problemeve më tepër se për tifozllëk. Dhe Rama është i zgjuar në fakt. Ai ka kapur thelbin. E di shumë mirë çfarë duan njerëzit, dhe i jep atë që duan. Daljet e tij me xhupa me stema të Juventus, Lacio, Bayern Munich, apo pritjet e përcjelljet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit përgjatë vitit më të suksesshëm të saj, janë kthyer në refren të komunikimit të tij politik. Pse duhet të lodhet me përmbajtje e punë për të hapur ndonjë vend punë? Me një stemë ekipi që ka mijëra ndjekës mjafton, e përçon mesazhin. 

3. Ngacmimi i temave nacionaliste dhe hedhja hi syve të publikut. Vizita në Beograd, amarcord i Akropolit në Greqi

Vizita e Ramës në Beograd dhe ligjërata e fortë e përdorur me kryeministrin serb Vucic u komentua si një pikë e fortë e tij, dhe “shfaqje force” e Shqipërisë në politikën e jashtme, një gjë kjo që mesa duket neve na ka munguar. Dhe në fakt edhe në këtë rast Rama i’a arriti qëllimit. U trumbetua si lider i fortë që i tregon vendin atyre që nuk na duan. Por vetëm kaq. Sepse vizita në Beograd, përveçse për t’i hedhur hi syve Evropës se po rregullohen raportet me Serbinë, dhe se ne po ecim në rrugën e duhur drejt BE-së; nuk i shërbeu as dreqit. 

E njëjta gjë ndodhi pak kohë më parë me shpronësimet në Himarë, çka ngjalli reagime të forta nga himariotët, një pjesë e të cilëve komunitet grek. Kreu i qeverisë jo vetëm që nuk e la me aq, por në të njëjtat ditë shpalosi edhe amarcordin e tij për Akropolin, duke thënë se u ndërtua nga një shqiptar. Si pasojë, raportet tona me Greqinë prej disa kohësh janë “konfliktuale”. 

4. Shpërblimi për vit të ri i pensionistëve dhe rritja e rrogave të arsimtarëve në prag të zgjedhjeve

Siç është bërë zakon tashmë, hienat e politikës hidhen  në sulm përherë në vitin elektoral, ku e ku të kapin llokma sa më të mëdha. Duke qenë se ka në dorë qeverinë, Rama e di shumë mirë se një pjesë e madhe e pensionistëve votojnë majtas. Për këtë arsye ai u jep një shpërblim pre 6.000 lekësh me rastin e festive të fundvitit dhe i “ngroh shpirtërisht”, pa ç’ka se për 4 vitet e ardhshme, mosha e tretë do të vijojë të jetë shumë poshtë kufirit të minimumit jetik.  

E njëjta politikë do të kryhet në prag të zgjedhjeve të vitit 2017-të, me rritjen e rrogave të arsimtarëve, që sigurisht do të pasohet nga rritja e taksave mbi rrogën, e gjithçka shkon ku ka qenë. Ta gëzojmë rritjen ekonomike!

5. Përgjigjia me batuta në facebook-un personal si përpjekje për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarin

Është bërë e udhës komunikimi i kryeministrit Rama në facebook me ndjekësit e tij. Në rastet kur ndeshet me kundërshti të qytetarëve, ai i kalon me batuta ose sulme personale ndaj secilit prej individëve. Por duhet ta pranojmë. Edhe këtu është i zoti. Sepse ai e di se batuta është më mirë se logjika dhe arsyetimi. Hedhja hi syve është kthyer në refren të qeverisjes së këtyre 3 viteve. Puna është shumë “mainstream”, propaganda është në modë. 

6. Punësimi i një armate ushtarësh militant për të komentuar në rrjete sociale

“Mbytja” e rrjeteve sociale, portaleve më të lexuara, me komente anonimësh është bërë e zakonshme tashmë. Dhe të gjithë e dinë nga vijnë këto komente. Është punësuar një ushtri personash që kryejnë vetëm këtë proces, uzurpimin e lirisë së rrjeteve sociale, sepse zyra e propagandës së kryeministrit e di që nuk mund ta bllokojë tërësisht, një bllokim që ia ka dalë më së miri ta realizojë me mediat kryesore në vend, me privilegje e premtime nga më të shumëllojshmet për “kastën mediatike” të vendit, që ka harruar të kritikojë qeverinë. Ose edhe në rast se e kritikon, edhe kjo është e programuar, e bëhet për të dhënë idenë e lirisë mediatike. 

7. Solidariteti për familjet e përmbytura dhe dhënia e ndihmave ndaj tyre

Familjet e përmbytura i morën dëmshpërblimet. U takon. Por s’ka pse kjo të përdoret si “as” për përfitime politike dhe propagandë. Për çfarë po pagueni nga taksat tona, e përse jeni zgjedhur në krye të qeverisë z.kryeministër? Për të pushtuar ekranet nga mëngjesi në darkë me bëmat e arritjet tuaja, që në fakt nuk janë aspak të tilla, por veç propaganda, apo të punoni që qytetarët të shohin pak dritë?

8. Ndihma ndaj personave në nevojë në fundvit

Çdo politikan e ka mësuar tashmë hilen e të takuarit të njerëzve të varfër sidomos me rastin e festave. U japin lëmoshë për pak ditë, e i grabisin ditën për diell pjesën tjetër të vitit. Kryeministri është mjeshtër në këtë aspekt. Edhe ai i bëri disa foto me të moshuarit, në qendra sociale në Tiranë. I dashuri, babaxhani, respektuesi i moshës së tretë. Bravo! Ja arrite qëllimit zoti Edi! 

9. Rregullimi i fasadave në qendrat e qyteteve(duke e ditur se historikisht shoqëria shqiptare ka vlerësuar dukjen më tepër se përmbajtjen)

Kjo më duhet ta pranoj nuk është totalisht propagandë, sepse në fakt qeveria e ka kthyer në formë qeverisje FASADËN. Për ta fasada është edhe bukë edhe gjellë. Bojatisje, bojatisje! T’i gëzojmë sheshet, pedonalet, kullat, bojën e pallateve! Një dolli për BETONIN!

10. Puthja e dorës së moderatores Eni Vasili, tërheqja e veshit të Blendi Fevziut

Pak kohë më parë kryeministri puthi në fund të emisionit dorën e moderatores Eni Vasili, si për të treguar respektin ndaj femrave e xhentilesën fine të tij. Edhe në këtë rast ia arriti qëllimit, sepse vëmendja kaloi te gjesti e jo te intervista në tërësi. E njëjta gjë mund të thuhet për gjestin e “tërheqjes së veshit” të gazetarit Blendi Fevziu. 

 

I dashur zoti Edi, e dimë më se miri se politika juaj është e bazuar te imazhi më tepër se te përmbajtja që prej kohës kur drejtonit bashkinë e Tiranës e dilnit me sëpatë për të prerë shtyllat. 

Tashmë ju jeni drejtues i qeverisë, dhe duhet të mendoni pak më tepër për përmbajtjen sesa për formën. Sigurisht që nuk do ta bëni! 

Në fakt nuk mundeni, sepse po kaluat në përmbatje ju bie bojatisja e suvasë së fasadës. 

Jemi mësuar me propagandën e kthyer në “bajate” tashmë. Nuk ka shije asgjë prej atyre që thoni. Sepse shija vjen nga ushqimi, që mungon në shumë tryeza shqiptarësh të varfër e të ndershëm sot. 

Prandaj vazhdoni kështu edhe pak muaj, për t’u larguar krej karriges ku ndodheni si lideri i radhës, i një vendi të varfër e të vogël, që ju besoi masivisht për një ndryshim që nuk erdhi kurrë. 

 

 

 

 

 

 

Nga Drini Brokaj

Po afrojnë festat e fundvitit dhe nuk shoh njerëz të gëzuar, nuk shoh qytetarë me fytyra të qeshura të shkojnë në dyqane dhe të bëjnë blerjet e festave me kënaqësi. Pyes miqtë e mi dhe më thonë:  "aman ç'tu bëjmë fëmijëve se kush e do këtë vit të ri se nuk ia kemi ngenë". Dhe meqë ra fjala të vetmet fytyra të lumtura që kam parë ditët e e fundit janë ato të fëmijëve dhe tek, tuk të ndonjë të rrituri.  Fëmijët e kanë me hak se do t’u vijë Babagjyshi dhe diçka do t’u sjelli dhe festat të tyret janë. Për koincidencë tek ato pak fytyra të lumtura të rritura që kam dalluar me rëzultojnë drejtora ose njerëz me pozitë. Në minimarketin që shkoj gjithmonë, më bëri përshtypje që akoma nuk ka futur për shitje gjelat e detit dhe e pyeta pse? Më mirë t’u shkruaj një kg miell e një kg sheqer sesa një gjel më thotë. Nuk mban më lista dhe aq më tepër kaposha deti. Shkoj për kafe dhe në atë zonë ku rri unë ( tek Aleksandria ) të gjithë lokalet pothuajse janë kthyer edhe pika bastesh.