Ekonomi

Kur në kulturat perëndimore përmendet plani i kursimit dhe sidomos kur flitet për plane pensioni, jo vetëm shteti por edhe vetë kompanitë private përpiqen të nxisin punonjësit e tyre që të marrin në konsideratë opsionet e ndryshme, kjo që në moshë relativisht të re. Nuk bëhet fjalë thjesht për sigurime shoqërore, po për plane të mirëfillta kursimi, afatgjata, me një strukturë të specifikuar shumë qartë.

Janë bërë studime të përqëndruara në këtë tematikë e të ngjashme si kjo, psikologë dhe ekonomistë kanë bashkëpunuar duke vënë themelet e një disipline që ndërthur psikologjinë dhe ekonominë, duke krijuar atë që quhet behavioral economics. Si fushë ka për detyrë të studiojë  individin, studion se si sjellja, mënyra e të menduarit pasqyrohen në zgjedhjet që impaktojnë ekonominë qoftë atë individuale apo në masë të gjerë atë kombëtare. Nga ana psikologjike, truri ynë, të ardhmen e sheh si një grupim situatash që janë shumë larg dhe nëse bëjmë një hap të gabuar tani, duke i lejuar vetes ndonjë çmenduri luksi, kjo nuk do ndikojë dhe aq negativisht sepse, me optimizëm mendojmë se kemi hapësirën e nevojshme kohore për të rekuperuar. E thënë ndryshe e kemi më të thjeshtë të mendojmë për të tashmen dhe të shpenzojmë për "tundimet" e çastit se sa të mendojmë që e njëjta shumë, në të ardhmen do ishte më e vyer. 

Kthehemi tek realiteti ynë, te shqiptarët dhe shoqëria jonë. Jemi mijëra vite dritë larg nga kjo mënyrë të menduari, për shumë e shumë arsye. Nga studimet rezulton që vetëm 10% e popullsisë mendon për pensionin që do mund të gëzojë në moshë të thyer. Mos vallë kjo vjen se jemi shumë të rinj? (Studimet tregojnë që edhe shqiptarët kanë filluar të plaken). Mos vallë nuk e kemi ende të injektuar në kulturë dhe jemi shumë "carpe diem"? Po, mund të jetë edhe kjo.  Mjaftohemi me sigurimet shoqërore? Ndërkohë nuk e dimë si do vijnë kohërat, kështu që s'mund të jemi të bindur për moshën e pensionit dhe te detaji "sa" pension do sigurojmë?

Apo për kohën që flasim, mos vallë nuk dimë ç'të kursejmë më parë sepse nuk kemi?

Në një familje prej katër vetash, me të ardhura mesatare; a bëj gabim nëse them 40000 lekë të ardhura mujore? Le të themi që të dy bashkëshortët fitojnë 80000 lek/muaj. 

Mesatarisht harxhohen rreth 5000-7000 lek/javë për ushqime dhe shpenzime të tjera për produkte, të mira materiale që lidhen me mirëmbajtjen e shtëpisë dhe personale të secilit pjesëtar.

Shpenzimet për energjinë elektrike, ujë dhe taksë banese i llogarisim afërsisht 5000 lek/muaj, dihet që në disa muaj të vitit shkojnë edhe më tepër. Nëse familja jeton në Tiranë me qera, mesatarisht i bie të paguajë 20000 lek/muaj. 

Pastaj kemi transportin. Nëse kjo familje zotëron një automjet, ka shumë mundësi të jetë me naftë, gjithmonë për çështje kostoje, do harxhojë nga 8000-10000 lek/muaj. Varet nga shpeshtësia e përdorimit por kuptohet që po flasim për domosdoshmëri dhe nevojë. Përndryshe, në mungesën e një automjeti, mbetet transporti publik dhe minimalisht dy prej pjesëtarëve do duhet të pajisen me abone. 

Nuk kemi mbaruar. Të bëjmë listën e shpenzimeve për veshmbathje, libra, artikuj shkollorë, tarifa arsimimi apo kurse gjuhe të huaj/lënde mësimore, kuota ditore e fëmijëve për në shkollë etj. 

Kalojmë te "luksi modest" si: kinema, teatër, event apo aktivitet kulturor, shëtitje jashtë qytetit në ndonjë fundjavë të shënuar dhe për ta mbyllur; nëse kemi duhanpirës dihet që kanë edhe këta koston e tyre.

Vështirë se tepron dicka por nëse, atëherë do mendohet për ndonjë rregullim në shtëpi, ndoshta për ndonjë rast emergjence ose për shkollimin e fëmijëve duke shpresuar që shëndeti mos t'i tradhtojë  dhe të mos jenë të detyruar të përballen me andrallat e sistemit shëndetësor. Eh, kapitull më vete ky.

Një pjesë e mirë me të drejtë do mendojë që kam paraqitur “numra optimistë” duke pasur parasysh  skenarë si p.sh kur punon vetëm njëri nga bashkëshortët, ose nuk punon asnjëri prej tyre. Ekuacioni ndërlikohet me rritjen e numrit të pjesëtarëve, për të mos folur për alternativat e pagave. Përderisa nuk ka ende shifër të përcaktuar për minimumin jetik, nuk është çudi të dëgjosh paga nga më absurdet, në kushte pune nga më absurdet. Siç e dimë, ka dhe nga ato familje që si mos më keq “mjaftohen” me 20000 lekë apo dhe më pak, për t’ia dalë deri në fund të muajit.  Si përfundim do rezultonte në paradoks të bëje krahasime pasi, ajo që deri pak rreshta më lart ishte në kufi të së mjaftueshmes tashmë do dukej si “pasuri”.