Editoriale

Ilir Sinanaj Së fundmi Shqipëria po përjeton, në mbarë territorin e saj, një virozë që ka prekur një numër të gjerë të qytetarëve. Simptomat e para u vunë re që në fillim të muajit dhjetor (2016) të vitit të kaluar, duke bërë që të sëmureshin një numër i madh njerëzish, por vetëm në fillim të muajit janar të këtij viti (2017) autoritetet arritën në përfundimin se kemi të bëjmë më një virozë me përhapje të gjerë. Por pse gjithë kjo vonesë? Përgjigja mund të gjendet në Progres-Raportin më të fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Sipas këtij raporti, Shqipëri nuk ka kapacitete për të identifikuar dhe vepruar në mënyrë të efektshme ndaj rasteve kur ka një përhapje në masë të sëmundjeve ngjitëse. Gjithashtu, po sipas këtij raporti, autoriteteve shqiptare u mungon një koordinim midis sistemit të raportimit të rasteve të sëmundjeve dhe sistemit të regjistrit kombëtar elektronik të shëndetësisë. “Mbi sëmundjet ngjitëse, në mars (2016) parlamenti miratoi një ligj për kontrollin e sëmundjeve infektive që synonte të bënte përafrimet përkatëse me ligjet e Bashkimit Evropian. Të infektuarit me HIV/AIDS vazhdojnë të kenë vështirësi për të marrë shërbime shëndetësore. Një plan strategjie dhe veprimi për kontrollin e mushkonjave mbetet për t’u miratuar. Sistemet e raportimit për sëmundjet ngjitëse dhe laboratorët mikrobiologjikë nuk janë të integruar me sistemin e regjistrit kombëtar elektronik të shëndetësisë. Kapaciteti i laboratorëve mikrobiologjikë ka nevojë të forcohet për të siguruar mbikëqyrje të efektshme të sëmundjeve, identifikimin e përhapjes së sëmundjeve të njohur dhe të panjohura në masë në një zonë të caktuar, si edhe hetimin dhe mbështetjen e veprimeve kundër rezistencës antibiotike”, thuhet në faqen 82, të Progres-Raportit të BE-së për Shqipërinë të vitit 2016. burimin Balkanweb