Ekonomi

Orea Mullaymeri

 

Të gjithë kemi dëgjuar për‘rritjen’ e ekonomisë shqiptare,aq sa çdo deklaratë qeveritare tashmë na duket si një teatër tragji-komedish ku sdimë në të qajmë me të vërtetën apo të qeshim me komedianët të cilët bëjnë humor të zi me të ardhmen e një vendi që çdo ditë e më shumë po ngulçon mbi një shpresë të gjymtuar.

Ndërkohë që shumica duartrokasin aktorët e qeverive që vijnë e ndërrohen në teatrot e tyre politike, pas kuintave, Europa po shkruan  kritikat për këtë komedi të dështuar të rënies politiko-ekonomike të këtij vendi.

Nëse do të flisnim në gjuhën e shifrave, vetëm duke parë raportet ndërkombëtare do arrinim të njihnim plagën e vërtetë  të ekonomisë Shqiptare.
 
Për t’a ilustruar më konkretisht, sipas të dhënave të një ndër faqeve kryesore europiane,Eurostat,e cila ndër të tjera publikon statistikat  ekonomike të vendeve anëtarë të BE-së dhe vendeve kandidate, në vitin 2016 Shqipëria renditet një ndër shtetet me pagë minimale më të ulët nga çdo vend tjeter.(Grafikunr 1).
 
E hidhur të përballemi me një vlerësim të tillë por fatkeqësisht shifrat janë mëse reale dhe jo shfaqje teatrale të trilluara.

( Grafiku i Statistikave mbi pagën minimale sipas Eurostat)

 

Sipas statistikave të njëjta,vendi ynë përfshihet në grupin e parë të shteteve me page minimale mujore më të ulët se 500 Euro në muaj në të cilat bëjnë pjesë 4 vendet kandidate (Shqipëria, Mali i Zi, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbia) dhe 10 vende anëtare të Bashkimit Europian ( Bullgaria, Rumania, Lituania, Hungaria,Republika Çeke, Letonia,Sllovakia, Kroacia, Estonia dhe Polonia). 

E renditur e fundit në kategorizim, në sytë e ndërkombëtarëve Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me një ekonomi që çalon çdo ditë e më shumë pavarësisht skenareve politikë që na është dashur ”të besojmë”.

Ndoshta analizat ekonomike janë prioritet i një financieri por të gjithë mund të bëjmë një analizë ‘allashqiptarçe’ për gjendjen ekonomike të vendit tonë.

Të gjithë kemi dëgjuar dhe pare që kostoja e mallrave të konsumit në Shqipëri nuk ndryshon shumë nga vendet e tjera të Ballkanit ndërkohë që rroga e një shqiptari vazhdon të mbetet në nivelet më të ulëta nga çdo vend tjetër, duke skuqur faqet e turpit përpara çdo shteti jo për vendin në të cilin jetojmë por për politikat të cilat ndjekim.

Të gjithë e dimë që në vendet e rajonit paga minimale u siguron shtetasve vendas një jetesë normale, ndërkohë që në Shqipëri paga nuk mjafton jo për të jetuar por as për të mbijetuar, çka mund të tingëllojë tragjike por fatkeqësisht e vërtetë. 

Të gjithë e dimë që minimumi jetik në Shqipëri ka kohë që është hequr ngafjalori shqip-shqip i çdo qeveritari se ndoshta u duket fjalë çuditërisht e huaj për këtë vend me një ekonomi prapanike. Dhe së fundmi, të gjithë e dime për këtë dramë që po luhet ditë pas dite mbi kurrizin tonë, por ajo çfarë nuk dime është …PËRSE VAZHDOJMË TË DUARTROKASIM?!