Ekonomi

Nga Ervin Terziu

Shkak për këtë shkrim janë bërë disa debate, gjithmonë kostruktive, që kam patur kohët e fundit me miq e shokë në lidhje me situatën e investimeve të huaja në Shqipëri dhe politikat që duhen ndjekur në të ardhmen në lidhje me to. Me habi vërej se mendimit tim për domosdoshmërinë e aplikimit të një politike fiskale agresive për thithjen e investimeve të huaja, shumëkush, dhe jo vetëm biznesmenë apo menaxherë të lartë, vihet menjëherë në pozicione mbrojtëse të tipit: -përse të ndihmojmë të huajin dhe jo biznesmenin shqiptar? -një favorizim i tillë do t’u bëjë konkurrencë të pandershme sipërmarrësve shqiptarë që deri më tani kanë investuar në këtë vend; -e kupton se sa biznese do të mbyllen me ardhjen e investitorëve të huaj? E midis këtyre ka edhe nga ata që shqetësohen për humbjen e sovranitetit kombëtar. 

Por a përbëjnë vërtet një rrezik për ekonominë dhe sovranitetin e vendit investimet e huaja direkte, apo proteksionizmi shqiptar buron nga njëfarë pasigurie dhe frike për prishjen e rutinës dhe të disa ekuilibrave deri diku komode edhe pse jo plotesisht në përputhje me aspiratat evropiane dhe me zhvillimin ekonomik të vendit? Per t’iu pergjigjur kësaj pyetje na duhet të njihemi me efektet reale ekonomike të lëvrimit të investimeve të huaja në një vend si i yni?  

Mbi këtë çështje ekonomistë të ndryshëm kanë kryer studime të shumta dhe rezultatet e tyre, gati në unanimitet kanë treguar se ky proces, i kryer mbi bazen e një studimi të mirëfilltë strategjik, sjell një seri benefitesh, imediate dhe afatgjata, për ekonominë e vendeve në zhvillim. Por këto efekte pozitive, jo të gjitha dhe jo për të gjithë janë të prekshme e të kuptueshme, ndaj është e nevojshme të ndalemi një moment në përcaktimin dhe në efektet reale të tyre per ekonominë shqiptare. Për t’a bërë këtë na vjen në ndihmë skema e paraqitur nga ekonomisti anglez Charls Ë.L. Hill në veprën e tij “International Business. Competing in the Global Marketplace” e cila njihet si një nga studimet më komplete në lidhje më tregtinë nderkombetare dhe lëvizjen e kapitaleve në një ekonomi të globalizuar.

Efekti në transferimin e resurseve. Ky efekt sjell rezultate pozitive në ekonomitë pritëse si pasojë e importimit të tre categorive kryesore të aseteve ekonomike:

Kapitali – qe mund te konsiderohet pa frike si oksigjeni i ekonomise moderne. C’është e vërteta, nga tre kategoritë është ndoshta aseti që mungon më pak në ekonominë shqiptare, por për nje seri arsyesh qe do te përmend më poshtë, ato nuk arrijnë të krijojnë një zhvillim ekonomik të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm për vendin; 

Teknologji – është aseti për të cilin ekonomia shqiptare ka nevojë jetike në mënyrë që të rrisë kompetitivitetin e saj në lidhje me ekonomitë e rajonit dhe më tej. Cështja e kompetitivitetit është një cështje sa e gjerë aq edhe e komplikuar sa, të paktën, do të kërkonte një shkrim më vete, por në këtë artikull limitohem duke e permendur për shtytjen që do të pësonte ajo nga importi i tecnologjive të vendeve të avancuara. Realisht, përvec investimeve të huaja direkte, nuk shoh ndonje mënyrë tjetër që do të mundësonte futjen e tecnologjive bashkëkohore në masë të gjerë në ekonominë shqiptare. Për hir të së vërtetës, disa sipërmarrës vendas kanë bërë përpjekje në këtë drejtim, por kjo, edhe kur funksionon, ka kosto të larta për shkak të mungesës së specialistëve dhe teknikëve të aftë për implementimin dhe mirëmbajtjen e këtyre teknologjive.   

Management – edhe importi i kësaj kategorie është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Nuk dua të ofendoj askënd me këtë, por është fakt që niveli menaxherial i ekonomisë shqiptare është ekstremisht i ulët për atë që bota perëndimore dhe ekonomia globale kërkon. Kjo jo vetëm për faktin se niveli i universiteteve tona është ai që është, por edhe për faktin se veprimi në një ambjent të rrushfetit, të tenderave publikë si e vetmja arsye e të bërit biznes dhe të kufizimit të forcuar të konkurrencës, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme, bën që edhe menaxherë të formuar në fakultete ekselence evropiane apo amerikane, të përfundojne në llogaritarë të thjeshtë e zbatues të linjës së veprimit të përcaktuar nga pronari apo kush për të.   

Punësimi. Në këtë pikë besoj se nuk ka nevojë të zgjatem, pasi është pika që vë dakord të gjithë për sa i perket nevojës urgjente që ka shoqeria shqiptare për krijimin në masë te vëndeve të reja të punës dhe per domosdoshmerine e investimeve ne prodhim e teknologji si e vetmja rruge t’a bërë këtë, por është interesante të përmënden dy mënyrat e ndikimit të investimeve të huaja në uljen e papunësise:

Direkte – nëpërmjet punësimit të personave të aftë për punë në sipërmarrjet e huaja

Indirekte – 

vënde pune të krijuara nga furnizuesit lokale të sipërmarrjes së huaj

vënde pune të krijuara nga rritja e shpenzimeve të punonjësve të shoqerive multinacionale.

Efektet mbi konkurrencën dhe mbi rritjen ekonomike. Është lehtësisht e kuptueshme që hyrja në tregun shqiptar e prodhuesve të huaj rrit konkurrencën në këtë treg, duke shkaktuar në këtë mënyrë një rritje të cilësisë së mallrave e shërbimeve, ulje të cmimeve e rritje të mirëqënies së konsumatorit. Shumëkush më ka kundërshtuar shpesh në këtë pikë me argumentin se rritja e konkurrencës dhe rrjedhimisht, ulja e cmimeve do të bënte që të falimentonin shumë prodhues apo tregtues të vegjel vëndas. Por  në këndvështrimin tim, kjo është si të shqetësohesh se shumë bar-kefe, si pasojë e hapjes së vëndeve të reja të punës, do të duhet të falimentojnë nga mungesa e klientelës. Ka ardhur momenti për të menduar seriozisht si ekonomia shqiptare duhet të lëvizë drejt aktiviteteve eficiente dhe me vlerë të shtuar të lartë, dhe jo të mendojmë si të mbajmë në jetë aktivitete që në kushte normale nuk kanë arsye ekzistence ose të paktën, jo në sasi industriale sic ndodh rëndonte me shume sipermarrje të ekonomisë shqiptare. 

Nga ana tjetër, rritja e konkurrencës tendon te rrisë investimet në kapital, gjë që në ekonominë shqiptare mungon prej vitesh pikërisht për shkak të asaj përgjumjeje që e pllakos sipërmarrjen kur vepron në një ambjent pak dinamik dhe pak konkurrencial.  

Gjithashtu, në terma afatgjatë, thithja e investitorëve të huaj do të conte në rritje të produktivitetit te ekonomisë shqiptare, rritje të novacionit të produkteve dhe të proceseve dhe si rezultat, rritje më të lartë ekonomike. Në këtë pikë ia vlen të ndalemi një moment. Sic e përmenda në pjesën e parë të shkrimit, mendimit tim për një nevojë urgjente të marrjes së masave në të gjitha drejtimet për thithjen e investimeve të huaja, shumëkush i kundërvihet me argumentin,- përse të mos e bëjmë atë me sipërmarrësit shqiptarë? Le ta zëmë për një moment se kundërshtarët e mendimit tim kanë të drejtë dhe nga nesër shteti shqiptar i jep jete një politike fiskale dhe jo vetëm, lehtësuese për të gjitha investimet vëndase qe tejkalojne nje kapital te caktuar. Cilat do të ishin efektet?  Faktikisht, sic e përmënda dhe më sipër, kapitalet, të bardha e të zeza,  brënda vëndit nuk mungojnë e në të njëjtën kohë, efekti mbi punësimin imagjinoj që do të ishte pozitiv. Por a do të garantonin këto investime rritje të produktivitetit dhe të novacionit si në produkte ashtu edhe në procese? A do të ishin këto efekte maksimumi që mund të arrihej dhe a do të sillnin ato një zhvillim të qëndrueshëm gjithëpërfshirës ekonomik? Sinqerisht, mendoj se shpresat në këtë drejtim janë afër zeros. Kush në vëndin tonë zotëron kapitale të tilla që mund t’a bëjnë atë të aftë për të bërë pjesë në kategorinë e investitorëve strategjikë, nuk ka as kulturën sipërmarrëse, as knoë hoë-n tecnologjik e menagerial, dhe cka është më e keqja, nuk ka as stimulin për të vepruar njëkohësisht në drejtimin e rritjes së punësimit, të produktivitetit dhe të novacionit ose thënë ndryshe, në rritjen e vlerës së shtuar të ekonomisë shqiptare. Mungesa e stimujve ka të bëjë me atë qe në ekonomi quhet “kosto oportuniteti” dhe në rastin konkret lidhet me mundësitë akoma të larta për disa personazhe për të kryer aktivitete me investime të ulëta, me risk zero e me fitime marramendese. Prej vitesh modelet e biznesit të madh në Shqipëri i ngjajnë pambarimisht njëri tjetrit, duke u përqëndruar në ndërtimin e qëndrave tregtare, të “fshatrave turistike” (koncepti shqiptar i grupit të vilave për shitje në mënyrë që të thithen në të shumtën e rasteve paratë e korrupsionit dhe të aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme si psh tregtimi i hashashit kohët e fundit), krijimit të monopoleve apo oligopoleve me mënyra të ligjshme apo të jashtëligjshme në tregti dhe se fundmi, por jo nga rëndësia e kapitaleve që vë në lëvizje, në fusha të ndryshme të prokurimit publik ku mundësisht të gjëndet dhe një partner i huaj sa për figurë. 

Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj se Hill, ne veprën e tij përcakton si një kosto për vëndet pritëse faktin që me lëvrimin e investimeve të huaja direkte, vendi humbet dicka në sovranitetin e tij. Por, të flasësh për sovranitet në një vënd ku aktiviteti i ambasadorëve zë një vënd më të rëndësishëm në politikën kombëtare sesa ai i Presidentit të Republikës dhe në kushtet e një varfërie të pashëmbullt në të gjithë evropën, më duket krejt pa vënd.

Në mbyllje, mendoj se është mjaftueshëm e qartë se politikat proteksioniste, jo vetëm nuk do t’i jepnin mundësinë ekonomisë shqiptare të ndërmerrte atë proces shkatërrimi krijues që sipas Shumpeter-it qëndron në bazën e sistemit kapitalist, por do t’a shtynte atë drejt thellimit të këtij sistemi pervers ku nuk ka as prodhim dhe as shërbime, dy faktorët kryesor të krijimit të vlerës në ekonomi. Në të kundërt, stimulimi me të gjitha mënyrat i lëvrimit të kapitaleve të huaja do mund të krijonte një ambjent dinamik në ekonomine shqiptare, të domosdoshëm për t’i dhënë asaj një shtytje progresiste dhe madje, në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, do të shndërronte sipërmarrësit vendas në biznesmenë modernë të zotë të ndjekin rrugën e tyre pa e kushtëzuar atë me marrëdhëniet me politikën dhe polikanët.

Jo qëllimisht, por në mënyrë të natyrshme me fjalinë paraardhëse dola tek thelbi i cështjes dhe në atë që përbën celësin e të ardhmes së vëndit. A do ta donin politikanët aktuale shqiptarë një gjë të tillë? A mund të ushqejmë shpresën se partitë tradicionale shqiptare do të zhvishen së afërmi nga kënvështrimi miop i interesit meskin vetjak dhe do të hartojnë politika që synojnë zhvillimin në tërësi të vëndit e midis tyre edhe ligjet e nevojshme per thithjen e investimeve te huaja?